Kryeministri Berisha: Zbatimi i projektit të Gazsjellësit Transadriatik do të shumëfishojë potencialin energjetik të vendit dhe sigurojë çmime të ulëta për konsumatorin shqiptar
Kryeministri Berisha ritheksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të marrëveshjes trepalëshe që sot firmoset në Athinë për projektin më të rëndësishëm rajonal, Gazsjellësin TransAdriatik.
Në nisje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri u shpreh se nga vënia në jetë e këtij projekti, qytetarët shqiptarë do të përfitojnë çmime shumë më të ulëta në furnizimin me energji për ngrohje dhe për gatim.
Kryeministri u shpreh se potenciali energjetik i vendit shumëfishohet dhe rëndësia nevralgjike e tij e bën Shqipërinë epiqendër e shpërndarjes së gazit në drejtim të Ballkanit të Veriut.
Lidhur me marrëveshjen, të parën e këtij lloji mes tre vendeve të rajonit, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot është një ditë e veçantë dhe kryefjala e mbledhjes është marrëveshja që firmoset sot në Athinë midis qeverisë shqiptare, asaj italiane dhe qeverisë greke për projektin më të rëndësishëm rajonal, Gazsjellësin TransAdriatik që do të sjellë gazin, nga fusha e gazit në detin Kaspik, Azerbajxhan, në Itali dhe në gjithë Ballkanin e veriut dhe më tutje. Një marrëveshje kjo e një rëndësie të jashtëzakonshme, një marrëveshje e parë e këtij lloji mes tre vendeve te rajonit, marrëveshje, nga e cila pas konkretizimit të projektit, Shqipëria përfiton dhe shumë qytetarë shqiptarë në procesin e gazifikimit të vendit do të kenë furnizimin me energji për ngrohje dhe për gatim me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimet e tanishme, pra do të shpenzojnë më pak për ngrohje dhe gatim.
Potenciali energjitik i vendit shumëfishohet, rëndësia nevralgjike e tij e bën Shqipërinë të jetë një epiqendër e shpërndarjes së gazit në drejtim të Ballkanit të Veriut. Depot natyrore të gazit në vend janë një avantazh shumë i madh për Gazsjellësin, por një avantazh shumë i madh edhe për Shqipërinë. Marrëveshja përbën dokumentin më kryesor që duhej, me ndikim të fuqishëm në vendimmarrjen e konsorciumit të fushës Shah Deniz.”
13/02/2013