E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Katër vitet që vijnë, Shqipëria dhe Lezha do të jenë lider në tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkan

Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Lezhës.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Kryeministri u shpreh:

“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes vëllazërisht dhe të përulem me nderim të thellë para jush, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë Partisë Demokratike dhe qeveris së saj. Unë vij sot krenar tek ju, sepse që nga dita që mbylli sytë burri më i shquar i kombit tonë, Skënderbeu, ne i rikthyem në këto katër vite Shqipërisë dhe Lezhës ëndrrën e tij evropiane. Lezha dhe Shqipëria janë sot anëtare të Aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur, anëtare të NATO-s. Ne takohemi sot së bashku pasi me reforma të thella, me djersë dhe mund, me sakrificë, me dinjitet i’a dolëm të nxjerrim Shqipërinë, në kohën e krizës më të thellë ekonomike, në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Ne takohemi sot krenar dhe shohim me gëzim të madh njëri-tjetrin drejt e në sy, sepse ne së bashku këto katër vite i’a dolëm ta bëjmë Shqipërinë të përshtatshme për të aplikuar për vend anëtar të Bashkimit Evropian.

Këto katër vite me mund, me djersë dhe me përpjeke mëdha i’a dolëm të mbajmë premtimet tona. Ju na besuat, ne mbajtëm premtimet tona. Ne dyfishuam pagat dhe pensionet dhe sot mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi që lë mbrapa, për rrogat dhe pensionet, qytetarët e dy vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne ju premtuan juve se me gërshërën e ligjit do të presim dorën e zezë të korrupsionit. Ne i’a dolëm së bashku që në këto katër vite të nxjerrim nga kthetrat e tij të zeza 4.2 miliardë dollarë dhe të penalizojmë, t’u tregojmë vendin, dhjetëra e dhjetëra zyrtarëve që shtrinin duart në kontot dhe në xhepat tuaj. Katër vitet e shkuara, në përputhje me programin që ju besuat, ne e shndërruam Shqipërinë në një kantier të vërtetë ndërtimi. Në mbarë Shqipërinë ne asfaltuam 5900 km rrugë, ndër të cilat edhe korridori i kombit, rruga Lezhë - Durrës - Vlorë - Morinë - Prishtinë.

Në katër vite Lezha dhe ju të dashur qytetarë të saj, të këtij qytetit dhe të komunave të tij, keni marrë investime për rrugë, për shkolla, për kanalizime dhe ujësjellës 12 herë më shumë se sa katër vite më parë. Jam këtu për t’u zotuar para jush se do të merrni edhe 24 herë më shumë, deri sa në katër vite çdo rrugë dhe rrugicë e juaja të asfaltohet, derisa çdo shtëpi e këtij rrethi dhe e mbarë Shqipërisë të ketë ujë 24 orë, deri sa çdo shkollë e këtij rrethi të jetë e re apo e rindërtuar. Ne do ta bëjmë Lezhën evropiane, do ta bëjmë Shqipërinë evropiane. Kjo do të thotë se ju, lezhjanët dhe mbarë qytetarët shqiptarët, do të gëzoni të drejtat, do të gëzoni të ardhurat, do të gëzoni shkollimin, do të gëzoni shërbimin shëndetësor, do të gëzoni infrastrukturën dhe punësimin njëlloj si qytetarët e disa vendeve anëtar të Bashkimit Evropian.

Këtë rrugë të ndryshimeve të mëdha, këtë turravrap të ndryshimit tonë, ne e kemi garë dhe garë jo të lehtë. Unë zotohem para jush se në katër vitet që vijnë ne do të parakalojmë gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe në fund të këtij mandati të jemi të gatshëm për verdiktin përfundimtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vëllezër dhe motra,

Qytetarët e Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë do të jenë qytetarë evropianë atëherë kur ata të gëzojnë punën, të punojnë dhe të mbrothësojnë veten dhe familjen e tyre, shtetin dhe vendin e tyre. Në këto katër vite ne së bashku bëmë që Shqipëria të renditet e dyta në botë për suksesin e reformave dhe Lezha të renditet në krye të Shqipërisë për thithjen e investimeve të huaja. Vetëm në Lezhë, vetëm në rrethin tuaj, gjatë muajve të fundit janë thithur rreth 2.5 miliardë euro investime dhe 1 miliardë euro investime të tjera janë në përgatitje e sipër. Lezha dhe Shqipëria do të jenë lider në tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkan, do të jenë njëshi në Evropë për rritjen ekonomike, do të jenë njëshi në Evropë për thithjen e investimeve të huaja.

