Kryeministri Berisha: Projekti i Kaskadës së Devollit, një gur i madh themeli në strategjinë time “Shqipëria superfuqi energjetike në rajon”
Guvernatori i landit të Austrisë së poshtme z. Erwin Pröl vlerësoi se “puna e qeverisë tuaj është dëshmia më e mirë për suksesin e Republikës së Shqipërisë”
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për projektin në kaskadën e lumit Devoll. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Genc Ruli, ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, Guvernatori i landit të Austrisë së poshtme z. Erwin Pröll, etj.
Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha e cilësoi këtë ngjarje si një ndër ngjarjet më madhore, në historinë e këtij vendi, e cila përveçse një përfitimi të konsiderueshëm në fushën energjetike, do të bëjë të mundur punësimin e mijëra qytetarëve, nga të cilët 5 mijë punëtorë direkt në frontin e punës dhe rreth 3000 të tjerë ndihmës.
Duke vlerësuar projektin e realizuar nga dy prej kompanive më prestigjioze në fushën e hidroenergjisë, si një kryevepër të ndërtimit, në llojin e vet, Kryeministri siguroi se investime të përmasave të tilla do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë vendore dhe asaj qendrore. Ky hidrocentral, u shpreh kryeministri Berisha, është një gur i madh themeli në strategjinë time; Shqipëria superfuqi energjetike në rajon.
Nga ana e tij, Guvernatori i landit të Austrisë së poshtme z. Erwin Pröll u shpreh se kjo ditë shënon në bashkëpunimin me Kryeministrin e Shqipërisë z. Berisha një hap të ri dhe një faqe të re në historinë energjetike të Shqipërisë. Ai vlerësoi se “puna e qeverisë tuaj është dëshmia më e mirë për suksesin e Republikës së Shqipërisë”.
Zbatimi i këtij projekti, i cili është një ndër investimet më të mëdha në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhatë në Evropë në fushën e hidroenergjisë, do të mundësojë optimizimin e plotë të kaskadës së lumit Devoll përmes tre hidrocentraleve të planifikuara, me një kapacitet të instaluar në rajon prej 320 megavat. Projekti me vlerë rreth 1 miliard euro do të mundësojë prodhimin afërsisht të 1000 Gwh energji të rinovueshme, cila do të rrisë prodhimin aktual të energjisë elektrike në Shqipëri me rreth 20 %. Ky projekt është realizuar si fryt i bashkëpunimit ndërmjet kompanisë norvegjeze “Statkraft AS” dhe kompanisë austriake “EVN AG”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Kjo është një nga ngjarjet më madhore në historinë e këtij vendi. Dhe për një komb sado i zhvilluar të jetë ai, investimi prej 1 miliard eurosh është shumë i rëndësishëm. Dhe kjo përbën një ditë të shënuar. Për ne shqiptarët investimet e mëdha përbëjnë metrin më të saktë për të matur madhështinë e këtij vendi dhe historisë tonë.
Ndaj dhe jam i bindur se po përjetojmë një nga ditët e bardha, një nga ditët më të mëdha të historisë së këtij vendi. Këto muaj ne së bashku kemi inauguruar fillimin e punim punimesh të veprave që katër vite më parë nuk mund të imagjinoheshin. Inauguruam fillimin e punimeve të parkut energjetik në Lezhë, një investim prej 1.2 miliard euro, inauguruam fillimin e punimeve për hidrocentralin e Ashtës, investim prej 160 milion euro. Dhe sot në një hark kohor tre javor ne inaugurojmë gjigandin e Shqipërisë, Ballkanit dhe Evropës, projektin më të madh energjetik aktual në kontinentin tonë. Një mik i shquar i kombit shqiptar dhe një ndër austriakët më të njohur në tregjet financiare dhe bankare botërore Dr. Herbert Stepic do të deklaronte në 5 vjetorin e Raiffeisen Bank se ky vend po përjeton një quantum leap, po përjeton një transformim të paimagjinueshëm Dhe kjo është e vërtetë. Shqipëria, vendi që 18 vite më parë renditej e treta në botë si vendi më i varfër, më e varfra në planet, ndërsa në vitin 2008-2009 kryeson rritjen ekonomike në Evropë. Shqipëria, e cila 18 vite më parë i kishte të ndaluara me Kushtetutë investimet e huaja, vetëm në harkun kohor të gjashtë muajve të fundit ka firmosur kontrata koncesionare rreth 5,6 miliard euro. Por sot është dita e parë e një projekti dhe unë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj kompanisë EVN dhe kompanisë “STATKRAFT AS”, konsorciumit të tyre për vlerësimin e madh që ata kanë vendosur tek Shqipëria dhe shqiptarët, tek banorët e Gramshit dhe banorët e këtij rrethi. I siguroj, sepse tek këta qeveritarë vendorë, tek qeveria qendrore, tek banorët e kësaj zone do të gjejnë mbështetje të plotë dhe totale. Besimi i madh që ata kanë treguar me projektet e tyre tregon që dhe Shqipëria do të shndërrohet në një mbështetje të fuqishme në suksesin e këtij projekti, më i madhi aktual në Evropë.
