E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Planifikimi i territorit, proces i një rëndësie parësore për jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e vendit

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në takimin kombëtar për Fuqizimin e Autoriteteve Vendore në Procesin e Planifikimit dhe të Administrimit të Territorit, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe e mbështetur nga USAID-i, përmes projektit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, përfaqësues të USAID-it, si dhe kryetarë të komunave e bashkive të vendit.

Kryeministri Berisha e vlerësoi si tepër të rëndësishëm mbajtjen e këtij takimi, duke u shprehur se planifikimi i territorit është një ndër fushat më parësore dhe më të rëndësishme për zhvillimin dhe jetën e qytetarëve. Më tej, Kryeministri kërkoi nga drejtuesit e pushtetit lokal që të bëjnë gjithçka për të përfunduar planet urbanistike tërësore dhe të shmangin studimet apo planet urbanistike pjesore, të cilat, sipas Kryeministrit, shpesh janë gjenerator i një pabarazie dhe deformimi të madh të hapësirave në qytetet tona.

Kryeministri nënvizoi, gjithashtu, se është e rëndësishme që këtij procesi t’i paraprihet me plane të qarta, plane të cilat mirëpresin, pasi një vend i lirë e ka të pacenueshme lëvizjen e lirë të qytetarëve. “Qytetarët shqiptarë duhet ta kenë të qartë se do të lëvizin në çdo skaj të këtij vendi, kudo që dëshirojnë të banojnë. Kjo është arritje e tyre konstante, e pandryshueshme. Detyra jonë është të planifikojmë, t’i paraprijmë këtij fluksi të madh dhe të shmangim atë që ndodhi gjatë 20 viteve të shkuara”, tha Kryeministri.

Duke përshëndetur të gjitha përpjekjet për të krijuar një bazë solide ligjore, Kryeministri Berisha i garantoi drejtuesit e pushtetit lokal se qeveria do të bëjë gjithçka t’i mbështetur.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj të falënderoj përzemërsisht organizatorët e kësaj konference, kushtuar një problemi themelor të vendit, siç është planifikimi i territorit. Falënderoj ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe USAID-in për mbështetjen e pandërprerë dhe të fuqishme që i kanë dhënë e i japin vendit tonë në këtë fushë, si një ndër fushat më parësore dhe më të rëndësishme për zhvillimin dhe jetën e qytetarëve të vendit. Falënderoj Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për punën që bën, në mënyrë që të përmbushë detyrimet në misionin e saj ndaj këtij procesi të një rëndësie shumë të veçantë.

Zonja e zotërinj,

Planifikimi i territorit është një proces i një rëndësie parësore për jetën e qytetarit shqiptar. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për shëndetin, jetën dhe veprimtarinë e tij, sesa hapësira në të cilën ai jeton, sesa kushtet që ai ka në hapësirën ku jeton.

Të nderuar kryetarë të bashkive dhe komunave,

Krahas veprimtarisë, jetës dhe shëndetit të qytetarit, planifikimi i territorit ka të bëjë edhe me një çështje shumë të ndjeshme të të drejtave të tyre. Në qytetet tona ende nuk ka marrë fund praktika kur njëri qytetar gdhihet në mëngjes milioner dhe fqinja i tij vazhdon të mbetet në mjerim, për shkak të një dokumenti që quhet leje ndërtimi, e cila me praktikën e lëshimit të saj, pikërisht për shkak të mungesës së planifikimit tërësor të territorit, krijon këtë pabarazi të tmerrshme midis qytetarëve, pabarazi të cilës ju mund t’i jepni fund në mënyrën më të vendosur duke bërë planet e plota urbanistike të qyteteve. Pa diskutim planifikimi i territorit është një faktor themelor për zhvillimin e qytetit, për zhvillimin e komunitetit, për zhvillimin e vendit. Duke përshëndetur të gjitha përpjekjet për të krijuar një bazë solide ligjore, ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka t’ju mbështesë ju. Natyrisht, pasioni juaj për t’i zbatuar ato ligje, pasioni juaj për të qenë të barabartë para qytetarëve që ju votojnë, nuk mund të zëvendësohen nga asnjë qeveri dhe asnjë ndërhyrje.

