Kryeministri Berisha: Ne do të bëjmë që Shqipëria në katër vitet e ardhsme të marrë të gjitha tiparet e një vendi të zhvilluar evropian

Kryeministri Berisha u takua sot pasdite me qytetarë të Patosit, në fjalën e tij në takimin me ta, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju shpreh nderin, krenarinë time që sot mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtarë të NATO-s dhe mblidhemi pasi ne kemi realizuar sëbashku një nga projektet më të mëdha, më fisnike të Shqipërisë dhe shqiptarëve: anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ëndrrën më të fuqishme të kohërave.
Shqipëria kurrë nuk ka qenë më e sigurtë, nuk ka qenë me kaq shumë miq sa është sot, dhe kjo është vepër e juaja. Është vepër e punës, mundit, përkushtimit tuaj. Përkushtimit tonë në ndërtimin e demokracisë dhe vlerave të saj në Shqipëri. Sot ne takohemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi tjetër, të një vendi që ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian. Të një vendi që brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të ketë lëvizjen e plotë të lirë të qytetarëve të tij në Europë. Qytetarët e tij do të lëvizin në mbarë Evropën pa viza, njësoj si gjithë qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Dua të shpreh kënaqësinë që ne takohemi sot, ndonëse jo me pak probleme, por sërish edhe pse jemi në këtë kohë krize financiare botërore, ne jemi në krye të rritjes ekonomike për dy vite me radhë në Europë dhe ky është mundi ynë,është djersa jonë, është puna jonë.
Unë shpreh kënaqësinë sot, që mblidhemi në këtë qytet, pasi kemi shndërruar Shqipërinë në një kantier të madh , nga Konispoli në Vermosh, nga Kukësi në Korçë. Pra, në të katër anët infrastruktura e këtij vendi është në ndërtim. Ne ndërtuam sëbashku 5900 kilometra rrugë, ndërtuam 720 ujësjellësa, ndërtuam dhe rindërtuam 1200 shkolla të reja për fëmijët tanë, shtrimë internetin në të gjitha shkollat. Por mbi të gjitha ne takohemi sot në këtë shesh të gjithë sëbashku, pasi pensionistët shqiptarë, punonjësit e Shqipërisë paguhen 30% më shumë sesa pensionistët dhe punonjësit e 2 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat kanë qenë shumë e shumë herë më të zhvilluara se Shqipëria.
Qytetarë të Patosit,
Unë vij sot tek ju, për projektin tonë të ri, për projektin tonë të përbashkët, për ëndrrën tonë fisnike, për Patosin Europian, për një Shqipëri Europiane. Patosi Europian, Shqipëria Europiane do të jenë vepra jonë e ardhshme, do të jetë ëndrra jonë e shndërruar në realitet, do të jetë horizonti që do të kapim katër vitet që vijnë. Sërish me punën tonë, me reformat tona, me përkushtimin tonë.
Qytetarë shqiptarë të Patosit europian dhe të Shqipërisë europiane do të thotë para së gjithash, që të gjithë sëbashku të lëvizim të lirë në mbarë Europën. Së dyti, të lëvizni në rrugët tuaja, me rrugët më moderne, më të shkurtra, më të mira. Unë jam këtu për t’u betuar para jush, se në katër vitet që do vijnë ne do të ndërtojmë akset rrugore më të shkurtra të këtij vendi. Do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij qyteti, çdo rrugë të këtij vendi. Koha juaj është gjëja më e rëndësishme që ka Shqipëria, qeveria ime bashkë me ju do të bëjë që ju të ecni me shpejtësi dhe ta keni vendin tuaj në pëllëmbë të dorës.
Qytetarë europiane do të thotë para së gjithash qytetarë të punës, ndaj dhe punësimi është dhe do të mbetet përparësia ime absolute për katër vitet që do të vijnë. Në këto katër vite që shkuan ne e shndërruam Shqipërinë në vendin e dytë në botë për suksesin e reformave. Ne kemi firmosur mbi 5.6 miliardë Euro investime për marrëveshje konçensionare, në të cilat do të punësohen me dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë. Por në katër vitet që do vijnë, në rast se ne deri më sot punësuam 80 mijë qytetarë, në katër vitet që vijnë ne do të punësojmë së paku 160 mijë shqiptarë. Janë në ndërtim e sipër dhe do të fillojë së shpejti ndërtimi i rreth 104 hidrocentraleve, do të fillojë puna në 6 parqe industriale, në dhjetëra resorte turistike, në të katër anët e vendit, në rrugë, në ujësjellësa, në kanalizime.
Shqipëria do të krijojë në çdo qosh vende pune, unë ju jap fjalën, se gjenerator kryesor i punësimit do të jetë biznesi. Se qeveria ime, që e bëri Patosin dhe Shqipërinë vendin me taksa më të ulëta në Europë, vendin me koston e prodhimit më të ulët në Europë, do ta bëj atë të parin në Europë për investimet e huaja, të parin në Europë për biznesin. Shqipëria e katër viteve që do të vijnë, do të jetë Shqipëria e një horizonti, që sytë tanë nuk e kapin dot.
