Kryeministri Berisha: Përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, pjesë e të cilave është edhe Posta Shqiptare, është ndër objektivat e rëndësishëm të qeverisë
Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të Postës Italiane, të kryesuar nga Drejtori ekzekutiv i saj Massimo Sarmi. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori italian në Shqipëri Saba D’Elia.
Zoti Sarmi i shprehu Kryeministrit Berisha përgëzimet për sukseset e arritura nga Posta Shqiptare dhe i prezantoi një sërë shërbimesh të tjera të mundshme që Posta Shqiptare mund të ofrojë, e asistuar nga Posta Italiane, veçanërisht në shërbime të tipit e-government. Ai shprehu gjithashtu, besimin që marrëveshja e bashkëpunimit që do të nënshkruhet midis Postës Shqiptare dhe asaj Italiane do të finalizohet me forcimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve, me rritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe përmirësimin e cilësisë së tyre.
Në këtë drejtim, zoti Sarmi i prezantoi Kryeministrit Berisha shërbime elektronike të kryera nëpërmjet postës dhe telefonisë celulare të tilla si transfertë të parave, shpërndarje të ndihmës sociale dhe shërbimeve të tjera qeveritare si shërbime me certifikata apo të tipit konsullor.
Kryeministri Berisha, pasi i falënderoi për interesin dhe propozimet në drejtim të rritjes së numrit të shërbimeve dhe përmirësimit të cilësisë së tyre ndaj qytetarëve, siguroi që qeveria shqiptare do të mbështesë bashkëpunimin midis Postës Shqiptare dhe asaj Italiane. Kryeministri Berisha tha se, ndonëse Posta Shqiptare, me reformat strukturore të ndërmarra në këto tre vitet e fundit, ka rritur numrin e shërbimeve dhe përmirësimin e rrjetit të saj, asistenca dhe bashkëpunimi me Postën Italiane do t’i shërbejë asaj për t’u modernizuar më tej.
Kryeministri Berisha theksoi se përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, pjesë e të cilave është edhe Posta Shqiptare, është ndër objektivat e rëndësishëm të qeverisë shqiptare.
Shtrirja e e-government në të gjitha llojet e shërbimeve dhe në të gjitha skajet e Shqipërisë, - u shpreh Kryeministri - është pjesë e reformave të ndërmarra nga qeveria. Përfitimi nga eksperienca pozitive italiane në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm, prandaj bashkëpunimi midis të dyja postave duhet thelluar më tej. Ajo, - shtoi Kryeministri - do të jetë pjesë e zinxhirit të madh të shërbimeve elektronike që qeveria shqiptare ka filluar tashmë të aplikojë në sistemin e taksave, të prokurimeve dhe i ka kërkuar edhe sistemit bankar të fillojë ta aplikojë atë sa më parë.
02/03/2009