E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të ndërtojmë akset e shkurtra kombëtare që shqiptarët të lëvizin në rrjetin rrugor më të ri, më modern e më kohëshkurtër në rajon dhe Europë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite një takim me banorë të Fushë Krujës.

Në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve ët Fushë Krujës, Kryeministri u shpreh:

“Qytetare dhe qytetarë të Fushë Krujës,

Vëllezër e motra,

Zonja dhe zotërinj,

ju përshëndes vëllazërisht. Së bashku me ju mblidhemi në këtë qytet si qytetarë të NATO-s, mblidhemi në këtë qytet që u  bë i njohur në Shqipëri dhe në mbarë botën për mikpritjen e zjarrtë e vëllazërore që i rezervuan Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vizitën e tij të parë historike në Shqipëri. Dashuria, respekti dhe mikpritja e shqiptarëve shkëlqyen më mirë dhe më shumë se kurrë në sheshet dhe zemrat e qytetarëve të Fushës Krujës.

Ne mblidhemi sot në këtë qytet, pasi kemi investuar gjatë këtyre katër viteve në rrugët e qytetit dhe të komunave të bashkisë Fushë Krujë, kemi asfaltuar mbi 20 kilometra rrugë, kemi ndërtuar ujësjellës për 5-6 fshatrat e saj, kemi investuar në shkolla, në qendra shëndetësore. Faktikisht, Fushë Kruja sot ka një infrastrukturë tjetër.

Unë kam ardhur këtu për t’u zotuar para jush se do të financojmë çdo projekt të kryetarit tuaj të bashkisë për të modernizuar këtë qytet, për të ndryshuar për mirë jetën tuaj dhe të të gjithë qytetarëve të bashkisë së Fushë Krujës.

Ne mblidhemi sot, pasi ndryshuam dhe lartësuam më shumë se kurrë në histori emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi anëtarësuam Shqipërinë në NATO, pasi e shndërruam atë në një vend që aplikon për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, pasi erdhëm në prag të lëvizjes së lirë në mbarë Europën.

Ne mblidhemi sot, pasi kemi shndërruar Shqipërinë në vendin e suksesit të madh të reformave. Shqipëria u rreshtua e dyta në botë për reformat e biznesit, u rreshtua në 10-shen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit. Prej dy vitesh, Shqipëria kryeson rritjen ekonomike në kontinent, në kohën e krizës më të thellë ekonomike dhe financiare. Katër vitet që vijnë, janë vitet vendimtare të Fushë Krujës europiane, të Shqipërisë europiane.

Katër vite më parë në këtë shesh, ju kam premtuar se qeveria do ta shndërrojë Fushë Krujën në një lagje të kryeqytetit të vendit. Sot, Fushë Kruja, jo vetëm qyteti, por edhe fshatrat e tij, i kanë të gjitha rrugët e asfaltuara. Sot, Fushë Kruja dhe 5-6 fshatrat e tij ka furnizim me ujë 24 orë. Sot, Fushë Krujë ka shkolla moderne, të pajisura me internet. Katër vitet që vijnë, do të jenë vitet e Fushë Krujës plotësisht europiane, vite, kur qytetarët e saj do të paguhen jo vetëm më mirë se dy vende anëtare të BE-së, siç paguhen sot, por do të paguhen në paga dhe pensione më mirë,  sesa qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të BE-së.

Vitet që vijnë do të jenë vitet e mbështetjes së fuqishme të fermerëve shqiptarë. Unë i garantoj fermerët e Fushë Krujës dhe të mbarë Shqipërisë se qeveria ime do të subvencionojë të gjitha inputet për sipërfaqen e mbjellë, do të financojë çdo projekt të tyre për rritjen e prodhimit, do të shumëfishojë grantin për projektet që ata do të paraqesin, do të barazojë pensionin e tyre me atë të qytetit, do të finalizojë të gjithë sistemin e ujësjellësve dhe kanalizimeve.

