E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Pas ndërtimit të rrugëve, ujësjellësat do të jenë përparësia më madhore e qeverisë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Vlorës, ku fillimisht mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ujësjellësin e fshatrave Risili Qeprap, në komunën Llakatund, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 81.5 milion lekë.

Duke përshëndetur të pranishmit, kryeministri Berisha theksoi se brenda një viti  në këtë komunë janë investuar më shumë se në katër vjet të qeverisjes socialiste. Kryeministri siguroi se për qeverinë mbetet përparësi që tu krijojë qytetarëve shqiptarë kushte dhe standarde bashkëkohore sa më të përafërta me ato të qytetarëve evropianë.

“Janë nje seri projektesh në rrugë të fshatrave të kësaj zone, në ujësjellësa, qendra shëndetësore, etj. Qeveria ka si përparësinë e saj më kryesore, tu krijojë  qytetarëve shqiptarë kushte, standarde, të përafërta, madje të njëllojta me të qytetarëve të tjerë evropianë.”

Kryeministri garantoi se në të ardhmen investimet për ujësjellësat do të jenë edhe më të mëdha, duke i dhënë në këtë mënyrë një përgjigje përfundimtare problemeve të furnizimit me ujë të popullatës, në mbarë vendin.

“Në rast se në këtë ujësjellës kemi investuar 81 milion lekë, në tërësi qeveria ka investuar për ujësjellësa 18 miliard lekë. Ne një hark të shkurtër kohor 3 vjeçar, janë ndërtuar mbi 460 ujësjellësa dhe janë në ndërtim e sipër mbi 260 të tjera. Shqipëria ka nevoja edhe më të mëdha, por me këto investime ne iu japim një përgjigje shumë të fuqishme problemeve të furnizimit me ujë të popullatës, në mbarë vendin.

Mandati tjetër, duke çliruar fondet nga rrugët do të jenë ujësjellësat që do të zëvendësojnë përparësinë e madhe në mënyrë që shqiptarët të kenë ujë 24 orë.”

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Llakatundit,  zoti Luli Petani, duke vënë në dukje faktin se në qeverisjen e mëparshme kësaj zone nuk i është kushtuar vëmendja e duhur, falënderoi Kryeministrin Berisha për këtë investim shumë të rëndësishëm  për fshatrat e Risilisë dhe Qeprapit. Ky investim, u shpreh zoti Petani ngjall shpresën për investime të mëtejshme të qeverisë në këtë zonë.

Duke iu përgjigjur Interesimit të medies në lidhje me ecurinë në rrugën  Transballkanike, kryeministri Berisha u shpreh:  Kryetari  i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika  po tregohet fanatik sepse për rëndësinë e madhe, që kjo vepër ka për qytetin e tij ai duhet të kishte treguar vendosmëri për të përfunduar atë, por shihet qartë që zotit Gjika nuk i bie në mendje për qytetin, ndryshe si mund të shpjegohet fakti që një rrugë kaq jetike, të lihet pas dore.  Zoti Gjika dëshmon se nuk është në gjendje të zgjidhë as problemet më elementare, se po të kishte qenë një kryetar bashkie që interesohej për qytetin do të kishte përcaktuar një afat për këtë rrugë. Puna e tij  tregon për një qëndrim mjaft të rreptë politik, të zotit Gjika. Megjithatë qytetarët e Vlorës nuk pajtohen me indiferencën e tij. Kjo rrugë është shumë  e rëndësishme dhe jetike për Vlorën prandaj unë ju siguroj se ajo do të bëhet.


06/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›