E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Prokurimi elektronik, transparenca më e madhe e përdorimit të fondeve publike

Kryeministri Berisha përshëndeti sot fillimin e kursit për trajnimin e  drejtuesve dhe punonjësve të administratës lokale për familjarizimin me  procedurat e prokurimit elektronik, organizuar nga Instituti i Trajnimit të Administratës Publike. 

Duke iu referuar vendimit të qeverisë pë të mos lejuar prokurime të tjera përveç atyre elektronike  pas datës 1 janar 2009, Kryeministri Berisha vlerësoi se ky është një vendim shumë i dobishëm, sepse prokurimi elektronik është transparenca më e madhe në prokurimet publike. 


Kryeministri theksoi se është detyrim madhor i çdo zyrtari para qytetarëve që të kuptojë se paratë e takapaguesve duhet të përdoren në mënyrën më të ndershme.
Me këtë ne bëjmë jo vetëm një hap shumë të madh drejt një niveli të ri transparence, u shpreh Kryeministri, por drejt një niveli të ri në lirinë e tregut sepse i japim mundësi konkurrencës së ndershme, konkurrencës së lirë, parandalojmë ndikimin e pandershëm të burokracisë zyrtare në rregullat e lojës.


Kryeministri theksoi se prokurimi elektronik i jep përgjigjen më të mirë klientelës duke e zhdukur atë, e cila është një faktor shumë i dëmshëm në të gjitha aspektet. Kryeministri u shpreh se qeveria po procedon me reforma të thella në prokurimet publike, taksa dhe tatime dhe në regjistrimin e biznesit, licencave dhe lejeve.      
“Me procedura dhe reforma ne po luftojmë korrupsionin aty ku i ka shtretërit më të mëdhenj. Për këtë vend dhe për këtë kohë nuk ka asgjë më jetike se sa lufta kundër korrupsionit”, tha Kryeministri. Asnjë faktor tjetër, vijoi Kryeministri, nuk pengon zhvillimin dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe në NATO se sa korrupsioni. “Kjo është leva me të cilën ne  mund të shpejtojmë të gjitha proceset pozitive në vendin tonë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

 
Me qëllim lehtësimin sa më të madh të  procedurave të prokurimit Kryeministri i kërkoi Agjencisë së Prokurimeve Publike mundësinë e reduktimit të dokumentave duke lënë vetëm ato kryesore.   

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:

Ky kurs trajnimi është thirrur pas një vendimi të prerë të qeverisë që duke filluar nga data 1 janar 2009 nuk do të ketë më prokurim tjetër në këtë vend veçse elektronik. Ky është një vendim i prerë,  është një vendim shumë i dobishëm sepse prokurimi eklektronik është transparenca më e madhe në prokurimet publike.

Në këtë kontekst duke përfituar nga zbatimi i projektit në kuadrin e Pragut të Mijëvjeçarit nga USAID, avantazhet e mëdha të këtij projekti ne vendosëm që nga 1 janari i vitit 2009 të mos ketë më asnjë prokurim tjetër veçse elektronik. Kjo kërkon në radhë të parë një luftë të sinqertë me veten tuaj, me kryetarët dhe nënkryetarët e komunave dhe bashkive , të cilët duhet të kuptojnë se është një detyrim madhor i çdo zyrtari para taksapaguesve që paratë e tyre të përdoren në mënyrën më të ndershme.
Ndaj dhe duhet ta kenë të qartë se që nga 1 janari 2009 Agjencia e Prokurimeve Publike nuk do të publikojë asnjë tender përveçse në formë elektronike. Me këtë ne bëjmë jo vetëm një hap shumë të madh drejt një niveli të ri transparence, por drejt një niveli të ri në lirinë e tregut sepse i japim mundësi konkurencës së ndershme, konkurencës së lirë dhe parandalojmë ndikimin e pandershëm të burokracisë zyrtare në rregullat e lojës.

 Nga ana tjetër prokurimi elektronik faktohet se jep mundësi 30-40% për kursim më të madh se sa  prokurimi tjetër i hapur apo manual, gjë për të cilën kemi pasur shumë nevojë. Është shumë e rëndësishme prokurimi elektronik familjarizon stafet autoritetet kontraktuese të bashkive dhe komunave të vendit dhe sipërmarrjeve të tjera , me procedurat dixhitale, i sjell ata me këtë proces në moshën dixhitale. Edhe kjo ka vlerën e vet të madhe, i jep përgjigjen më të mirë klientelës, zhduk klientelën që është një faktor shumë i dëmshëm në të gjitha aspektet.
 Ne vërtetë kemi bërë dhe po procedojmë me një reformë të thellë  në prokurimet publike kemi proceduar dhe procedojmë me një reform ë të thellë në taksa dhe tatime dhe kjo në kuadrin e Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit të taksës elektronike, kemi proceduar dhe po procedojmë me një reformë të thellë në regjitrimin e biznesit, licencave dhe lejeve. Me procedura dhe reforma ne po luftojmë korrupsionin aty ku i ka shtretërit më të mëdhenj. 


