Kryeministri Berisha: Qeveria do të bëjë gjithçka për nxitjen e biznesit social

Kryeministri Berisha i shprehu Prof. Yunus vlerësimin për rolin dhe kontributin e tij në luftën kundër varfërisë dhe zhvillimin e biznesit social. Në këtë aspekt, Kryeministri Berisha e konsideroi të rëndësishëm edhe memorandumin e bashkëpunimit që Prof. Yunus nënshkroi sot gjatë vizitës në “Tirana Business Park” me drejtorin e përgjithshëm të saj, zotin Carsten Conrad.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha e garantoi Prof. Yunus se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur veprimtarinë e tij.
Prof. Muhammad Yunus është fitues i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2006 "për përpjekjet e tij për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të të varfërve nëpërmjet krijimit të bizneseve sociale”. Ai ndodhet në një vizitë dyditore në vendin tonë dhe gjatë qëndrimit vizitoi të parat ide të biznesit social në Shqipëri, të cilat do të mbështeten nga Yunus Social Biznes Albania.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar Prof. Yunus, Nobelist në fushën më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore, luftën kundër varfërisë dhe çrrënjosjen e saj.
I dashur Carsten Conrad , Drejtor i Përgjithshëm i “Tirana Business Park”, investim i një prej familjeve më të shquara dhe më të suksesshme të kombit gjerman dhe të tokës gjermane,
Të nderuar zotërinj ministra,
Zonja përfaqësues e ambasadës së Gjermanisë në Shqipëri,
Teknikë, inxhinierë, punonjës që po ndërtoni “Tirana Business Park”,
Së pari, unë dëshiroj të përshëndes përzemërsisht dhe t’i uroj me mirënjohje të thellë mirëseardhjen e tij të parë nobelistit të njohur Prof. Yunus, si dhe shpreh bindjen se kjo është një vizitë historike, ndonëse Prof. Yunus punon çdo ditë, me të gjithë ekipet e tij, jo për historinë, por për dhimbjet, vuajtjet, sakrificat e qytetarëve nga dhjetëra e dhjetëra vende të botës.
Unë, gjithashtu, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë “Tirana Business Park”, zotin Carsten Conrad, familjen e nderuar Lindner dhe të gjithë ekipin e tyre për vendimin fisnik që brenda sipërmarrjes së tyre të nisë një projekt i madh i Prof. Yunus, projekti i biznesit social. Varfëria është një armik i egër i njeriut. Për njeriun e lirë, sëmundja dhe varfëria janë dy armiqtë më kryesorë. Dhe për një qeveri nuk mund të ketë qëllim më të parë sesa lufta kundër saj. Por një burrë, një vizionar, u dha një leksion qeverive të mbarë botës dhe ky leksion ishte besimi i Prof. Muhammad Yunus se varfëria mund të çrrënjoset. Ai e filloi punën në vendin e tij, në Bangladesh, ku ndihmoi miliona e miliona qytetarë të atij vendi. Asokohe shumica mendonin se veprimtaria e Prof. Yunus është e destinuar për periferitë e planetit dhe të shoqërisë njerëzore, por takimin tim të parë me të unë e pata në Nju Jork. Një mik i imi dhe mik i shquar i kombit shqiptar rregulloi takimin. Miku im nga Nju Jorku më informoi, gjithashtu, se skemat e biznesit social të Prof. Yunus nuk ishin më vetëm në Arkansas të Shteteve të Bashkuara, i cili ishte shteti me të ardhura më të ulëta sesa shtetet e tjera, por kishin mbërritur edhe në metropolin e Shteteve të Bashkuara, në Nju Jork. Që nga ajo ditë Prof. Yunus pranoi ftesën për t’i ofruar Shqipërisë mundësinë e organizimit të biznesit social dhe të gjithë spektrit të tij në luftën kundër varfërisë. U deshën tre vjet e gjysmë, një seri udhëtimesh të ekipeve nga Grameen dhe ekipe të tjera, kontakte të punonjësve tanë në këtë fushë. Ajo që ka rëndësi është se sot, pas tre vite e gjysmë, besimi ynë në suksesin e këtij projekti është disa herë më i madh se tre vjet më parë.
Kjo këtu sot është një dhomë e vogël, por nga këtu fillon një projekt i madh. Këtu firmoset një memorandum midis dy eksperiencave, në bindjen time eksperiencat më të shkëlqyera dhe të më avancuara të botës. Shumë flasin për suksese në biznesin social, por në krye të suksesit qëndron Prof. Yunus. Gjermania, atdheu i Conrad, ka shumë e shumë gjera të mëdha, të mira e pozitive, por të mos harrojmë se training-u është një nga më të mirat e të mirave të këtij vendi të madh. Ja se përse ne jemi fatlumë që asistojmë në këtë moment dhe në këtë ceremoni shumë domethënëse.
Edhe një herë faleminderit shumë dhe unë ju garantoj ju, Prof. Yunus, se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur këtë veprimtari. Sikundër, dua të theksoj se këtu në Shqipëri, gradualisht do të zbuloni solidaritetin njerëzor më të jashtëzakonshëm që mund të kesh njohur ndonjëherë. Të tilla janë familjet shqiptare. Dhe është ky solidaritet kompania më gjigande e sigurimeve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Ndaj dhe suksesi i punës tuaj do të jetë gjithnjë e më i madh.
Faleminderit!”
21/01/2013