E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria është e vendosur të miratojë çdo dispozitë dhe çdo vendim për të garantuar veprimtarinë e sistemit bankar në Shqipëri

-Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje të thellë ndaj Kancelares Merkel, qeverisë dhe kombit gjerman, për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar që kanë dhënë për Shqipërinë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e zyrave të reja qendrore të ProCredit Bank në Tiranë, ceremoni e cila u zhvillua në 10 vjetorin e licencimit të kësaj banke në Shqipëri. 

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë z. Dritan Prifti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë z. Bernd Bochard, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë investim të ProCredit Bank si dëshmi e suksesit të këtij institucioni financiar në këto dhjetë vite në Shqipëri. Duke e cilësuar si një sukses të vërtetë sistemin bankar në Shqipëri, Kryeministri u shpreh se qeveria është e vendosur të miratojë çdo dispozitë dhe çdo vendim për të garantuar veprimtarinë e këtij sistemi.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje të thellë ndaj Kancelares Merkel, qeverisë dhe kombit gjerman, për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar që kanë dhënë për Shqipërinë. “Dua të falënderoj Kancelaren për vendimin e saj për të dyfishuar ndihmat për Shqipërinë dhe të garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje për përdorimin sa më efiçent të tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, ne përjetojmë një ditë shumë të rëndësishme për sistemin bankar të Shqipërisë, por edhe për vendin në tërësi. Sot, ne inaugurojmë investimin më të madh të këtyre njëzet viteve të fundit që sistemi bankar bën për veten e tij, ndërtesën e re të ProCredit Bank. Është e rëndësishme që kjo ndërtesë e bukur, funksionale, të inaugurohet në 10- vjetorin e suksesit të ProCredit Bank, por simbolikë të madhe ka edhe fakti që inaugurohet pas fitores së dytë të Kancelares Angela Merkel, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Gjermani. Kjo është fitore shpresëdhënëse jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për mbarë Evropën, pasi kombi gjerman votoi për reformat jetike dhe përcaktuese për mbarë ekonominë evropiane.

Gjej rastin të shpreh mirënjohje të thellë ndaj Kancelares Merkel, qeverisë dhe kombit gjerman, për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar që ka dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë këtyre viteve. Institucionet financiare gjermane kanë qenë ndër institucionet kryesore financiare të kreditimit të këtij vendi. Ndihma direkte gjermane është shkrirë në qindra projekte në të katër anët e vendit dhe nevojat bazë të qytetarëve shqiptarë. Tipari më dallues i këtyre projekteve ka qenë efiçenca e plotë dhe suksesi i realizimit të tyre. Dua të falënderoj Kancelaren për vendimin e saj për të dyfishuar ndihmat për Shqipërinë dhe të garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje për përdorim sa më efiçent të tyre.

Zonja dhe zotërinj,

Sot inaugurohet ndërtesa e re e ProCredit Bank, dëshmi e suksesit të këtij institucioni financiar në këto dhjetë vite në Shqipëri. Duke e nisur punën si Fondacion, ajo ka asistuar në këtë dekadë me kredi dhe ndihmë mbi 150 mijë shqiptarë, duke u bërë kështu një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e tregut të këtij vendi. Sot është një ditë që unë të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë ndaj sistemit bankar në Shqipëri, i cili, fatmirësisht, është tërësisht privat.

Kriza ekonomike botërore faktoi falsitetin e klasifikimeve të kompanive të rating-ut. Shumë nga ato institucione financiare që ishin mbajtur me A+ dhe me pesë yje nuk i rezistuan kohës, ndërsa juve që ishit klasifikuar tek B-ja apo C-ja provuat se ishit A dhe me shumë yje. E vërteta është e vërtetë. E madhe apo e vogël, ajo është e pakthyeshme. Më rikujtohen dhe shumë debate që kisha zhvilluar me një kompani rating-u, të cilën do t’a takoj prapë dhe do t’i them ja ku janë të gjitha me A.

Shfrytëzoj rastin për t’ju garantuar ju se qeveria ime është e vendosur që, së bashku me ju, të vendosë kuadrin më të mirë ligjor për veprimtarinë tuaj. Gjithnjë, në çdo takim, kam vetëm një kërkesë ndaj jush: të ecim me shpejtësi drejt e-banking. E-banking është interesi juaj më i mirë dhe është një kontribut i madh për të prurë shqiptarët në moshën dixhitale.

Doktor Zeitinger,

Dua të theksoj një aspekt të rëndësishëm të ProCredit Bank dhe tuajin. Ju keni investuar në burimet njerëzore më shumë se çdo bankë tjetër dhe unë ju jam shumë mirënjohës, por i ftoj të gjitha bankat e Shqipërisë të investojnë pak më shumë në tregun e produkteve të tyre dhe për tregun e produkteve të tyre.

Qeveria është e vendosur të miratojë çdo dispozitë dhe çdo vendim për të garantuar veprimtarinë tuaj. Sistemi bankar është një sukses i vërtetë në Shqipëri. Unë shpresoj dhe besoj se shumë shpejt këtë sukses do ta prekin dhe ndjejnë shqiptarët në të katër anët e vendit. Edhe ata shqiptarë që jetojnë në zonat më të thella dhe në zonat rurale do të kenë mundësi dhe akses të gjerë në sistemin e kreditimit. Sistemi bankar financiar dhe ekonomia shqiptare sot janë solide. Ekonomia rritet dhe jam i sigurt që do të ketë rritjen më të lartë në Evropë, natyrisht jo atë që dua unë.  Tregu dhe ambiciet janë dy gjëra jo të njëjta.

Edhe një herë ju uroj shumë suksese dhe ju falënderoj me shumë mirënjohje për këtë investim të madh që keni bërë, si dhe për këtë besim të madh që keni dëshmuar për Shqipërinë dhe tregun e saj bankar.

Faleminderit!”


29/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›