E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare, hapa të mëtejshme, drejt një transparence sa më të plotë për qytetarët

-          Qeveria shqiptare, një nga qeveritë më të pakta që bën një transparencë të tillë të plotë të shpenzimeve

-          Çdo akt kontrolli i kësaj qeverie dhe administrate duhet të botohet në faqen zyrtare të institucionit që e realizon

Kryeministri Berisha u ndal sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në çështjen e transparencës së qeverisjes. Duke e vlerësuar atë, si një prej çështjeve më themelore, Kryeministri e cilësoi si një arritje të madhe paraqitjen  on- line, nga ana e Ministrisë së Financave, në sistemin e thesarit, të të gjitha shpenzimeve të kryera gjatë një dite. “Tre javë më parë, Ministria e Financave ia doli që në sistemin  e thesarit të paraqesë on-linë të gjitha shpenzimet e një dite më parë dhe kjo është një arritje  e madhe. Kjo bën që qeveria shqiptare të jetë  një nga qeveritë më të pakta që bën një transparencë të tillë të plotë të shpenzimeve.” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri kërkoi që duke ndjekur këtë shembull të veprohet me të gjitha ministritë dhe agjencitë  e varura prej tyre. “Në këtë kuadër duhet që këto shpenzime qytetarët shqiptarë të mos i lexojnë vetëm në faqen zyrtare të thesarit të Ministrisë së Financave, por ti lexojë në faqen zyrtare të secilës ministri dhe të secilës agjenci që varet nga ministritë, sepse aty i gjejnë edhe më lehtë, ato që duan të gjejnë.” tha Kryeministri.

Kryeministri kërkoi gjithashtu që çdo akt kontrolli i kësaj qeverie dhe  administrate të botohet në faqen zyrtare të institucionit që e realizon. Kjo- theksoi Kryeministri- nga njëra anë bën transparent të gjitha kontrollet, por nga ana tjetër nxjerr në dritën e diellit veprimtarinë  e këtyre kontrollorëve, që janë të shumtë.

Kryeministri theksoi se është e nevojshme që nga Ministria e Drejtësisë të përshtatet legjislacioni, në mënyrë që të reflektojë realitetin e krijuar nga mosha dixhitale për të bërë që botimi në faqen zyrtare te institucioneve të jetë i barazvlefshëm me botimin në Fletoren Zyrtare.

Lidhur me këtë cështje, kryeministri u shpreh:

“Një çështje tjetër që desha të sjell në vëmendjen tuaj dhe kjo është një çështje themelore, çështja e transparencës. Tre javë më parë , Ministria e financave ia doli që në sistemin  e thesarit të paraqesë on-linë të gjitha shpenzimet e një dite më parë dhe kjo është një arritje  e madhe. Kjo bën që qeveria shqiptare të jetë  një nga qeveritë më të pakta që bën një transparencë të tillë të plotë të shpenzimeve. Në këtë kuadër ajo që kërkoj unë me vendosmëri është që këto shpenzime qytetarët shqiptarë të mos i lexojnë vetëm në faqen zyrtare të thesarit të Ministrisë së Financave, por ti lexojë në faqen zyrtare të secilës ministri dhe te secilës agjenci që varet nga ministritë, sepse aty i gjejnë edhe më lehtë qytetarët ato që duan të gjejnë. Prandaj, Zoti Pollo, nëpërmjet AKSH të bëhet gjithçka , në mënyrë që kjo, në kohën më të shkurtër të bëhet realitet.

Së dyti, për sa i përket akteve te kontrollit. Çdo akt kontrolli i kësaj qeverie dhe  administrate dhe këtë unë ia kam kërkuar edhe kryetarit të KLSH, pra çdo akt duhet të botohet në faqen zyrtare të institucionit që e realizon. Departamenti i Kontrollit të Këshillit të Ministrave ka marrë porosi që të gjitha aktet  e kontrollit ti botojë në faqen zyrtare të tij, si një dëshmi e vullnet të transparencës së plotë. Natyrisht përfundimtar ky akt kontrolli bëhet pasi është dërguar të interesuarit dhe janë marrë vërejtjet e tij. Kjo nga njëra anë bën transparent të gjitha kontrollet, por nga ana tjetër nxjerr në dritën e diellit veprimtarinë  e këtyre kontrollorëve që janë të shumtë. Sa kontrolle bëjnë këta, sa audite bëjnë këta, si ia dalin këto zonja dhe këta zotërinj, për zot punës së tyre shumë të rëndësishme, etj. Prandaj Zoti Sekretar i Përgjithshëm duhet të përgatitet sa më shpejt urdhri apo vendimi, i cili detyron botimin e çdo akti kontrolli në faqen zyrtare. Zoti Ministër i drejtësisë, ju lutem legjislacioni duhet të paraqesë sa më shpejt, të reflektojë realitetin e krijuar nga mosha digjitale. Nuk jam që të hiqet fare letra, por ligji të ndryshohet. Botimi në faqen zyrtare te institucioneve të jetë i barazvlefshëm me botimin në Fletoren Zyrtare, sigurisht, në qoftë se këtë e lejon Kushtetuta. Pra, natyrisht të shqyrtohet dhe të ruhet një kopje në gazetën zyrtare, e cila duhet për t’iu shpërndarë arkivave dhe bibliotekave kryesore. Por në tërësinë e vet vendimet duhet të jenë në faqen zyrtare të botuesit. Ne kemi të gjithë legjislacionet, të bëjmë dhe ndryshimet dhe kështu kursejmë edhe letër.

E fundit, nga një kontroll i bërë web-t tuaja janë të larmishme dhe kjo është gjë shumë e mirë, por ka nevojë për përmirësime të reja, ndaj dhe është e domosdoshme që nëpërmjet një udhëzimi që do të lëshohet , brenda një muaji e gjysëm , me ndihmën e AKSH-it ti përmirësojmë ato dhe ti sjellim në parametra edhe më optimal.


26/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›