Kryeministri Berisha përshëndet krijimin e Klubit të Biznesit Francë – Shqipëri

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në mbrëmje në ceremoninë e krijimit të Klubit të Biznesit Francë – Shqipëri, i cili synon të forcojë lidhjen e biznesit francez me biznesin shqiptar dhe të orientojë e mbështesë një sërë projektesh investimi franceze në Shqipëri.
Kryeministri Berisha i përshëndeti themeluesit e këtij Klubi dhe e konsideroj atë si një iniciativë jashtëzakonisht të rëndësishme. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh optimist për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike midis dy vende, ndërsa theksoi se interesit i madh i biznesit francez për Shqipërinë dhe potencialet e saj është në rritje.
Duke përmendur një sërë kompanish që janë prezente me investime apo kanë shfaqur interes të investojnë në Shqipëri, Kryeministri Berisha theksoi se “janë një seri fushash, për të cilat kemi rënë dakord me kryeministrin e Francës dhe qeveritarët e tjerë të lartë që të vendosim një bashkëpunim”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj të përshëndes përzemërsisht anëtarët themelues të ‘Club d’Affaires’ (Klubit të Biznesit) në Tiranë, të përshëndes zonjën ambasadore të Francës në Tiranë. Ajo ka pak kohë në Tiranë, por ka një vullnet të jashtëzakonshëm të inkurajojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke ndjekur me besueshmëri rrugën e paraardhësve të saj, zonjës Maryse Davie. Dëshiroj t’ju përshëndes juve zoti Julien Roche, miku i përhershëm i këtij vendi në marrëdhëniet ekonomike, zoti Hubert de Saint-Jean, si dhe t’ju siguroj që në këtë vend frankofon anëtarët e Klubit tuaj do të shtohen ditë për ditë. Dua me mirënjohje t’ju falënderoj për iniciativën tuaj dhe e konsideroj atë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Koha, siç e theksuat, është e veçantë, por krizat janë sfida nga të cilat dilet me një horizont të ri. Kriza e borxheve dhe e Euros ka pllakosur Evropën. Natyrisht, Shqipëria ndjen pasojat e saj, por realitetet duhet t’i njohim ashtu siç janë. Modeli shqiptar është model i bazuar në taksat më të ulëta, në dorën më të shkurtër të qeverisë, në peshën më të vogël të sektorit publik mbi sektorin privat, në standardet më liberale dhe gjithnjë në zgjerim.
Pak muaj më parë, me zëvendëspresidentin e Verbund inauguruam fazën e parë të hidrocentralit të Ashtës. Ai më tha këto fjalë -“për hidrocentralin e fundit që kam ndërtuar në vendin tim, prej disa megawat, më është dashur të shpenzoj rreth gjashtë vjet burokraci, ndërsa këtu e kam realizuar në një kohë rekord, një projekt disa herë më të madh”. Gjatë verës unë prita ministrin gjerman të Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillimit, z. Niebel. Drejtori i projektit të ujësjellësit Bogovë – Berat – Kuçovë, mençurish kishte paraqitur në fotografi të gjithë trajektoren e ujësjellësit. Ministri Niebel u ndal dhe i vështroi me interes ato. Ai u mahnit kur pa se punimet kishin filluar rreth pak më shumë se një vit më parë. “Kjo – tha ai – në vendin tim do të donte së paku gjashtë vjet”. Kjo, jo se fuqia ndërtuese e Gjermanisë krahasohet me të Shqipërisë, por sepse dora e kësaj qeverie është më e shkurtra në Evropë. Kjo përbën një lehtësim për ju.
Unë jam shumë optimist në të ardhmen e marrëdhënieve tona ekonomike. Jam dëshmitar i një interesi të madh në rritje të biznesit francez për Shqipërinë dhe potencialet e saj. Jemi dëshmitarë të një suksesi të biznesit francez në Shqipëri, çka përbën një pasaportë të shkëlqyer për Shqipërinë për një dëshmi sigurie për ata që do të investojnë.
Ne ishim në një konference të shkëlqyer të organizuar nga ministri francez i Ekonomisë dhe Energjetikës z.Besson. Ajo që më impresionoi më shumë ishin njohuritë dhe besimi i kompanive të mëdha franceze për potencialet e Shqipërisë, vullneti dhe vendosmëria e tyre për tu angazhuar në investime në këtë vend. Presidenti i CNR/GDF-Suez, gjatë takimit që pata me të, u shpreh se ‘Shqipëria mund të bëhet një basen i madh i energjisë së rinovueshme në Ballkan”. Interes të gjallë dëshmoi presidenti i TOTAL, zoti Kristof, njëshi në botë për naftën. ALSTOM po shqyrton të gjithë mundësitë e investimeve dhe ndërhyrjeve të mëdha në Shqipëri, në fushat e tij të shumta, si energji, infrastrukturë, hekurudha, etj. Qeveria po punon me kompaninë Sagem për të zgjeruar gamën e veprimtarive në fushën dixhitale. Janë një seri fushash të tjera, për të cilat kemi rënë dakord me kryeministrin e Francës dhe qeveritarët e tjerë të lartë që të vendosim një bashkëpunim.
Momenti është i veçantë. Shqipëria ka përgatitur për privatizim Albpertolin. Të gjitha të dhënat dhe studimet dëshmojnë së rezervat e naftës dhe të gazit në territoret shqiptare mund të jenë shumë të mëdha. Shqipëria ka në treg kaskadën e Vjosës, një nga kaskadat më tërheqëse të vendit. Kasakadat e tjera do të ndjekin rrugën e saj. Shqipëria ka në privatizim pesë hidrocentrale të vogla.
Potenciali i saj turistik po rritet me progresion gjeometrik çdo vit. Ndaj dhe në këto kushte, ju zotërinj të nderuar, themeloni këtë Klub. Unë jam i bindur se, në memorien e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, do të mbetet i shënuar si një ngjarje shumë e rëndësishme.
Edhe një herë ju falënderoj përzemërsisht.
Mbrëmje të mbarë!”
26/01/2012