E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Barack Obama për fitoren në zgjedhjet e 4 nëntorit 2008

Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh urimi Presidentit të ri të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama me rastin e zgjedhjes së Tij në këtë post.  Në mesazhin e Tij Kryeministri Berisha shprehet:

“I dashur Zoti President i zgjedhur, Barack Obama!


Është nder dhe kënaqësi e veçantë, për mua që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju dërgoj përshëndetjet më miqësore dhe urimet më të përzemërta për fitoren tuaj historike e spektakolare, me datën 4 nëntor 2008, zgjedhjen në postin e lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo fitore ishte rezultat i fushatës elektorale, më të bukur të kohërave, që do të mbetet legjendë në historinë e zgjedhjeve, i mesazheve tuaja që pushtuan mendjet dhe zemrat e qytetarëve të të gjitha moshave e grupeve shoqërore, pa dallim gjinie, race apo prejardhjeje etnike të vendit tuaj.


Me votën e tyre historike, më 4 nëntor, qytetarët e kombit tuaj të madh ndryshuan jo thjeshtë pushtetin por edhe vetë SHBA-në, dhe mbarë njerëzimin. Me zgjedhjen tuaj, vendi i madh i lirisë e bëri ëndrrën amerikane më të vërtetë dhe më reale se kurrë ndonjëherë.
Me vendimin e tyre në zgjedhjet e nëntorit 2008, qytetarët e SHBA-së vlerësuan projektin tuaj qeverisës, si platformën më të mirë, për promovimin e mëtejshëm të ëndrrës dhe kauzës amerikane, si vizionin më të shkëlqyer, për të drejtuar vendin lider të politikës, ekonomisë dhe paqes e sigurisë globale në 4 vitet e ardhshme. Ndaj shfrytëzoj rastin t’Ju uroj sukses të plotë, në detyrën e lartë e fisnike!

Zgjedhjet e datës 4 nëntor 2008 për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbeten përherë një çast historik për popullin dhe vendin tuaj, por ato kanë një rëndësi të jashtëzakonshme edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të gjitha kombet e popujt liridashës, anembanë globit, të cilët gjejnë te vendi juaj modelin më të shkëlqyer dhe garantuesin më të madh të lirisë e të vlerave të saj. Ne shqiptarët jemi një komb i vogël, që kemi përjetuar në historinë tonë drama të thella, pushtime të gjata, copëtime të rënda, diktatura të egra, por kemi arritur të mbijetojmë dhe t’i përkushtohemi ndërtimit të demokracisë e vlerave të lirisë në vendin tonë, sepse kemi gjetur te SHBA-ja aleatin dhe mikun më të çmuar, për çështjen tonë të drejtë.

Ne shqiptarët ruajnë për kombin tuaj të madh ndjenjat më të ngrohta të miqësisë e mirënjohjen më të thellë për mbështetjen, që populli amerikan, si miku dhe aleati më i çmuar i shqiptarëve, u ka dhënë përpjekjeve tona për liri e identitet kombëtar.


Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju siguroj Zoti President i zgjedhur Obama se qeveria ime dhe mbarë shqiptarët mbetemi të vendosur që, gjatë mandatit tuaj, kjo traditë e shkëlqyer miqësie, aleance e bashkëpunimi do të forcohet e konsolidohet edhe më tej, në të gjitha fushat, në shërbim të së mirës dhe interesit të të dy popujve tanë.

Duke Ju uruar edhe një herë për këtë fitore historike, shfrytëzoj rastin t’Ju pohoj sigurimet e konsideratës sime më të lartë.

Juaji 

Sali BERISHA”


06/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›