E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Pavarësia e Kosovës kryevepra e kombit Shqiptar

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, në kuadrin e pjesëmarrjes në Sesionin e 64-rt të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Berisha u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë se dyqind pjesëmarrës, mes tyre edhe figura të njohura të komunitetit shqiptar, nën udhëheqjen e dy nën/kryetarëve të shoqatës ”Vatra”, dr Gjon Buçaj dhe z. Agim Rexhaj, i dhanë një mirënjohje të thellë Kryeministrit Berisha. Në darkën e shtruar  nga Federata PanShqiptare e Amerikës, “Vatra” morën pjesë veprimtarë e aktivistë të njohur të komunitetit shqiptar, biznesmenë, studentë, intelektualë dhe krerët e disa organizatave e shoqatave shqiptaro -amerikane, si dhe eksperti pranë Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, David Phillips.

Kryeministri Berisha u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe në emër të “Vatrës” iu shpreh mbështetje dhe përkrahje e plotë për qeverinë shqiptare. Nënkryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, në emër të vatranëve, foli mbi rëndësinë e vizitës së Kryeministrit Berisha dhe vlerësoi rolin tij në demokratizimin e Shqipërisë, që nga rrëzimi i komunizmit e deri në ditët e sotme. Ai tha se "është një kënaqësi e veçantë që sot midis nesh është Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e Tij, zonja Liri Berisha".

Ndërsa anëtari i kryesisë së shoqatës “Vatra”, z. Mitahat Gashi, tha se Kryeministri Berisha do të kujtohet gjatë nga vatranët, për tre "kollonat" kryesore, që e kanë ngritur lart figurën e tij qeverisëse në Shqipëri, duke nënvizuar "pavarësinë e Kosovës, rolin dhe kontributin e paçmuar të shtetit dhe diplomacisë shqiptare, sidomos gjate këtyre katër vjetëve te fundit”. “Çështja e pavarësisë së Kosovës, në mandatin që lamë pas ishte në rend të parë të qeverisë Berisha. Shembja e "murit" ndarës mes Kosovës e Shqipërisë, rruga e Kombit dhe tuneli që lidh Kosovën me Shqipërinë janë vepër monumentale dhe historike e Kryeministrit Berisha, ashtu siç është edhe hyrja e Shqipërisë në NATO dhe nënshkrimi i dokumentit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian", u shpreh ai.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha duke përshëndetur “Vatrën” dhe përfaqësuesit e komunitetit,  shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për ta çuar vendin drejt prosperitetit dhe anëtarësimit në familjen evropiane. “Së pari, më vjen mirë t’ju përcjell një përshëndetje të përzemërt dhe kënaqësi të veçantë që nis vizitën time me takimin me ju. Shpreh nderimin tim më të thellë për ju që arritët të ruani e të mbroni këtu në SHBA, visaret, virtytet dhe vizionet më të çmuara kombëtare për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët kudo që janë”, u shpreh ai.

"Jam këtu sot t'ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time më të thellë për kontributin tuaj në dobi të çështjes kombëtare, për atë çfarë keni bërë dhe keni dhënë në përparimin e zhvillimin e vendit tonë. Një e veçantë është kontributi juaj në vite për lirinë e të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ndihma juaj ka qenë e madhe në pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë. Vij këtu mes jush të shpreh respektin tim  edhe për atë që ju keni shkruar në faqet e arta dhe të ndritura të historisë, të atdhetarizmit e përkushtimit shqiptar, për lirinë e shqiptarëve dhe çështjen kombëtare prej themelimit të saj. Vatra dhe vatranët, patjetër që zënë një vend të rëndësishëm e historik në të gjithë rrugën e zhvillimit kombëtar. Vatra ka shërbyer dhe shërben si një avokate e interesave kombëtare në Amerikë, në këtë vend ku shqiptarët kanë mikun më të madh dhe më të shtrenjtë, SHBA-në”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha tha se  “ne shqiptarët, kemi pasur gjithnjë një faktor përcaktues, gjatë gjithë historisë sonë, në momente me kritike të historisë sonë dhe i’a kemi dale, sepse mbi të gjitha kemi pasur një mik te madh që në çdo moment ka ndërhyrë fuqishëm në mbrojtje të çështjes tonë, gjatë  një rruge e cila e ka zanafillën e saj prej nga shekulli që lamë pas dhe ia doli në shekullin e ri."