Qytetare dhe qytetarë të Lezhës,

Ne ecim drejt katërvjeçarit të ardhshëm me vendimin e madh se bashkërisht do të ndërtojmë Lezhën evropiane dhe Shqipërinë evropiane. Them bashkërisht, sepse ne nuk duam të përjashtuar pasi projekti evropian, projekti i Lezhës evropiane, projekti i Shqipërisë evropiane është ëndrra më e bukur e të gjithë Shqiptarëve. Atë e meritojnë të gjithë shqiptarët. Ndaj, i ftoj të gjithë të bashkohen me ne dhe të vazhdojmë ndryshimin. Ne, në katër vitet që vijnë në fshatin shqiptar do ta shndërrojmë në fshat evropian.

Zotohem sot në këtë shesh se në të gjitha fshatrat e këtij rrethi dhe në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, ne do të çdo të asfaltojmë rrugë, do të furnizojmë çdo shtëpi me ujë të pijshëm 24 orë, do t’u krijojmë shërbime njësoj si në qytet. Fshati shqiptar do të llamburit si lagje e një qyteti të këtij vendi. Pensionet dhe pagat do të njohin rritjen më të madhe të në historinë e këtij vendi. I premtoj fermerëve të fshatit se pensionet e tyre do të barazohen me pensionet e qytetit.

Qytetare dhe qytetarë të Lezhës,

28 qershori po vjen dhe në këto zgjedhje ne kemi një shans historik. Shansi ynë është sepse për herë të parë ne mund të votojmë si anglezët, gjermanët dhe francezët, me dëshmitë më të mira të identitetit tonë. Ndaj, dua t’ju bëj thirrje që t’i merrni letërnjoftimet e reja, sepse janë fytyra juaj e re moderne dhe na barazojnë ne me të gjithë qytetarët e vendeve më të zhvilluara evropiane. Ato i bëjnë zgjedhjet tona të shkëlqyera, të lira dhe të ndershme. Ndaj dhe unë ju ftoj që javën që vjen të mos mbetet qytetar demokrat, socialist, republikan, qytetar i çdo bindje politike pa marrë letërnjoftimin.

Ftoj qeveritarët vendorë dhe kandidatët për deputet të të gjitha partive që të bëjnë përpjekjet më të mëdha, në mënyrë që çdo qytetar i këtij vendi të marrë letërnjoftimet. Ftoj kryetarin e bashkisë së Tiranës që të shfrytëzoj shansin që po i jap. I mbeten edhe tre ditë dhe në rast se do, do t’ia ndryshoj ligjin që të dalë në krye të betejës, ashtu siç kërkon rregulli demokratik, ashtu siç kërkon tradita demokratike.

Zoti Rama, unë dhe ti nuk mund t’i kërkojmë kurrkujt kurrë votën në qoftë se nuk e vëmë veten tonë në provë për këtë votë. Prandaj dhe dil, mos ki frikë, sepse qytetarët do të të japin ty dhe mua atë që meritojmë. Ne duhet të jemi të përgatitur për verdiktin e tyre. Mos u fshih pas karriges së bashkisë.

Duke përfunduar ju garantoj se programi i Lezhës evropiane, programi i Shqipërisë evropiane do të shndërrohet në mirësi për secilin prej jush, do të shndërrohet në rritje të pagave dhe pensioneve, do të shndërrohet me hapjen e 160 mijë vendeve të reja pune, do të shndërrohet në ujë 24 orë për familjet shqiptare kudo që janë. Dua të garantoj të gjithë banorët e Kodër Marlekajt se ujësjellësi i përfunduar do të inaugurohet shumë, shumë shpejt. Nuk kemi as edhe një ditë kohë për të humbur. Ne notojmë në ujë dhe qytetarët tanë nuk mund të kenë etje për ujë. Ndaj edhe projekti ynë i dytë, pas energjisë, është ujë 24 orë.

Edhe një herë ju përshëndes. Le të kthejmë së bashku lavdinë tonë elektorale të 22 Marsit, fitoren e madhe të ëndrrave tona.

Rroftë Lezha, rroftë Shqipëria!”


07/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›