Të nderuar zotërinj,

Planifikimi i territorit në Shqipëri duhet t’u japë përgjigje dy proceseve madhore të tij, historike për vendin. Së pari, duhet t’i japë përgjigjen më të mirë procesit të urbanizimit të vendit dhe kombit. Në rast se për një vend të zhvilluar në të cilin urbanizimi në tërësi ka dekada që ka njohur stabilitetin e tij, në një vend që ka ritmet më të shpejta në Evropë dhe ndër më të shpejtat në botë, përgjigjja ndaj tij përbën një emergjencë të vërtetë. Në rast se ju studioni dhe shihni ritmet e urbanizimit, në këto 20 vite dy janë vendet me ritme më të shpejta, Kina dhe Shqipëria. Që të dyja kanë ritme urbanizimi rreth 22 përqind. Kombet e tjera, për këtë përqindje, kanë ecur 100 vite, 80 vite, 60 vite. U ndala këtu për të theksuar se çfarë presioni të madh ushtron ky proces mbi ju dhe çfarë detyrash dalin që ne t’i paraprijmë këtij procesi. Të mos lejojmë të ndodhë siç ndodhi këto 20 vite të shkuara, ku spontaniteti dominoi mbi rregullin. Është shumë e rëndësishme, sepse në fund të fundit urbanizimi është një proces pozitiv historik. Nuk ka diskutim, është një kult për zhvillimin. Nuk janë zhvilluar kurrë vendet si vende rurale. Vendet zhvillohen dhe janë zhvilluar si vende të urbanizuara. Ky është kusht themelor për t’u zhvilluar vendi dhe për t’u bërë Shqipëria një vend i zhvilluar. Këtij procesi ne duhet t’i paraprijmë me plane të qarta urbanizimi, me plane të kthjellëta, me plane të cilat mirëpresin. Një vend i lirë e ka të pacenueshme lëvizjen e lirë dhe qytetarët shqiptarë duhet ta kenë të qartë se do të lëvizin në çdo skaj të këtij vendi, kudo që dëshirojnë të banojnë. Kjo është arritje e tyre konstante, e pandryshueshme. Detyra jonë është të planifikojmë, t’i paraprijmë këtij fluksi të madh dhe të shmangim atë që ndodhi gjatë 20 viteve të shkuara. Përsëri duhet ta kemi të qartë se edhe në vitet që vijnë do të kemi një presion të madh në procesin e urbanizimit. Sërish, kemi 46 përqind të popullsisë në zonat rurale. Ju e kuptoni mirë dhe e njihni shumë mirë gjeografinë e zonave tona rurale. Sipërfaqja e tokës në zonën fushore është më e vogla në Evropë, 1800 metër për frymë. Pra, ne e kemi të pandalshëm dhe e kemi të domosdoshëm procesin e urbanizimit. Së dyti, në këtë proces, ne duhet të rregullojmë një raport shekullor të pafavorshëm, raportin e kombit me detin. Historia ka qenë kjo, shqiptarët i ka spostuar drejt maleve. Edhe sot që jemi këtu, në qoftë se ulemi  e shohim do të gjejmë se 90 përqind e bregut shqiptar është e pandërtuar, e pashfrytëzuar. Në këtë proces ne duhet të krijojmë një raport të ri me detin. Duhet të kthejmë kombin me sytë nga deti. Ne duhet të bëjmë që shqiptarët të përfitojnë maksimumin e mundshëm nga pasuria e pafundme e detit. Në këtë kontekst, krahas zonave të zhvillimit turistik, ne duhet të përcaktojmë zonat rezidenciale. Kjo, sepse kemi breg të gjatë, pothuajse 400 kilometër, me potenciale të mëdha zhvillimore. Ndaj është e domosdoshme që nga Velipoja në Ksamil të bëhen planet urbanistike të të gjithë linjës bregdetare, me synimin për të përmbushur, gjithashtu, një detyrë historike që kemi për të kthyer kombin me sytë nga deti.

Të nderuar zotërinj,

Kam një thirrje, të bëjmë gjithçka për të përfunduar planet urbanistike të qyteteve tona dhe të shpëtojmë nga studimet dhe planet pjesore. Planet pjesore janë gjenerator i një pabarazie të madhe, janë gjenerator të një deformimi të madh të hapësirave në qytetet tona. Kjo sidomos për kryetarët të bashkive të mëdha. Unë i kuptoj mundësitë e kufizuara që keni, por ju garantoj se është në interesin më të mirë tuajin që ato fonde modeste që keni t’i përkushtoni me përparësi për planet urbanistike. Sot ka mundësi të mëdha, ka studio të mrekullueshme në vend, ka fakultete e ka katedra, ka specialistë, të cilët janë të gatshëm të vijnë e të punojnë për ju, që ju të finalizoni një plan tërësor urbanistik për qytetin tuaj, komunën tuaj, në interesin më të mirë të komuniteteve që ju udhëhiqni, në interesin më të mirë të vendit.

Edhe një herë ju uroj suksese dhe falënderoj organizatorët e kësaj konference për një çështje shumë të rëndësishme, siç është kjo e planifikimit të territorit.”


14/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›