Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë qeverinë legjitime kosovare Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, priti sot paradite në një takim Koordinatorin e Qeverisë së Kosovës për Veriun, Ylber Hysa. Hysa pasi e falënderoi për pritjen, vlerësoi qëndrimin parimor dhe konstant të qeverisë shqiptare. Ai, në vazhdim i paraqiti Kryeministrit Berisha një tablo rreth zhvillimeve të fundit në këtë krahinë. Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për Veriun theksoi vullnetin e qeverisë kosovare për të luajtur rolin e saj juridik dhe emancipues në trajtimin e problemeve që shoqërojnë zhvillimet në këtë krahinë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu besimin se Kosova si shtet demokratik do të vazhdojë të thellojë proceset e demokratizimit të vendit dhe fuqizimin e saj si shtet në krejt përmasat e Republikës. “Në këtë kuadër zgjedhjet e fundit vendore në Kosovë shënuan një sukses që duhet përshëndetur. Kultura demokratike dhe përsosja e shkallës së administrimit në Kosovë, si edhe konsolidimi i demokracisë në Serbinë fqinje, do të krijojnë kushte që edhe krahina kosovare multietnike e Mitrovicës të involvohet në të ardhmen në këto procese, pavarësisht situatës aktuale”, theksoi Kryeministri Berisha. Ai siguroi se “Qeveria shqiptare do të vazhdojë, ashtu si edhe deri më sot, të mbështesë qeverinë legjitime kosovare, në të gjitha aspektet e jetës ekonomike, politike dhe shoqërore, në të gjithë territorin e saj”.