E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim Kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Sadi Bexheti

Kryeministri Berisha priti dje në një takim Kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Sadi Bexheti dhe delegacionin që e shoqëronte atë.

Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi potencialet e mëdha që komuna e Tetovës ka, për bashkëpunim të gjithanshëm me Tiranën, por dhe me komuna e bashki të tjera të Shqipërisë. “Tetova ka një vend parësor në historinë tonë kombëtare dhe në këto vite ka njohur zhvillime shumë të rëndësishme në fushën e arsimit, në fushën ekonomike e në të gjitha fushat e tjera”, tha Kryeministri.

Kryetari i Komunës së Tetovës Sadi Bexheti e falnënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe për mbështetjen që ai i jep popullit shqiptar që jeton në Maqedoni. Kryetari i komunës së Tetovës e njohu Kryeministrin Berisha me projektet ambicioze që ai ka për zhvillimin e mëtejshëm të Tetovës. Në mënyrë të veçantë, ai u përqendrua në projektet e zhvillimit të turizmit dimëror në rajonin e Tetovës, i cili ka në këtë drejtim një nga potencialet më të mëdha në Ballkan.

Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Komunës së Tetovës diskutuan gjithashtu për nxitjen e përbashkët të investimeve në të gjitha fushat, për bashëpunimin në fushën e kulturës, arsimit dhe për aktivitetet e përbashkëta për të festuar 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë si një festë e të gjithë shqiptarëve, si një mirënjohje e kontributit nga të gjitha trevat shqiptare dhe si një moment i rëndësishëm për të përcaktuar vizionin e shqiptarëve drejt të ardhmes së tyre në BE.

Kryeministri Berisha e siguroi z. Bexheti se qeveria, në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera që ka me Maqedoninë, do të intensifikojë marrëdhëniet e gjithanshme me komunen e Tetovës dhe komunat e tjera me popullsi shqiptare nw kuadwr tw thellimit tw marrwdhwnieve me republikwn e Maqedonisë.

Nga ana e tij, z. Bexheti siguroi se Komuna që ai drejton është e hapur dhe po punon për krijimin e kushteve sa më të favorshme për investitorët dhe bizneset nga Shqipëria që duan të investojnë në Tetovë.


27/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›