Kryeministri Berisha: Opozita nuk mund të ndërtojë alternativën e saj mbi mashtrimin se Shqipëria është në krizë

- Kryeministri Berisha: Tre arsyet kryesore të shmangies së krizës; Shqipëria është vendi me taksa më të ulëta në Europë; rritja e investimeve, ku vetëm në vitin 2008 qeveria ka investuar 32 për qind të buxhetit, si dhe mbështetja me kreditim e sektorit të ndërtimit.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u shpreh se opozita shqiptare nuk mund të ndërtojë alternativën e saj mbi zinë e mjerimin e sajuar dhe mashtrimin se Shqipëria është në krizë ekonomike.
Në këtë kontekst, Kryeministri tha se, të gjithë ata që mendojnë në këtë mënyrë le t’i shtrojnë pyetjen vetes: kush do të ishte ai institucione ekonomik ndërkombëtar që do të blinte me 104 milionë euro sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike të Shqipërisë, me një çmim qartësisht 30 deri në 40 për qind më të lartë se të gjitha privatizimet e bëra në rajon, kush do të ishte ai që do të ofronte kredi Shqipërisë, sipas kërkesës së saj, në rast se nuk do të kishte besim të plotë në potencialin e saj ekonomik dhe kush do të ishte ai që do të pranonte të blinte 12 për qind të aksioneve të AMC-së, pasi është në shqyrtim tashmë edhe licenca e katërt telefonike, një blerje kjo me 48 milionë euro?”. Në një kohë krize nuk do të kishte financier, bankier, ekonomist, sipërmarrës që të mund të merrte një vendim të tillë, nënvizoi Kryeministri.
“T’ú biesh borive të mjerimit, vetëm për karrigen tënde, ta ëndërrosh krizën si një mekanizëm për të ndërtuar pushtetin tënd, kjo është në radhë të parë, cinizëm ekstrem dhe çnjerëzim maksimale, një mashtrim i turpshëm”, theksoi Kryeministri.
Në këtë kontekst, Kryeministri tha se në mënyrë absolute, nuk ka thënë dhe nuk mund të thotë njeri se pasojat e krizës nuk do të mund të prekin Shqipërinë, pasi sigurisht që ulja e kërkesës botërore ka ndikim direkt në eksportet e Shqipërisë.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës për mungesën e një pakete konkrete të qeverisë shqiptare në rast krize, Kryeministri bëri të qartë se qeveria shqiptare e ka vënë në zbatim këtë paketë fiskale anti krizë dy vjet më parë.
Kryeministri tha se janë 3 arsye të forta që kanë bërë të mundur që Shqipëria të mos jetë në krizë, që janë edhe shtyllat kryesore të kësaj pakete anti krizë.
Së pari, ekonomia shqiptare nuk është në krizë, sepse kriza e gjeti këtë ekonomi si vendin me taksa më të ulëta në Europë. “Për çfarë pakete bëjnë fjalë zotërinjtë e opozitës, kur kjo qeveri, paketën fiskale antikrizë e vendosi 2 vjet përpara, ndwrkohw qw ende të gjitha vendet që përpiqen të vendosin sistemin fiskal që kemi vendosur ne, nuk imagjinojnë dot të zbresin në nivelin që kemi zbritur ne në këtë aspekt, pra tek taksa e sheshtë 10 për qind, tek sigurimet shoqërore 15 për qind, tek taksa e biznesit të vogël 1.5 për qind, tarifa doganore e ulur mbi 6 herë”, tha Kryeministri.
Së dyti, qeveria shqiptare po rrit investimet dhe në vitin 2008 ajo ka investuar 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo 32 për qind të buxhetit, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se kjo nismë është një shtyllë kryesore e paketës antikrizë të qeverive aktuale. Gjithashtu, Kryeministri tha se qeveria ka ndjekur politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, si element bazë për të rritur fuqinë blerëse. “Le të gjejnë një qeveri të dytë që në 4 vjet ka rritur rrogën mesatare me 68 për qind, ka rritur pensionet në mesataren e tyre me mbi 40 për qind dhe pastaj le të dalin dhe të thonë se unë po mashtroj shqiptarët. A nuk është kjo një rritje e ndjeshme e fuqisë konsumuese të qytetarëve? Askush nuk mund ta mohojë këtë gjë. Edhe kjo është një shtyllë kryesore e paketës antikrizë”, vijoi Kryeministri.
Së treti, Kryeministri tha se qeveria ka mbështetur sektorin e ndërtimit. “Ne vendosëm dhe jemi të gatshëm të kreditojmë 6 mijë apartamente. Ky është stimuli më i fuqishëm në histori që i është dhënë këtij sektori, në proporcion me vendin dhe situatën”, u shpreh Kryeministri.
Të veshësh “rrobat e zisë”, theksoi Kryeministri, vetëm për të bindur shqiptarët se janë në krizë, në një kohë kur nuk është krizë ekonomike, të bërtasësh për paketë në një kohë kur është pikërisht paketa ajo që ka parandaluar krizën, të flasësh se qeveria nuk ka marrë masa, është jo e vërtetë, sepse qeveria po ndihmon dhe ka marrë masat më të fuqishme.
“E mirëkuptoj opozitën, e cila ka të drejtën e vet të bëjë vlerësimet, propozimet, sugjerimet, por është absolutisht motoja “rroftë e keqja, poshtë Shqipëria” ajo që opozita adapton gjatë këtyre muajve, në raport me problematikën ekonomike të vendit. Ata rendin dhe përpiqen të servirin mashtrimet e tyre se Shqipëria është në krizë”, tha Kryeministri.06/03/2009