E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministrat Berisha dhe Thaçi përurojnë nisjen e punimeve për autostradën Morinë-Merdare, vazhdim i autostradës Durrës-Morinë

Kryeministri Berisha: Inaugurimi sot, i korridorit të kombit, vetëm pak më shumë se dy vjet Kosovë e pavarur, dëshmon forcën magjike të lirisë, vullnetin e hekurt të shqiptarëve për të kapur kohën e humbur, për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë.

Kryeministri Berisha: Korridori i kombit e bën Prishtinën një nga kryeqytetet më të afërta me detin, në rajon dhe i hap Tiranës rrugën më të shkurtër drejt rajonit dhe Europës Qendrore.

Kryeministri Berisha: Inaugurimi i këtij korridori do të vazhdohet me inaugurimin e fillimit të punimeve të hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Prishtinën.

Kryeministri Thaçi: Sot, po hapim kapitullin e historisë së re të Kosovës, epokën e fuqizimit të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Thaçi: Nga sot, nuk ka bjeshkë që do të na ndajë, por vetëm rrugë, të cilat do të na bashkojnë.

Sot, Kryeministri Berisha, me ftesë të Kryeministri të Kosovës Hashim Thaçi, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve të autostradës Morinë-Merdare, vazhdim i autostradës Durrës-Morinë. Ceremonia e përurimit u zhvillua me pjesëmarrjen e autoriteteve të larta të Republikës së Kosovës, Presidentit Fatmir Sejdiu, Kryetarit të Parlamentit Jakup Krasniqi, ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit Fatmir Limaj, ministrit të Punëve Publike dhe Transportit të Shqipërisë Sokol Olldashi, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christofer Dell, atij të Turqisë Metin Hüsrev Ünler dhe ambasadorëve të tjerë akredituar në Kosovë, si dhe mes entuziazmit të mijëra qytetarëve të Kosovës.

Punimet e autostradës Morinë-Merdare startuan në Vërmicë (Prizren), kur dy kryeministrat, Berisha dhe Thaçi, shtypën butonin e detonimit për shpërthimin e parë, simbolik, të punimeve të saj. Ndërtimi i autostradës, me gjatësi 103 kilometra, do të kryhet nga konsorciumi Bechtel&Enka.

Kryeministri Berisha, në fjalën e tij të urimit, drejtuar të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, u shpreh:

“I dashur zoti President i Republikës së Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu,

i nderuar Kryetar i Parlamentit i Republikës së Kosovës, zoti Jakup Krasniqi,

i nderuar zoti Kryeministër, zoti Hashim Thaçi,

zotërinj ministra, deputetë,

të nderuar ambasadorë, përfaqësues të vendeve mike,

të dashur vëllezër e motra, qytetarë të Kosovës,

Sot , këtu, në Prizren, janë drejtuar sytë, mendja e zemrat e mbarë shqiptarëve, kudo që ndodhen. Sot, qytetarët e Kosovës, qeveria e Kosovës, edhe një herë e në të shumtën herë, i faktuan kombit e Zotit se ata janë të vendosur për çdo vendim, për interesin kombëtar, se ata, sikundër në të shkuarën, për këtë interes nuk njohin çmim, janë të gatshëm të paguajnë çdo gjë.

Inaugurimi sot, i korridorit të kombit, vetëm pak më shumë se dy vjet Kosovë e pavarur, dëshmon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e lirë, dëshmon forcën magjike të lirisë, vullnetin e hekurt të shqiptarëve për të kapur kohën e humbur, për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë.

Korridori i kombit e bën Prishtinën një nga kryeqytetet më të afërta me detin, në rajon. Korridori i kombi i hap Tiranës rrugën më të shkurtër drejt rajonit dhe Europës Qendrore. Por ky korridor është gjithashtu një përpjekje e madhe e shqiptarëve për të ndërtuar idealin e tyre europian. Korridori, së shpejti, do të jetë korridor bashkëpunimi dhe miqësie mes vendeve të rajonit. Unë kam bindjen më të madhe se nuk do të jetë e largët dita, kur nga ky korridor do të përfitojnë Serbia, jo më pak se Shqipëria, Maqedonia, jo më pak se Kosova. Me këtë korridor, gjithashtu, qeveria e Kosovës, autoritetet e Kosovës bëjnë një hap të madh drejt krijimit të një infrastrukture të një shteti europian. Pra, edhe në këtë sens, korridori është korridori i integrimit të Kosovës drejt rajonit dhe Europës.

