Kryeministri Berisha: Ligji “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, një nga ligjet më të domosdoshme për menaxhimin e ujërave në të tërësi dhe për mbrojtjen e mjedisit
Këshilli i Ministrave mori sot në shqyrtim në mbledhjen e sotme projektligjin Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Duke folur mbi këtë projektligj, kryeministri u shpreh ujërat janë pasuria më e madhe e këtij kombi, pas njerëzve. Kryeministri qartësoi se ky ligj iu jep përgjigje problemeve themelore ndaj kësaj pasurie të madhe kombëtare, shfrytëzimit të saj racional të të gjithë aspekteve dhe drejtimit, mirëmenaxhimit dhe përgjegjësive konkrete përkatëse për menaxhimine tyre.
“Sot ne miratojmë ligjin për menaxhimin e integruar të ujërave. Ujërat janë pasuria më e madhe e këtij kombi , pas njerëzve dhe e tillë do të mbetet ajo. Vlera e tyre veçse rritet gjithnjë e më shumë sepse nevoja për to rritet dhe burimet nuk janë aq të mjaftueshme. Ndaj dhe ky ligj u jep përgjigje problemeve themelore ndaj kësaj pasurie të madhe kombëtare, shfrytëzimit të saj racional të të gjithë aspektet dhe drejtimet, mirë menaxhimit dhe përgjegjësive konkrete përkatëse për menaxhimin e tyre.
Ligji është hartuar mbi bazën e një ekspertize të gjerë dhe është një nga ligjet më të domosdoshme për menaxhimin e ujërave në të tërësi, por edhe për mbrojtjen e mjedisit. Nuk duhet të harrojmë se këto janë elementë thelbësorë." u shpreh kryeministri.
29/08/2012