E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Krasniqit: Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme Presidenti Topi pret Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot paradite Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Pasi u uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi të përzemërt e miqësor, Presidenti shqiptar vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, të pasqyruar në këmbimet e vizitave të të gjitha rangjeve. Me këtë rast, Kreu i shtetit u dërgoi përshëndetjet më të ngrohta dhe miqësore Presidentit, Fatmir Sejdiu, Kryeministrit dhe të gjithë autoriteteve më të larta të Kosovës. Duke shprehur vullnetin për rritjen e nivelit të marrëdhënieve të gjithanshme midis Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat deri tani kanë vijuar të zhvillohen me sukses, Topi vlerësoi ecurinë normale të zgjedhjeve lokale në Kosovë, si të parat pas dy viteve të shpalljes së pavarësisë, të organizuara nga vetë institucionet e Kosovës, të cilat konfirmuan pjekurinë dhe vizionin largpamës të udhëheqjes politike dhe tërë shoqërisë kosovare. Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan përkushtimin e dy vendeve tona ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike, të cilat përbëjnë një platformë të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. “Aktualisht ato janë futur në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të tyre dhe kanë një dinamikë të ngjeshur, sidomos përsa i përket përmbushjes së objektivit për liberalizimin e regjimit të vizave, që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare-ekonomike”, theksoi Presidenti Topi. Gjithashtu, ai vuri theksin tek fakti që “Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme”. Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, garantoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›