E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret zv/kryeministrin e Kosovës z.Ramë Manaj dhe deputetin e LDK-së z.Ismet Beqiri

Kryeministri Berisha priti  në një takim të përzemërt zv/Kryeministrin e Republikës së Kosovës zotin Ramë Manaj dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht kryetar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazinë e gjinore, Personat e pagjetur dhe Peticionit zotin Ismet Beqiri, që të dy përfaqësues të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Përfaqësuesit e lartë të LDK-së e falënderuan Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe i shprehën urimet dhe përgëzimet më të sinqerta për fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ata i përcollën kryeministrit Berisha edhe urimet më të përzemërta të Presidentit të Kosovës, zotit Fatmir Sejdiu. Më tej, ata u shprehën se kjo fitore e Kryeministrit Berisha dhe e Partisë Demokratike është një garanci për ecjen e mëtejshme të Shqipërisë drejt zhvillimit  dhe integrimit Evropian, si dhe për rolin e kontributin e Shqipërisë në paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e lartë të LDK-së për urimet, si dhe i përcolli përshëndetjet e tij për Presidentin Sejdiu. Kryeministri u shpreh se këto zgjedhje parlamentar kanë pasur disa dimensione pozitive. Kështu shqiptarët janë më të lirë se kurrë, zgjedhjet u zhvilluan me infrastrukturën zgjedhore më moderne të kohës, si dhe ky proces ka vlerë sepse do t’i japë vazhdimësi projektit të ndryshimit të Shqipërisë.  Gjatë bisedës u diskutuar për bashkëpunimin e frytshëm që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fusha të ndryshme, si dhe për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Kryeministri Berisha u shpreh se lidhur me bashkëpunimin ekonomik qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet ta shohin si shumë të rëndësishëm qëndrimin në vlera të aseteve të fjetura dhe të pasurive mjaft të mëdha natyrore dhe njerëzore që kanë të dyja vendet.


23/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›