Në katër vite, Shqipëria në punë, qytetarët shqiptarë në punë do të jetë motoja jonë. Ndaj dhe unë sot, dua t’ju garantoj juve se, ne që nxorëm nga varfëria 400 mijë shqiptarë, në katër vitet që vijnë nuk do të ketë qytetar në këtë vend, pavarësisht nga statusi i tij, që të mos marrë mbi dy dollarë në ditë për të dalë jashtë kufirit të varfërisë. Ne që punësuam gjatë katër viteve mbi 80 mijë qytetarë shqiptarë, katër vitet që vijnë do të punësojmë së paku 160 mijë shqiptarë.

Ne që asfaltuam në katër vite rreth gjashtë mijë kilometra rrugë, gjatë katër vitet që vijnë do të asfaltojmë të gjitha rrugët e Fushë Krujës dhe Shqipërisë, do të ndërtojmë akset e shkurtra kombëtare që mbarë shqiptarët të lëvizin në rrjetin rrugor më të ri dhe më modern, më kohëshkurtër në rajon dhe në Europë.

Qytetare e qytetarë të Fushë Krujës,

Kam për ju dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë një thirrje vëllazërore. Pavarësisht nga bindjet tuaja politike, ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë suaj qytetare, merrni letërnjoftimet elektronike. Letërnjoftimi elektronik është dëshmia më moderne e identitetit tuaj në Europë.  Me letërnjoftimin elektronik ju e barazoni veten me qytetarin e vendit më të zhvilluar në Europë. Merreni letërnjoftimin edhe si dëshmi e një vullneti të hekurt për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Çdo njëri prej nesh ka një shans të madh të japë një kontribut për Shqipërinë europiane, letërnjoftimin. Shqipëria europiane fillon nga letërnjoftimet e elektronike dhe pasaportat biometrike. Ndaj ftoj ata që nuk i kanë marrë ende, t’i marrin. Ftoj të gjithë këshilltarët, kryetarët e komunave e të bashkive të Shqipërisë, pavarësisht nga përkatësia partiake, të bëjnë çdo përpjekje që qytetarët e bashkive dhe komunave të tyre të pajisen brenda javës me letërnjoftimet elektronike. Ftoj militantët e të gjitha partive politike të ndihmojnë mbështetësit dhe simpatizantët e tyre për të marrë letërnjoftimet elektronike. Shqipëria elektronike është e ardhmja jonë.

Qytetare e qytetarë të Fushë Krujës,

këtu në Fushë Krujë u bë historia. Këtu erdhi për t’u takuar me ju Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por një njeri, i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe moral njerëzor dhe kombëtar, tentoi t’ju përdhosë juve mikpritjen, moralin tuaj, detyroi Presidentin e SHBA-ve, rast unik  në histori, të nxjerrë orën, të cilën i paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur.

Vëllezër e motra, fushëkrujas, krutane e krutanë, asnjë votë atij që shkelmoi mbi mikpritjen tuaj. Ju ftoj të gjithëve, demokratë, socialistë, republikanë, të çfarëdo bindjeje politike, mos pranoni t’i jepni votën atij, ndëshkojeni me votën tuaj të lirë, sepse guxoi t’ju gjuaj juve fshehtas, guxoi që nga errësira, nga fakultetet më të errëta njerëzore të njeriut, të shpifë në mënyrë monstruoze për mikpritjen e jashtëzakonshme, që ju i rezervuat Presidentit George W. Bush.

Ndaj të ecim së bashku drejt 28 qershorit. Të vazhdojmë rrugën së bashku. Rruga jonë nuk ka kthim. Të vazhdojmë ndryshimin. Katër vitet që vijnë, ne së bashku do ta ngremë Shqipërinë në një horizont që syri ynë akoma nuk e kap. Së bashku me Shqipërinë, do të ngremë veten tonë, do të ngremë fëmijët tanë, do të ndërtojmë për ta e për vetë Shqipërinë europiane, shtëpinë e ëndrrave të tyre, shtëpinë më të bukur të shqiptarëve.

Rroftë populli i Fushë Krujës!

Rroftë Shqipëria!”


07/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›