Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin e përvitshëm të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, në Nju Jork

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Berisha ishte i ftuar në ceremoninë tradicionale të përvitshme, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, në Nju Jork.
Në këtë mbrëmje, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderoi me çmime këto dy personalitete negociatorin që luajti një rol kyç në finalizimin e procesit të pavarësisë së Kosovës, zotin Marti Ahtisari dhe fotografin Fadil Berisha, i cili ka zgjedhur rrugën e artit për të bërë të njohura në botë vlerat shqiptare. Ky është një ritual i përvitshëm, ku shqiptaro-amerikanët nderojnë me çmime disa nga personalitetet më të njohura në botë që japin kontribut për çështjet e tyre.
Ish kryenegociatori Ahtisari, njeriu i dalluar për mjeshtërinë diplomatike në kapërcimin e vështirësive dhe pengesave me të cilat përballej pavarësia mori çmimin ”Duart e Shpresës”, çmim që ju dorëzua në mënyrë simbolike nga Presidenti i Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu. Në fjalën e tij përshëndetëse, ai tha se Kosova është dhe do të mbetet e pavarur. "Kosova është e pavarur dhe gjithnjë do të jetë e tillë", tha zoti Ahtisari. Në komentet e tij, zoti Ahtisari shtoi se është i kënaqur me disa zhvillime që lidhen me Kosovën. "Jam i kënaqur që gjëja më e rëndësishme për Kosovën ishte anëtarësimi i saj në Fondin Monetar dhe në Bankën Botërore dhe kjo ndodhi. Kjo është një shenjë e mirë për zhvillimin ekonomik", tha ai.
Urimi për qeverinë e re të koalicionit ishte tema e bisedave të tyre me shqiptaro-amerikanët e pranishëm. Zoti Berisha, në fjalën e tij, foli për vështirësitë e mëdha që u desh të kapërcehen për arritjen e pavarësisë së Kosovës: "20 vjet më parë, Kosova shihej si çështja më e vështirë për t’u zgjidhur në Europë. Sot, Kosova është kthyer në një shtyllë e paqes, stabilitetit në rajon dhe unë si shqiptar e quaj atë si arritjen më të madhe të kombit tonë që nga koha e Skënderbeut", tha Kryeministri i Shqipërisë.
Kryeministri Berisha falënderoi me mirënjohje Presidentin Ahtisari dhe ambasadorin Wisner për kontributin e tyre në pavarësinë e Kosovës.
“Më lejoni të falënderoj ambasadorin Wisner dhe t’i shpreh mirënjohjen time të thellë, jo vetëm timen por të çdo shqiptari, për dashurinë, përkushtimin, kurajën dhe zgjuarsinë e tij, të treguar në një moment kyç të historisë sonë. I caktuar nga presidenti Xhorxh Bush, ai u bë në grupin e kontaktit, avokati më i mirë i pavarësisë së Kosovës. Ambasador Wisner ne ju jemi mirënjohës, vendit tuaj, kombit tuaj.
Jam shumë i nderuar që jam sot me ju, të mbledhur për të nderuar një burrë, që nderohet nga e gjithë bota, Presidenti Marti Ahtissari. Zoti President, në historinë e vendit tuaj ju njiheni si një prej burrave më të mëdhenj të vendit tuaj, që transformoi dhe e çoi Finlandën në vendet europiane dhe në zhvillim. Mbasi latë presidencën tuaj ju u bëtë një lider i vërtetë i botës. Në gjykimin tim modest, negociatori më i madh i 20 viteve të fundit. Kontributi juaj në paqen e botës u shpërblye me çmimin më fisnik: Çmimin Nobel. Doja t’ju siguroja se në zemrën e kombit tim, në kujtesën e kombit tim ju do të mbeteni përgjithmonë si një prej themeluesve të pavarësisë të Kosovës.”
Në katër vite, vijoi Kryeministri, do të shërojmë të gjitha plagët e një ndarjeje të pajustifikueshme një shekullore të kombit. “Ne ndërtuam një rrugë të re, do të ndërtojmë rrugë të tjera. Kombi do të ketë dy qeveri, dy administrata, sepse pavarësia e Kosovës është interesi jetësor i çdo shqiptari. Por kombi do të ngelet një, ashtu siç ishte në kohët e vjetra. Gjithmonë do të jetë një komb, falë sakrificave tona, fal miqve tanë, fal Zotit. Ne jemi një komb i lirë tani dhe do ta ndërtojmë të ardhmen tonë si një vend i lirë.”
Duke vlerësuar se pas pavarësisë së vendit, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte arritja më e madhe, Kryeministri Berisha theksoi “ne po punojmë në një projekt madhor, atë të integrimit europian, i cili është projekt shumë i vështirë dhe serioz, por unë jam shumë optimist se ne do të arrijmë të implementojmë çdo ditë, standarde dhe praktika që janë të përbashkëta me kombet europiane.”
Kryeministri tha se në këto katër vite, qeveria është plotësisht e përkushtuar në transformimin e vendit, për ta bërë atë një vend më të mirë, në katër vite, Shqipëria do të ketë një infrastrukturë totalisht të re, më modernen në rajon; në katër vite, Shqipëria do të jetë vendi lider në tërheqjen e turistëve nga e gjithë bota; në katër vite, Shqipëria do të arrijë plotësisht moshën digjitale; në katër vite, ne kemi për qëllim të reformojmë sistemin e edukimit dhe atë shëndetësor.
Me një rrugë krejt origjinale po prezanton shqiptarët në botë, Fadil Berisha, fotografi i njohur, lentja e të cilët ka kapur jo vetëm disa nga aktoret më të shquara të Hollivudit, por edhe bukurinë shqiptare. Fotografi i mirënjohur u nderua me çmimin e ”Arritjeve jetësore”. Viti 2009-të ishte një vit suksesi për Fadil Berishën. "Ky ishte një nga vitet më të suksesshëm për mua, ishte realizimi një ëndrre. Në jetën time gjithnjë kam ëndërruar të ndihmoj që shqiptarët të paraqiten më mirë dhe të jenë të respektuar. Ne, si shqiptarë, kemi vuajtur shumë dhe më parë nuk kemi pasur rastin të shfaqim veten tonë. Pra, ky është një rast për t'u hapur atyre dyert," u shpreh ai.
28/09/2009