Ai tha se, në këtë kontekst, shqiptarët në pesë vitet e fundit, kanë përjetuar ngjarje të mëdha dhe të papërsëritshme. “Pavarësia e Kosovës është kryevepra e kombit shqiptar. Me pavarësinë e Kosovës shqiptarët ia dolën ta shndërrojnë në realitet atë ëndrrën shekullore të kombit tonë. Kjo për shkak të sakrificës dhe mendimit njerëzor, të gjithanshëm, me një trimëri dhe kurajë të pashoqe të popullit të Kosovës, të një mençurie të jashtëzakonshme të burrit të madh të kombit shqiptar, Ibrahim Rugovës dhe të një trimërie legjendare, të Adem Jasharit, shqiptarët shkruan historinë, sepse ia dolën të fitojnë edhe me ndihmën e këtij vendi të madh, SHBA-ve", u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur tek arritjet e deritanishme, Kryeministri Berisha veçoi si një arritje të madhe  anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Ne si komb kemi pasur një udhë shumë të vështirë, por e vërtetë është se pavarësisht nga vështirësitë e mëdha, pushtimet e zgjatura, vokacioni perëndimor i kombit shqiptar i ka bashkuar gjithnjë shqiptaret, pasi ky vokacion triumfon patjetër në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, theksoi Kryeministri Berisha.

Gjatë fjalës se tij, Kryeministri Berisha nuk la pa përmendur edhe zgjedhjet e fundit në Shqipëri. "Një arritje tjetër shumë të madhe do të quaja edhe zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat ishin një detyrim madhor ndaj popullit shqiptar dhe komunitetit ndërkombëtar. Këto zgjedhje kanë përmbushur, sipas të gjitha vlerësimeve të ndërkombëtarëve, të gjitha standardet e kërkuara prej tyre ", u shpreh ai.

Një tjetër projekt i madh u konkretizua gjate katër viteve të fundit, "Korridori i Kombit", i cili ka transformuar dhe po transformon çdo ditë gjeografinë e këtij rajoni.

Kryeministri tha se  "për këtë arsye, në katër vitet që do të vijnë, unë iu premtoj shqiptarëve një projekt edhe më të madh,  atë të integrimit në Evropë, një projekt ky edhe me ambicioz që do të paraqesim para shqiptarëve dhe botës. Jam zotuar para shqiptarëve se në krye të katër viteve do të përgjysmoj distancat nga kryeqyteti i Shqipërisë me çdo vend banim shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shqipërinë do t'a ndryshoj duke e sjell atë tek "mosha dixhitale", sepse ajo është "mosha" që duhet të ketë vendi ynë”.

Një tjetër strategji e këtyre katër vjetëve, - tha Kryeministri Berisha , - do të jetë edhe tërheqja e sa më shumë investimeve të huaja. “Ne po punojmë të krijojmë kushte të shkëlqyera dhe të favorshme për çdo investim. Ndaj, përfitoj nga rasti t'ju bëj edhe ju thirrje, të vini të investoni në Shqipëri, sepse ua krijojmë të gjitha lehtësirat e mundësitë zhvillimit të një biznesi të suksesshëm", u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri tha se në një vend si Shqipëria nuk duhet të ekzistojë "varfëria e tejskajshme”. "Lufta kundër korrupsionit është mënyra më eficente për të luftuar varfërinë dhe mizerjen”, u shpreh Kryeministri Berisha. Duke folur për rëndësinë që ka prokurimi elektronik në luftën kundër korrupsionit, Kryeministri tha se "Shqipëria është i vetmi vend që zbaton vetëm prokurime elektronike. Këto para kanë rëndësi, sepse reformat janë jetike për të luftuar korrupsionin. Kështu u krijua ‘One Stop Shop” për lejet dhe licencat, menjëherë pasi qeveria hoqi 2/3-at e tyre".


22/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›