Vëllezër motra,

Ne, shqiptarët kemi pasur fatin, jo të mirë, të humbim shumë kohë, ndaj ne duhet të vrapojmë, të nxitojmë më shumë se çdo komb tjetër, për të kapur kohën e humbur. Vendimi që qeveria dhe autoritetet e Kosovës kanë marrë për ndërtimin e këtij korridori është vendimi i tyre më i rëndësishëm, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndaj dhe unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj tyre dhe përgëzimet më të sinqerta. Por ky vendim është edhe mesazhi më i shkëlqyer që qytetarët e Kosovës dhe udhëheqja e saj politike i adresojnë sot, të gjitha kombeve që dhanë kontributin e tyre të madh në lirinë e Kosovës dhe rindërtimin e saj. Ky vendim është një vendim madhor për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Vëllezër e motra,

Ne inaugurojmë punimet e këtij korridori, këtu, në Prizren, qytetin e përjetësisë së idealit të shqiptarëve, qytetin e Lidhjes, qytetin, në të cilin shqiptarët, pas shekujsh, u zgjuan me një vështrim të ri drejt perëndimit, drejt Europës. Edhe ky është një nder i madh që ne i bëjmë historisë sonë, një nderi i madh që ne i bëjmë përpjekjes së shqiptarëve për liri e dinjitet.

Do ta mbyll fjalën time, duke u zotuar para jush se inaugurimi i këtij korridori do të vazhdohet me inaugurimin e fillimit të punimeve të hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Prishtinën dhe se Shqipëria është e vendosur të krijojë me të gjithë vendet përreth infrastrukturën më moderne, të krijojë me Kosovën infrastrukturën më intensive.

Edhe një herë urimet më të përzemërta për këtë ditë të madhe, ditë të bardhë që ju i dhuroni kombit shqiptar, rreth dy vjet pas pavarësisë. Gëzuar!”

Më pas, përshëndeti fillimin e punimeve për autostradën Morinë-Merdare, Kryeministri Thaçi:

“I nderuar President i Republikës së Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu,

i nderuari kryeparlamentar, zoti Krasniqi,

të nderuar ministra, deputetë,

i nderuar Kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha,

të nderuar ambasadorë, i nderuari ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christofer Dell, ambasador i Britanisë së Madhe, i Francës, i Turqisë, të gjithë ju, ambasadorë, prezent në këtë tubim madhështor jo vetëm për qytetarët e Kosovës, shtetin e Kosovës dhe për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, më lejoni që t’ju falënderoj fillimisht për pjesëmarrjen tuaj, të shpreh admirimin dhe respektin më të lartë për këtë punë që po fillojmë dhe që është kontribut i të gjithëve,

dëshiroj që në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës të shpreh edhe një përshëndetje nga zemra dhe shtetërore edhe për përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese të kësaj autostrade Bechetl&Enka,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të dashur shqiptarë kudo që jeni, në Kosovë dhe kudo që jeni edhe në diasporë,

Secili nga ne, sot, për një çast, duhet të mendojë se ku ishte Kosova vetëm 11 vite më herët. E pushtuar, duke përjetuar një gjenocid të paparë, me një masë të madhe të njerëzve në depërtim, Kosova ishte fushëbetejë për liri. E fituam atë fushëbetejë, e fituam atë betejë të paparë, e fituam lirinë dhe pikërisht, liria që fituam solli përshpejtimin e shumë projekteve në rajon. Pa lirinë e Kosovës nuk do të ndodhte as ky projekt.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot, kur nisim rrugën e kombit, më lejoni të përkujtojmë me respekt ëndrrën dhe sakrificën e stërgjyshërve dhe baballarëve tanë me kufij të ndarë dhe t’u themi me zë të lartë dhe shtetëror: po, sot, në këtë ditë, po e nisim rrugën tonë, rrugën e munguar, rrugën e kombit, rrugën e ëndrrave tuaja dhe ëndrrave tona, rrugën e afrimit dhe komunikimit, rrugën e zhvillimit ekonomik dhe emancipimit shumëdimensional të shoqërisë kosovare. Sot, po e fillojmë rrugën që, nga Kosova në Shqipëri, Prizreni në Kukës, kishte një distancë një shekullore. Një shekull vuajtje, një shekull përpjekje, një shekull pritje. Ky është çmimi i kësaj autostrade që po fillojmë sot.

