Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet Kryeministrit të Turqisë z. Recep Tayyip Erdogan për viktimat e tërmetit në Anatolinë Lindore
Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Turqisë z. Recep Tayyip Erdogan, në të cilin shkruhet:
“ I nderuar z. Kryeministër!
Me keqardhje të thellë mësuam për tërmetin që ra në Anatolinë Lindore, si pasojë e të cilit humbën jetën disa dhjetëra qytetarë të vendit tuaj dhe u shkaktuan dëme të tjera materiale.
Më lejoni që, në këtë çast hidhërimi, t’Ju shpreh, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, si dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ngushëllimet më të sinqerta e ndjenjat e solidaritetit njerëzor, për këtë humbje të madhe, jo vetëm për familjet e viktimave, por edhe për qeverinë e kombin tuaj.
Të gjithë shqiptarët ndajnë me Ju, me familjet e viktimave dhe me popullin mik të Turqisë dhimbjen për këtë humbje të rëndë dhe luten që shpirtrat e tyre të prehen në paqe.
Shfrytëzoj rastin t’Ju ripohoj, i dashur mik, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Juaji,
Sali Berisha"
09/03/2010