Zonja dhe zotërinj,
Kaskada e Devollit që do të ndërtohet në një tunelin rreth 62 km do të punësojë direkt 5 mijë qytetarë shqiptarë dhe indirekt do të punësojë edhe 3 mijë të tjerë. Vetëm rrogat e tyre të marra së bashku janë rreth 180 milion euro. Ky projekt është një gur i madh themeli në strategjinë time; Shqipëria superfuqi energjetike në rajon. Dante Aligeri do të shkruante dikur se nuk ka gjë më të rëndë të kujtosh kohërat e mira në kohë të vështira. Unë do të thosha se nuk ka gjë më të mirë se të kujtosh kohëra të mira je në vështirësi dhe t’i ndërtosh ato. Dy vite më parë, kur unë me mikun tim z. Erwin Pröll kur firmosëm memorandumin e mirëkuptimit ne ishim në vuajtje të mëdha, me mungesë të madhe energjetike. Sot me parime të reja të vendosura, nuk ka dhe nuk do të ketë ndërprerje energjie për qytetarët shqiptarë. Sot ne hedhim themelet e shndërrimit të këtij vendi në një superfuqi energjetike. 170 hidrocentrale të reja janë firmosur kontratat dhe nisin ndërtimin, si dhe 120 të tjera presin të dalin edhe ata në treg. “EVN” dhe “Statkraft” janë të mirëpritua të vazhdojnë interesin e tyre, sepse pas kaskadës së Devollit është kaskada e Vjosës, kaskada e Osumit, kaskada e Shkumbinit, është Skavica dhe dhjetëra e qindra hidrocentrale të tjera. Këto investime e bënë Shqipërinë, para së gjithash dhe mbi të gjithash, se qeveria ime ka krijuar në këtë vend klimën dhe kushtet më miqësore për investitorët e huaj. Taksa e sheshtë prej 10 për qind dhe lehtësira të tjera tarifore, zhdukja e barrierave burokratike, ka bërë Shqipërinë të renditet e para në rajon për investimet e huaja. Ambicia imë është shumë e madhe. Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për rritjen ekonomike, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për investimet e huaja, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë quantum leap i Evropës në zhvillimin e saj.
Edhe një herë ju përshëndes shumë përzemërsisht. U shpreh mirënjohjen e thellë kompanive të mëdha, presidentëve të tyre këtu, ekipeve të tyre për punën e jashtëzakonshme që bëhet, për besimin e madh që dëshmuan. Falënderim dhe mirënjohje të madhe dua t’i shpreh ministrisë së Ekonomisë dhe ministrit Genc Ruli, administratës së tij për punën e shkëlqyer që ka bërë në konkretizimin e procesit të këtij projekti. Dua të falënderoj qytetarët Devollit, të Gramshit dhe të komunave, për frymën e lartë të bashkëpunimit që kanë dëshmuar. Dua t’ju falënderoj ju të gjithëve për praninë sot këtu, që keni ardhur për të festuar inaugurimin e veprës më të madhe energjetike hidrike në Evropa.
Gëzuar!”
08/06/2009