E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Procesi i dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë të regjimit komunist nuk do ndërpritet deri në shlyerjen e të gjitha detyrimeve të shoqërisë ndaj tyre

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa vendime për dëmshpërblimin e ish të dënuarve e përndjekurve politikë të regjimit komunist. Kryeministri Berisha tha se me to fillon disbursimi i këstit të dytë të dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë të regjimit komunist. Kryeministri garantoi se ky proces nuk do të ndërpritet deri në shlyerjen e të gjitha detyrimeve të shoqërisë shqiptare ndaj tyre.  

Duke komentuar reagimin e opozitës lidhur me këtë çështje, Kryeministri u shpreh:

“Në listë janë shtuar me të drejtë disa kategori të tjera. Protesta e Partisë Socialiste se me këto ndryshime përfitojnë bashkëpunëtorët e okupacionit është e pabazë. Lufta çlirimtare është trashëgimi e popullit shqiptar. Përpjekja për ta pronësuar atë është qesharake, veçanërisht nga ata, të cilët vazhduan të jenë vazhdimësi juridike e Partisë së Punës të Shqipërisë - kështu është sepse u duheshin pronat - dhe nuk kanë kërkuar një herë të falur, qoftë një herë, për të gjithë ato që kanë ndodhur në 45 vite. Imagjinoni se si shqiptarët fitimtarë u kthyen në të humbur nga diktatura e një individi, i cili është quajtur Hitleri i pasluftës. Ndaj asnjë ligj nuk ka shkuar në këtë drejtim e nuk do të shkojë. Ata që e përdorin këtë çështje, se mendojnë se do të kenë përfitime politike, bëhen qesharake e të pabesueshëm. Shqiptarët e dinë se të vetmet dëmshpërblime që bënë, ia bënë nomenklaturës.”


21/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›