Qytetarë të Patosit,
Rritja e rrogave dhe pensioneve është një nga përparësitë e mia absolute, unë ju jap fjalën se për sa kohë do të jem në pushtet ju do të keni rritje më të madhe rrogash se çdo vend tjetër në rritje në Europë. Unë nuk premtoj dot rrogat e Britanisë, Francës apo Gjermanisë, por unë ju premtoj se sëbashku në katër vite, do të lëmë pas përsa i përket rrogave dhe pensioneve 6 vende anëtare të Bashkimit Europian.
Shqipëria europiane, e qytetarëve shqiptarë europianë, do të thotë ujë 24 orë për të gjithë shqiptarët kudo që ata banojnë. Ne që ndërtuam 720 ujësjellësa, ne që lamë pas errësirën dhe shkëputëm vendin nga ndërprerjet e energjisë elektrike, në që jemi një vend që notojmë në ujëra, do të çojmë në çdo familje shqiptare 24 orë ujë të pijshëm, ky është premtimi i qeverisë.
Industria e naftës, është industria e perspektivës së këtij vendi. Në katër vite ne e rritëm prodhimin e naftës me 50%. Në katër vitet që vijnë unë ju garantojë se ai do të dyfishohet. Por e gjithë qeveria do të jetë e përkushtuar për zhvillimin e fshatit. Fermerëve të Patosit dhe Myzeqesë, unë ju premtojë se qeveria ime do të financojë çdo projekt të tyre për nxitjen e prodhimit, se qeveria ime do të vendos tokat e tyre nën ujë, kudo që ato ndodhen, se qeveria ime do të ndërtojë dhe rindërtojë sistemin më modern të vaditjes, në katër vitet që vijnë do të shumëfishojë grantin për fermerët shqiptarë. Ajo do të subvencionojë të gjitha inputet për të gjitha sipërfaqet e mbjella prej tyre, në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Projekti i ullirit është një projekt tjetër i shekullit, të gjithë sëbashku do ta veshim Shqipërinë me ullishte. Në katër vitet që vijnë, do të mbjellim mbi 5 milion rrënjë ullinj në këtë vend. Ne do të krijojmë kushte për dhjetëra milion të tjera në vitet që do të vijnë.
Shqipëria është një vendi i bekuar dhe qytetarët e saj janë njerëzit më punëtorë. Ne do të bëjmë që ky vend në katër vjet të marrë të gjitha tiparet e një vendi të zhvilluar europian.
Qytetarë të Patosit,
Sot para jush dhe në emrin tuaj, dua t’ju adresojë thirrjen time më madhore, të gjithë qeveritarëve vendor të Shqipërisë pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake, të gjithë qytetarëve pavarësisht nga përkatësia partiake, militantëve të të gjitha partive, le ta shndërrojmë këtë javë në betejën tonë më të madhe për letërnjoftimet elektronike. Lë të aplikojmë dhe të marrim letërnjoftimet e reja, dokumentin më modern të identitetit të qytetarit shqiptar. Me këto dokumente ne barazohemi në këtë drejtim me të gjithë qytetarët më të zhvilluar të këtij kontinenti. Le ti marrim këto letërnjoftime, si dëshmi e vullnetit tonë të hekurt për modernitet, si dëshmi e përgjegjësisë sonë qytetare për të zhvilluar zgjedhjet më të ndershme, më të bukura më të lira në historinë e këtij vendi. Le ti marrim ato si dokumente të qytetarisë sonë europiane, të Patosit europian, të Shqipërisë europiane.
Zonja dhe zotërinj,
Edhe njëherë dua t’i bëj thirrje kryetarit të mbërthyuer të Partisë Socialiste, i cili në gjashtë muaj nuk morri njëherë zemër dhe nuk tregoi njëherë vullnet, që t’u bënte thirrje qytetarëve që të merrnin letërnjoftimet e reja. Edi Rama ty të ka mbetur ora te certifikatat, por harroi ato. Qytetarët shqiptarë do të kenë letërnjoftimet dixhitale më të avancuara në Europë.
Kjo garë më masivja në historinë e vendit do të zhvillohet me të gjitha standardet e bukura, me standardet demokratike të saj, përveç njërit. Një njeri kërkon që standardit tonë europian t’i vendos standardin e tij personal. Një njeri, që në një rast të pashembullt në historinë e pluralizmit shqiptar dhe europian, ka nisur një fushatë, ka nisur në betejë elektorale partinë e tij, duke qëndruar vetë pas karriges. Ky është Edi Rama. Nga këtu, dua t’i them edhe njëherë, se i jap katër ditë afat që ne të mbledhim parlamentin dhe të ndryshojmë ligjin. Dil në krye të listët të deputetëve, dil sepse burri duhet të këtë kurajë të shohin në sy si fitoren, edhe humbjen. Kjo është kurajë njerëzore, ndaj bëhu burrë. Ti do mësosh vetëm fundin tënd politik, sepse te tjerat janë të garantuara prandaj dhe dil se shqiptar je dhe ti, dil ne shesh e le te vazhdojmë betejën.
Edhe njëherë thirrja ime vëllazërore është që të marrim të gjithë letërnjoftimet, premtimi im për këtë qytet është se do të financojmë çdo projekt që bashkia juaj do të paraqes në qeveri. Ky është zotimi im solemn, se unë do të bëj çdo gjë për punësimin tuaj, për infrastrukturë moderne, për lëvizjen tuaj të lirë, për sigurinë tuaj dhe të fëmijëve tuaj dhe për pensionet tuaja."
06/06/2009