Për këtë vend dhe për këtë kohë nuk ka asgjë më jetike se sa lufta kundër korrupsionit. Asnjë faktor tjetër nuk pengon zhvillimin dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe në NATO më shumë se sa korrupsioni. Kjo është leva me të cilën ne  mund të shpejtojmë të gjitha proceset pozitive në vendin tonë.

Hapa përpara shumë serioze janë bërë, por kërkohet që hapa të tjerë të jenë shumë më të shpejtë, të jenë shumë më të vendosur në rast se ne duam të zbatojmë me seriozitet projektet tona për të ardhmen e vendit. Këto ditë po shqyrtoja një statistikë, e cila dëshmonte se rreth 40 % e prokurimeve nuk botoheshin në buletine në vitin 2003-2004 e më parë.  Se ç`bëhej me to askush nuk mund të thotë. Sigurisht që duhet të jetë problem i një hetimi të hollësishëm, por sot nuk ka më prokurime direkte, nga janari 2009 nuk do të ketë më prokurime të hapura manuale, që të gjitha do të jenë elektronike. Pas instalimit të kësaj Agjencia e Prokurimeve Publike dhe autoritetet kontraktuese duhet të shqyrtojnë në dritën e transparencës të gjitha termat e referencës që të jenë të paanshme dhe  me kompletimin e këtij procesi ne i bëjmë vendit një shërbim shumë të madh , ne shënojmë një kthesë rrënjësore në këtë proces,  i cili në tërësinë e tij është më i rëndësishmi  sepse shpenzimet kryesore të buxhetit janë në investimet publike në investimet kapitale. Me përgatitjen tuaj ne presim të shënojmë një kthesë shumë të rëndësishme.

Unë do t`i kërkoja Agjencisë së Prokurimeve Publike të shqyrtojë listën e dokumentave mundësisht të mbajë vetëm dokumentat kryesorë.  Nuk është një problem i vështirë. Këto ditë po shqyrtoja lejet e ndërtimit, meqë po merrem me këtë problem. Çfarë rezulton?  Disa vende kanë vetëm 6-11 kërkesa , Shqipëria për një leje ndërtimi ka 19-22 kërkesa . Uroj të mos jetë kjo edhe në prokurime. Ndaj dhe zonja Drejtoreshë të shohim thjeshtimin e kërkesave dhe të mbajmë vetëm ato dokumenta që janë të domosdoshme. Të tjerat agjencia duhet t`i marrë nga agjencitë e tjera dhe nuk duhet të jenë kërkesa ndaj atij që merr pjesë në tender. Po marr penalitetet. Ju tani keni Regjistrin e Penaliteteve. Duhen parë sërish disa vlerësime në interpretimin e drejtë të ligjit . Njëra është penaliteti ose jo penaliteti, por i pafajshmi është i pafajshëm. Ndaj dhe duke bërë një interpretim më të drejtë të ligjeve mendoj se do të arrijmë të reduktojmë kërkesat ndaj ofertuesve, sepse ato janë kosto.

Qeveria duhet të bëjë çdo gjë për të ofruar shërbimin më të mirë me koston më të ulët. Së fundi dua të përgëzoj Institution e Trajnimit të Administratës Publike për organizimin e këtij kursi dhe meqenëse disa nga ministritë dëshmojnë një mospërfillje ndaj veprimtarisë së këtij instituti edhe unë gradualisht do të bëj një vendim  që të mos mund të jepet asnjë çertifikatë trajnimi përveçse nëpërmjet këtij instituti. Ky institut nuk ka profesorët , apo të gjitha lehtësirat, por ka programin e organizimit të trajnimeve në mënyrën më serioze, në mënyrën më zyrtare dhe të suksesshme. Ndaj dhe zoti Drejtori të inkurajoj që me mbështetjen e ministrit dhe të qeverisë të zgjerojmë kapacitetet sepse administrata do të ketë nevojë të vazhdueshme për trajnim dhe të shndërroheni në një qendër të fuqishme ashtu siç është dhe misioni, të trajnimit të administratës.

Dua të falenderoj zotin Bus Key dhe USAID-in , qeverinë e SHBA-së për financimin dhe zbatimin e projektit të prokurimeve elektronike në kuadër e Pragut të Mijëvjeçarit krahas projekteve të tjera të rëndësishme dhe dua t`ju uroj ju suksese dhe shpreh bindjen më të thellë se në fund të dy muajve  do të jeni plotësisht të aftë që më 1 janar të fillojmë në mbarë vendin me prokurimin elektronik.  


10/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›