Ministri i Jashtëm, Meta: Mbështesim angazhimin e Qeverisë së Kosovës për Veriun Ministri i Jashtëm, Ilir Meta

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot paradite në një takim Koordinatorin e Qeverisë së Kosovës për Veriun, Ylber Hysa. Pas këtij takimi, Meta në një komunikim për mediat shprehu “mbështetjen e qeverisë shqiptare për gjithë angazhimin e Qeverisë së Kosovës, por dhe të komunitetit ndërkombëtar në implementimin e strategjisë së Veriut, që është e domosdoshme për forcimin më tej të bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe serbëve në shtetin e ri të Kosovës”. Nga ana e tij, Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për Veriun tha se strategjia e qeverisë është dëshmi e vullnetit të mirë që ajo po tregon për integrimin e komunitetit serb në Veri dhe një përcaktim për të qenë partnere në zgjidhjen e kësaj çështje së bashku me BE-në dhe SHBA-në.