Kryeministri Berisha zhvillon një takim me Kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, zotin László Kövér

Kryeministri Berisha , i cili ndodhet në Hungari për një vizitë zyrtare treditore u prit sot në një takim nga Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, zoti László Kövér.
Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari i Parlamentit Kövér shprehu kënaqësinë e veçantë që takohej me kryeministrin Berisha, në këtë vizitë. Gjatë këtij takimi, Kryetari i Parlamentit Kover i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE.
Duke u ndalur në marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, Kryetari Kövér u shpreh se ndihej i lumtur që parlamenti hungarez po jep kontributin e tij, në këtë drejtim për konsolidimin dhe zgjerimin e mëtejshëm te këtyre marrëdhënieve.
Me tej, Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, zoti László Kövér vlerësoi bashkëpunimin midis të dy parlamenteve, i cili gjatë kësaj periudhe është intensifikuar ndjeshëm, duke u ndalur ne projektin e bashkëpunimit ndërparlamentar.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha falënderoi Kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, zoti László Kövér, si dhe parlamentarët e pranishëm për pritjen e rezervuar.
Kryeministri vlerësoi lart kontributin që parlamentet e të dy vendeve japin në marrëdhëniet midis të dy vendeve, duke e cilësuar rolin e tyre si të pazëvendësueshëm.
Ndër të tjera, ne takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe tradita e gjatë e miqësisë dhe mbështetjes së ndërsjellë, si dhe vullneti i të dy vendeve për ti intensifikuar ato, në veçanti bashkëpunimin ekonomik dhe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për qytetarët e të dy vendeve, siç janë psh, nxitja e investimeve hungareze në Shqipëri.
Ne vijim të takimit, kryeministri Berisha u bëri një ekspoze anëtareve të parlamentit për sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare në fushën ekonomike, arritjet në fushën e reformave fiskale, reduktimit te shpenzimeve burokratike, të ndërtimit te infrastrukturave te rëndësishme, krijimit të klimës më të favorshme për biznes e investime, në fushën e energjisë, turizmit, arsimit, sistemit shëndetësor, ICT etj,
Kryeministri Berisha ritheksoi vullnetin a palëkundur të qeverisë për të ecur përpara me projektin madhor kombëtar të shqiptareve, integrimit në BE. “Në këtë kontekst, si dhe pasi pikëpamja e liderit të opozitës për të bllokuar u provua e gabuar nga vota e shqiptarëve, u shpreh kryeministri Berisha, qeveria shqiptare është e angazhuar në plotësimin e të gjithë standardeve për të ecur përpara me shpejtësi me hapat e mëtejshëm të këtij procesi, të cilin e konsiderojmë si një proces tërësisht të bazuar në meritë.”
Kryetari i Parlamentit Kövér, duke u ndalur ne situatën politike në Shqipëri theksoi se shpresonte që opozita në Shqipëri te mos i rikthehet më rrugës së gabuar të bojkotit por të kontribuojë përmes pjesëmarrjes në institucionet demokratike, në proceset e rëndësishme në të cilat po ecën Shqipëria si ai i integrimit ne BE. Zoti Kövér shprehu vlerësimin dhe përgëzimet e veçanta për faktin qe Shqipëria është ndër vendet e pakta evropiane që nuk përjetoi krizë në kuadër të krizës globale ekonomiko financiare.
20/03/2012