E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i KE-së z. Helmuth Lohan i dorëzoi Kryeministrit Berisha Progres Raportin për Shqipërinë për vitin 2008

-Në Progres Raport theksohet se ka pasur ecuri për sa i përket konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, dhe kjo në sajë të konsensusit partiak

-Në Progres Raport vihet re se ka pasur përmirësim të perceptimit të publikut në lidhje me luftën kundër korrupsionit, janë vënë re të gjitha përpjekjet që janë bërë për luftën kundër këtij fenomeni, si dhe ekonomia shqiptare ka pasur rritje të shpejtë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmuth Lohan, i cili i dorëzoi Kryeministrit Progres Raportin për Shqipërinë për vitin 2008, si dhe strategjinë e Komisionit Evropian për zgjerimin.

Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Ambasadori Lohan deklaruan për mediat;

Ambasadori Helmut Lohan: Zonja dhe zotërinj, mirëdita!
Jam i kënaqur që i dorëzova Kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha strategjinë apo dokumentin e Komisionit Evropian për zgjerimin, si dhe Progres Raportin për Shqipërinë për vitin 2008.  Zoti Kryeministër i kam bërë një përmbledhje të konkluzioneve që ne kemi nxjerrë.  Strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian thekson se ecuria përpara e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të përshpejtohet, por në qoftë se këto vende plotësojnë kushtet e nevojshme. Kjo do të thotë që vendet potencialisht kandidate për Bashkimin Evropian, pra këto vende që demonstrojnë gatishmërinë e tyre, mund të arrin statusin e vendeve kandidate. 
Strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian thotë se në qoftë se vendet e Ballkanit Perëndimor arrin të përmbushin disa kushte të caktuara, sigurisht që kjo do të shihet për secilin prej vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë Komisioni Evropian mund të propozojë që të hiqen detyrimet e vizave gjatë vitit 2009.

Për sa i përket Progres Raportit për vitin 2008, në të janë kryesisht tre ndarje që kanë të bëjnë me; kriteret politike, ekonomike dhe me standardet evropiane. Për sa i përket kritereve politike, në këtë Raport është theksuar fakti se ka pasur ecuri për sa i përket konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, dhe kjo në sajë të konsensusit partiak. Po ashtu, në raport thuhet se Shqipëria ka vazhduar të luaje një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit të rajonit, si dhe ka pasur apo ka ngritur marrëdhënie të mira me fqinjët.

Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, në Progres Raport vihet re se ka pasur sidomos një përmirësim të perceptimit të publikut në lidhje me këtë fenomen, si dhe janë vënë re të gjitha përpjekjet që janë bërë për luftën kundër korrupsionit. Kjo është arsyeja se përse në Progres Raportin e këtij viti nuk përdoret e njëjta gjuhë apo terminologji që është përdorur një vit më parë. Së fundmi, për sa i përket kritereve politike, duhet theksuar se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 duhet të përgatiten siç duhen dhe duhet të zhvillohen në atë formë, në lidhje dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Për sa i përket kritereve ekonomike, në Progres Raport vihet re fakti që ekonomia shqiptare ka pasur rritje të shpejtë dhe vihet re se Shqipëria ka mundur ta mbajë nën kontroll inflacionin. Po ashtu, është venë re fakti që ka pasur ecuri në fushën e privatizimit dhe përmirësime të tjera në klimën e biznesit. Në Progres Raport vihet re se në të ardhmen do të ketë nevojë për reforma të konsiderueshme, të cilat do të duhet të arrihen në mënyrë që ekonomia shqiptare të përballet me trysninë e konkurrencës apo forcave të tregut të BE-së.

Ndërsa për sa i përket standardeve evropiane, unë jam i mendimit se Progres Raporti është tepër realist në vërejtjen e atyre ecurive që janë bërë më shumë në disa fusha të caktuara dhe ato duhen bërë në të ardhmen. Sigurisht, në raport flitet edhe cilat janë fusha ku duhet të kenë ecuri të mëtejshme.

Pra, nuk mendoj se ka një mënyrë tjetër më të mirë për të përshkruar themelin e këtij vlerësimi që bërë Komisioni Evropian sesa të përsëris fjalët e vetë Komisionerit Oli Rehn, në konferencën për shtyp që dha dy orë më parë: Për Shqipërinë, gota është gjysmë e plotë sa është edhe gjysmë bosh, pavarësisht nga sfidat që ka përpara.

Kryeministri Sali Berisha: Nga ambasadori Lohan mora raportin vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe duhet të shpreh falënderimet më të përzemërta për këtë raport të KE-së. Unë i kërkova ambasadorit Lohan t’i transmetojë Komisionit Evropian se ky raport përbën vlerësimin më objektiv të zhvillimeve në Shqipëri gjatë këtij viti dhe unë dua të jem i sinqertë se po të ishte një marrëveshje bilaterale, do ta firmosja pa i ndryshuar asgjë. I tillë është objektiviteti i këtij raporti në vlerësimin e zhvillimeve të gjithanshme të vendit. Raporti përbën një dokument të shkëlqyer për qeverinë time, si program pune, por në mënyrë absolute edhe si program elektoral për kërkesat që shtron dhe për problemet që duhet të zgjidhim për vitin e ardhshëm. Duke qenë dakord me të gjitha vlerësimet dhe kërkesat objektive, dua të siguroj Komisionin Evropian dhe shqiptarët se stacioni në të cilin kemi arritur përbën thjesht një bazë shumë të fuqishme për të arritur më shpejt objektivat e shumta që duhen realizuar, përbën një hartë rruge shumë të qartë, e cila në çdo kërkesë që shtron dhe në çdo vlerësim që bën ka një qëllim; interesin e qytetarëve shqiptarë në procesin e integrimit. E gjithë përpjekja jonë për kriteret e Kopenhagenit është njohur dhe vlerësuar në mënyrën më objektive, por e siguroj Komisionin Evropian se nuk do të ketë të ndalur në reforma që do ta bëjë gjithnjë e më të konsoliduar demokracinë tonë, t’i bëjë institucionet shqiptare gjithnjë e më funksionale, të pavarura apo të varura nga ligji. Si rrugën e vetme të zgjerimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë njohim konsolidimin e tyre.
Njihen dhe vlerësohen me nota të qarta pozitive përpjekjet tona në reformat ekonomike,  por ato që janë arritur janë thjesht burim inspirimi për ne, për të rendur pas niveleve, kritereve, praktikave të tjera të lirisë ekonomike dhe lirisë fiskale.

Lufta kundër korrupsionit. Ambasadori Lohan theksoi se ka një ndryshim të njohur, por është e vërtetë dhe unë jam i vetëdijshëm se në rast se dolëm në gjysmën me dritë të hënës një rrugë e gjatë dhe me vështirësi qëndron para nesh për të realizuar objektivat që ne kemi; Shqipëria në grupin e 20 vendeve më të pastra. Ndaj, fjalën time dua ta mbyll duke shprehur mirënjohje dhe falënderim për vlerësimin objektiv që Komisioni Evropian i ka bërë punës se qeverisë time dhe në tërësi institucioneve të shtetit shqiptar në një vit. Shpreh angazhimin se qeveria me të gjitha agjencitë e saj do ta kenë raportin një program pune dhe natyrisht ky është detyrimi i të gjitha institucioneve të vendit, për të cilat integrimi evropian dhe në NATO janë projektet e shekullit.
Nga raporti jemi shumë të inkurajuar, faleminderit zoti Ambasador.


05/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›