Kryeministri Berisha: Revolucioni fiskal vazhdon, por asgjë që dëmton interesat e prodhuesve shqiptarë, nuk mund të pranohet nga kjo qeveri

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, kryeministri theksoi se qeveria është dhe do të mbetet në mbrojtje të prodhuesve shqiptarë, në mënyrë që të nxisë dhe ti japë jetë prodhimit vendas.
Kryeministri u shpreh se heqja e Tvsh-së për produktet ushqimore bazë si mielli, qumështi apo veza frenon prodhimin e vendit, duke dëmtuar prodhuesin shqiptar. Në këtë kontekst, Kryeministri qartësoi se qeveria nuk do të bjerë dakord me asnjë masë që dëmton interesat e këtyre prodhuesve.
Më gjerësisht, kryeministri u shpreh:
“Në udhëtimin që bëmë në Dardhe, mund tu them se u konsolidua bindja më e thellë se në zonat malore të vendit, investimet të përjashtohen nga taksat për 8 vjet dhe kjo nuk cënon aspak të ardhurat.
Kjo vetëm ndihmon një shpërndarje më të ndershme dhe më të drejtë të tyre. Kjo bën që malet deri dje, vende mundimi, të shndërrohen në vende dëfrimi, malet që deri dje ishin vende varfërie, të shndërrohen në vende mëkëmbje dhe jo ajo që propozohet që të hiqet Tvsh-ja për miellin dhe tua lëmë myzeqarëve, apo korçarëve, apo të tjerëve grurin në ara, sepse dikush ka lidhje me bizneset e miellit. Jo mor zotëri, ne nuk e bëjmë atë, se ti nuk rri në Shqipëri se po të rrish në Shqipëri dy gjëra shohin fermerët, motin dhe bursën, se si po u shkojnë çmimet. Në rast se ti propozon të heqësh Tvsh-në e miellit Ukraina apo Serbia këtu në rajon që është një prodhues i konsiderueshëm, prodhojnë grurë për këdo. Por problemi është se duhet të prodhojnë edhe fermerët tanë, sepse gruri është një kulturë që nuk kërkon kaq shumë mundim dhe sofistikime në mekanikë dhe duhet të mendojmë se kemi 50 % të popullsisë në fshat. Po ta heqim Tvsh-në për qumështin , nuk do të merret kush me bagëtinë në Shqipëri,paçka se të tjerët marrin nga 3 euro për lopë në ditë, si subvencion, kurse këta, i bien Shqipërisë, kryq e tërthor për të kullotur bagëtinë sipas stinëve, ndërsa këta thonë të heqim Tvsh-në dhe të vijë qumështi me çisterna. Unë e kuptoj dhe do të qëndroj prapa secilit që ka vështirësi për bukën e gojës dhe ka njerëz që kanë vështirësi, por sipas statistikave shumica nuk kanë vështirësi për bukën e gojës, dhe përderisa nuk kanë, duhet të pranojmë një shpërndarje, duhet të pranojmë që edhe ai që jeton atje, në Myzeqe, Berat, Shkodër apo kudo edhe ai të ketë mundësi të shesë me një çmim për të siguruar një fitim.
Shpërndarja e të ardhurave është problemi më i vështirë që në se nuk e mban parasysh përfundon me të ardhura 3-4 %. Zotëria e tij citon partinë dhe është e vërtetë. 5 % në partinë e tij kanë të gjithë pasurinë e PS se ajo mbante partinë. Në Shqipëri ka tregues ndërkombëtarë. Ginis i PS është ai që thotë kryetari i saj, 5 kompani janë 10 herë më të pasur se anëtarësia e partisë dhe i gjithë elektorati i saj. Biznesmenët zakonisht nuk kanë parti, prandaj po e them këtë, janë partia e biznesit ata. Ndaj dhe ta vazhdojmë revolucionin fiskal, por të kemi parasysh se si të nxisim biznesin, të kemi parasysh se si të ndikojmë një shpërndarje më të ndershme. Shpërndarja nuk bëhet kurrë duke menduar se si të dëmtojmë të pasurit. Ajo praktikë është faktuar në Shqipëri si praktika më katastrofale. Shpërndarja bëhet duke u kujdesur për të gjithë faktorët social, duke u kujdesur për rregullat. Është 9 % e GDP fatura sociale që kemi ne, më e larta, e kemi gjetur 6 %. Tani, ai thotë ta lëmë grurin në fushë, të mos mbjellim, të mos prodhojmë vezë. Ndërkohë që ne mund të eksportojmë vezë. Tani na thuhet të heqim Tvsh-në. Revolucioni fiskal vazhdon por asgjë që dëmton interesat e 50 % të shqiptarëve, që janë prodhues, nuk mund të pranohet nga kjo qeveri.
12/10/2011