Qeveria miraton dëmshpërblimin financiar edhe për 227 ish të dënuar politikë të regjimit komunist
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për dëmshpërblimin financiar për ish të përndjekurit politikë të regjimit komunist, i propozuar nga ministri i Drejtësisë.
Vendimi përcakton masat e dëmshpërblimit për 227 ish të dënuar politikë, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore dhe të cilët kanë vuajtur dënimin e kryer në burg nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, si dhe familjarët e të dënuarve me dënim kapital (të pushkatuar apo të ekzekutuar). Shuma e masave të dëmshpërblimit financiar, e përllogaritur sipas këtij vendimi, është në total 827 363 566 lekë.
Ky është vendimi i 20-të, në vijimësinë e vendimeve të mëparshme të qeverisë për dëmshpërblimin financiar të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.
12/10/2011