Zonja dhe zotërinj,

Sot është një ditë e madhe dhe e shënuar për të gjithë ne. Sot, Kosova dhe të gjithë shqiptarët kuro që jetojnë kanë festë. Po hapim kapitullin e historisë së re të Kosovës, epokën e fuqizimit të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Sot, historia dhe e ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve të saj bëhen një. Sot, qeveria që udhëheq unë po fillon projektin më të madh dhe të rëndësishëm, pas pavarësisë së Kosovës, projektin më të madh në historinë e saj. Sot, po fillojmë rrugën që na bashkon emocionalisht dhe fizikisht me njëri-tjetrin në Europë. Sot, po fillojmë rrugën e munguar për Kosovën dhe rajonin. Sot, ëndrrën po e bëjmë realitet, dëshirën dhe vullnetin e qytetarëve dhe vizionin e qeverisë së Kosovës po e jetësojmë.

Zonja dhe zotërinj,

Sakrificën dhe vlerat e lirisë, sot po i fisnikërojmë. Këtë rrugë ua dedikojmë heronjve të rënë e të gjallë. Kjo rrugë do t’u shërojë plagët e lirisë invalidëve të luftës, do të bëjë edhe më krenarë e më të fortë të gjithë familjet e dëshmorëve, ua dedikojmë mësuesve tanë që na mësuan ta duam dhe ndërtojmë atdheun tonë, ua dedikojmë mjekëve që na shëruan plagët, ua dedikojmë pensionistëve që me djersën e tyre ndërtuan Kosovën, ua dedikojmë komunitetit të biznesit për mundësitë e reja që po u krijohen. Kjo rrugë është vullneti i qytetarëve. Prandaj edhe u dedikohet të gjithëve. Dhe, mbi të gjitha, këtë projekt madhor ua dedikojmë fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë. Të ardhmes tonë, sot fillojmë t’i lëmë trashëgimi rrugën që do t’i lidhë me Europën, rrugën që tani e tutje nuk do ta bëjmë në kërkim të lirisë, por në shërbim të së ardhmes së sigurt të tyre, në shërbim të zhvillimit ekonomik, në shërbim të integrimit.

Të nderuar dhe të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuar shqiptarë, kudo që jeni,

Përveç dëshirave, ëndrrave për integrim kombëtar dhe europian, kjo rrugë do të bartë ide, mallra, rritje ekonomike për Kosovën. Kjo rrugë do t’i japë shtytje zhvillimeve të shumanshme në shtetin tonë të ri.

Të nderuar dhe të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ju, më meritorët të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ju, të gjithë qytetarët e Kosovës, jeni sot ideatorë, arkitektë dhe ndërtues të kësaj autostrade. Ju falënderoj të gjithëve për besimin dhe mbështetjen.

Ky projekt po fillon këtu, në Vërmicë e do të vazhdojë përgjatë Prizrenit, Prishtinë, deri në Merdare. Për këtë rrugë nuk do të kursejmë asgjë dhe me çdo çmim do ta realizojmë. Si Kryeministër i shtetit më të ri në botë, sot ndjehem krenar dhe i privilegjuar që po fillojmë këtë kryevepër në Republikën e Kosovës.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

të dashur shqiptarë,

Nga sot, nuk ka bjeshkë që do të na ndajë, por vetëm rrugë, të cilat do të na bashkojnë. Sot, çdo qytetar dhe familje kosovare ka më shumë shpresë, optimizëm, besim dhe siguri për të ardhmen e shtetit tonë dhe familjeve tona. Sot, secili nga ne, ndihet krenar me Kosovën.

Ju dëshiroj punë të mbarë të gjithëve që do të jeni të përfshirë në këtë projekt madhor. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë njerëzve që do të lëvizin në këtë rrugë, rrugë të mbarë e të sigurt. Urime dhe suksese. Urime nga zemra gjithë qytetarëve dhe familjeve kosovare dhe shqiptare dhe të gjithë kontribuuesve në fillimin e ndërtimit të autostradës së ëndrrave të qytetarëve.

Edhe një herë faleminderit dhe urime.”


25/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›