E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një vizitë në Tuz

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, Kryeministri Berisha u ndal pasditen e djeshme në Komunën Urbane të Tuzit. Kryeministri Berisha u prit fillimisht nga kryetari i Komunës z. Nikola Gegaj dhe më pas, zhvilloi një takim me përfaqësues të Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit.

Kryetari i komunës, së bashku me  përfaqësuesit e Kuvendit së Komunës Urbane të Tuzit, i uruan mirëseardhjen Kryeministri Berisha dhe u shprehën se vizita e tij në këtë qytezë është  një respekt dhe nder i madh për të gjithë banorët e kësaj malësie.  

Më tej, kryetari i Komunës Urbane të Tuzit z. Nikola Gegaj e njohu Kryeministrin Berisha me mënyrën e funksionimit të kësaj njësie vendore.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i vlerësoi ata për kontributin e jashtëzakonshëm në çështjen shqiptare, në të gjitha kohërat. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shprehu atyre mbështetje nga ana e Shqipërisë, në çdo përpjekje për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kombëtar, kulturor, si dhe në çdo përpjekje për një shkollim më të mirë për ta.

 Në fjalën e ti përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar zoti Kryetar i Komunës Urbane të Tuzit,

Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju, të përshëndes të gjithë banorët e kësaj malësie me emër të shkëlqyer dhe kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen shqiptare, në të gjitha kohërat.

Shpreh kënaqësinë që sot unë gjej këtu një qeverisje vendore të zgjedhur nga shqiptarët e cila, në bashkëpunim me qeverinë qendrore, ndërmerr një seri projektesh zhvillimore, për të cilat ka nevojë jetike malësia. Në një hark të shkurtër kohor, shqiptarët në Mal të Zi kanë bërë përparimin që Mali i Zi ka bërë në hapësirat e lirisë. Ju keni mbështetur pavarësinë e këtij vendi. Pavarësia e Kosovës dhe Malit të Zi e kanë bërë Ballkanin një gadishull të lirë. Jam shumë krenar me rolin që luajtën shqiptarët. Sikundër, u jam shumë mirënjohës autoriteteve të këtij vendi, udhëheqjes së këtij vendi, për mbështetjen dhe vendimet e tyre në mbështetje të çështjes së drejtë të shqiptarëve në Kosovë. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për të ndërtuar marrëdhënie model me këtë vend mik. Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve të dyanshme për të ndërtuar një infrastrukturë moderne që qytetarët e të dy vendeve të lëvizin si qytetarë evropianë.

Sot, u nënshkrua një marrëveshje tjetër, e cila do të bëjë të mundur që qytetarët e Plavës, të Gucisë, të Vuthajt dhe të atyre krahinave, të cilët aktualisht e kanë të vështirë arritjen si në Podgoricë ashtu dhe në Shkodër e në Tiranë, në një të ardhme shumë të afërt ta kenë atë, shumë më të lehtë. Një rrugë do të ndërtohet, por, përveç asaj, ne po ndërtojmë rrugën Shkodër – Vermosh. Kështu që edhe këto treva, si më të larguara, do të gjenden më afër kryeqyteteve të të dy vendeve.

Të dy palët kemi një seri projektesh, në mënyrë që të zhvillojmë dhe të shfrytëzojmë në maksimum potencialet e jashtëzakonshme turistike të të dy vendeve tona. Sot kam pasur diskutime shumë të frytshme me Kryeministrin, Presidentin, Zëvendëskryetarin e Parlamentin dhe me Milo Djukanovic, i cili është edhe arkitekti i pavarësisë së këtij vendi. Në të gjitha këto takime është shprehur vullneti i qartë dhe vendosmëria e madhe që të punojmë ngushtësisht për të çuar përpara bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore në të gjitha fushat.

Unë mund t’ju them ju se problemi i zgjidhjes përfundimtare të Komunës së Tuzit ka qenë një çështje për të cilën ne kemi diskutuar, ka qenë një çështje të cilën qeveria e Malit të Zi është e vendosur ta zgjidhë plotësisht, bazuar në parimin evropian të decentralizimit dhe me bindjen më të madhe se decentralizimi është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm i konsolidimit të demokracisë, i zhvillimit dhe stabilitetit. Po kështu, probleme të tjera. Ju keni një meritë të madhe, sepse gjatë gjithë këtyre viteve ju ia keni dalë të vendosni dialog konstant, konstruktiv me autoritetet e vendit tuaj, të cilat kanë treguar një shkallë konstante mirëkuptimi. Në drejtim të shkollimit ka pasur arritje të pamohueshme, por unë ju garantoj që arritje të tjera janë në projekte. Shqipëria do t’ju mbështesë ju plotësisht në çdo përpjekje për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin tuaj kombëtar, kulturor dhe në çdo përpjekje për shkollimin më të mirë tuajin. Natyrisht, ne bëjmë përpjekjet më të mëdha për marrëdhëniet më miqësore me Malin e Zi, vend i cili në momente kritike për Kosovën ka dhënë një kontribut shumë të çmuar.

Zoti kryetar,

Shpreh nderimin tim më të madh për festimet që ju u keni bërë ngjarjeve të mëdha të historisë kombëtare që kanë ndodhur në këtë zonë, ngjarje të cilat realisht ishin pararendëse të denja, të shkëlqyera të pavarësisë së Shqipërisë, ngjarje që frymëzuan shqiptarët, i trimëruan dhe inkurajuan ata në kohëra shumë të vështira që të ngrihen dhe të ngrenë në këmbë vendin e tyre. Jemi në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë. Ky vit duhet të na bashkojë ne në një përpjekje të madhe për të nderuar veprën e paraardhësve tanë, për të nderuar veprën e të gjithë atyre që sakrifikuan dhe u flijuan që ne sot të jemi njerëz të lirë, në nderim të të gjithë atyre që derdhën lumenj djerse për të vazhduar këtë vepër. Ne do ta shfrytëzojmë këtë akt, këtë moment të madh, për një vështrim të fuqishëm drejt të ardhmes, drejt Evropës.

Edhe një herë ju garantoj se Shqipëria do t’ju mbështesë ju plotësisht, në të gjithë përpjekjet tuaja për realizimin e projekteve të rëndësishme në këtë komunë”.


26/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›