E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ruajtja dhe mbrojtja e mjedisit, përparësi kryesore në axhendën e qeverive vendore

-          Çështja  e mjedisit, përveçse çështje afatmesme dhe afatgjatë duhet të trajtohet pa diskutim edhe si çështje emergjence.

-          Do të behet çdo lloj ndryshimi në ligje, në mënyrë që të sanksionohen ndëshkimet ligjore për të gjithë ndotësit e mjedisit.

Kryeministri Berisha përgëzoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, autoritetet e qeverive vendore dhe subjektet, të cilat pas dekretit të qeverisë për largimin nga akset rrugore të makinave të hedhura, kanë reaguar me një shkallë të lartë përgjegjësie, duke qartësuar se do të veprohet sipas të gjitha procedurave ligjore ndëshkuese ndaj atyre që nuk kanë pranuar zbatimin e tij. “Nga kontrolli që ka bërë inspektoriati  i mjedisit në mbarë vendin, raportohet se janë larguar plotësisht nga vendndodhjet e tyre 317 grumbullime apo sic quhen në gjuhën  e përditshme, varreza makinash, janë në procesin e largimit 77 të tjera, janë në afate dhe unë shpreh vlerësimin për ta. Janë problematike vetëm 4 prej tyre dhe i garantoj se forca e ligjit do të veprojë dhe do të jenë në trajtim të barabartë me te gjithë qytetaret e tjerë.” u shpreh kryeministri.

Duke shprehur vlerësimin për qeveritë vendore, kryeministri bëri thirrje që në axhendën e tyre të përditshme të vendosin si çështje të parë, çështjen e mjedisit, si një kusht themelor për mbrojtjen  e shëndetit të njerëzve. “Në radhë të parë problemin e ndotjes  dhe shmangien e saj duhet ta konsiderojmë si një detyrim madhor për ruajtjen  e shëndetit të qytetarit në këtë vend.” tha kryeministri.

Duke sjellë si shembull qytetin e Korçës, për sa i përket mirëmbajtjes dhe pastërtisë së mjedisit, kryeministri kërkoi që të ketë iniciativa mbarëkombëtare për pastrimin dhe ruajtjen e mjedisit. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Mjedisit hartimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore, në mënyrë që ndotësit e mjedisit të ndëshkohen për dëmin e bërë. “Do të bëjmë çdo lloj ndryshim në ligje. Është inspektori, por është edhe i zgjedhuri i qytetarëve, pra përfaqësuesi vendor, të cilët duhet të jenë të vendosur ndaj çdo ndotësi të ambientit. Unë po pres nga ministria e mjedisit të gjitha ato sanksione të rrepta ligjore, të cilat prekin rrogën e qeveritarëve vendorë, të inspektorëve sigurisht, sepse sistemi që vendosen gjoba dhe paguan arka  e shtetit, do të ndryshohet.”

Duke folur për këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:

“Dua të falenderoj të gjitha qeveritë vendore, të falenderoj edhe subjektet, të cilat pas dekretit të qeverisë për largimin nga akset rrugore të makinave të vjetruara,  të hedhura kanë reaguar me një shkallë të lartë përgjegjësie. Nga kontrolli që ka bërë inspektorati  i mjedisit në mbarë vendin raportohet se janë larguar plotësisht nga vendndodhjet e tyre 317 grumbullime apo siç quhen në gjuhën  e përditshme, varreza makinash, janë në procesin e largimit 77 të tjera dhe janë në afate dhe unë shpreh vlerësimin për ta. Janë problematike vetëm 4 prej tyre dhe i garantoj se forca e ligjit do të veprojë dhe do të jenë në trajtim të barabartë me te gjithë qytetaret e tjerë.

Meqenëse jam në këtë pikë, duke shprehur vlerësimin për qeveritë vendore edhe njëherë dua tu bej thirrje që në axhendën e tyre, çështje të parë të vendosin çështjen e mjedisit, si një kusht themelor për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Studimet e universiteteve me serioze në botë kanë faktuar se sot 40 % e vdekjeve janë direkt të shkaktuara nga ndotjet  e ajrit, e ujit, e tokës, pra në radhë të parë problemin e ndotjes dhe shmangien e saj duhet ta konsiderojmë si një detyrim madhor për ruajtjen  e shëndetit të qytetarit në këtë vend. Nuk ka më dyshime, është gjithçka e faktuar se unaza e hidrokarbureve , është thellësisht kancerogjene. Unë mora këtë shembull për të mos thënë unaza të grupeve të tjera të substancave, pasi kjo nuk është  e vetmja. Ndaj dhe ftoj qeveritarët vendorë, në themel të politikës zhvillimore të komunave dhe të bashkisë të vendosin mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Nuk është më pak e rëndësishme paraqitja, estetika.

Unë këtë fundjavë isha në Dardhë. Nga Korça deri në hotelin ku u ndala për kafe nuk të kapte syri një copë letër. Përse ne të mos kemi këtë iniciativë në të gjithë Shqipërinë. Pse ne të mos e bëjmë këtë iniciativë mbarëkombëtare. Ne duhet të bëjmë një luftë të vendosur kundër plehrave.

Ne, zoti Mediu duhet ti autorizojmë ata, me të gjithë fuqinë për mbrojtjen e ambientit. Do të bëjmë çdo lloj ndryshim në ligje. Eshtë inspektori, por është edhe i zgjedhuri i qytetarëve, të cilët duhet të jenë të vendosur ndaj çdo ndotësi të ambientit. Ecën rrugës dhe sheh një kamion që hedh mbetje plastike apo mbetje të tjera. Sigurisht, këto nuk i hedh komuna. Këto i hedh dikush në territorin e rrugës. Kjo është një veprimtari kriminale, e cila duhet të hetohet me çdo kusht nga policia kriminale apo instanca të tjera. Dhe komuna, bashkia duhet të jenë së bashku me mjedisin, të bëjnë ndjekjen përfundimtare. Ne kemi një mjedis të bukur, kemi peizazhe mahnitëse, por nese has në plehra ato reduktohen në simbolin që ato paraqesin.

Unë po pres nga ministria e mjedisit të gjitha ato sanksione të rrepta ligjore, të cilat prekin rrogën e qeveritarëve vendorë, të inspektorëve sigurisht, sepse ky lloj sistemi që vendosen gjoba dhe paguan arka  e shtetit, do të ndryshohet. Ç’detyrim kanë banorët pse kryetari nuk kujdeset për shëndetin e tyre? Kjo është çështje shëndeti, kjo është çështje e parandalimit të sëmundjeve më të rrezikshme të kohës. Dhe në kryeqytet duhet të bëhen matje, në rast se ka tejkalime duhet të bisedohet me autoritet vendore në mënyrë që të lëvizin me targa çift e targa teke dhe këtë po e bëjnë metropolet e të gjithë Evropës, sepse nuk mund kurrsesi të helmojmë njerëzit. Tirana ka nevojë për punë të mëdha për të krijuar një trafik tjetër dhe bashkia po merret me këtë, por emergjencës i përgjigjemi me emergjencë. Ç’detyrim kanë dhjetëra e mijëra fëmijë të kryeqytetit të thithin blozën e skapamentove të veturave, jashtë të gjitha standardeve. Ndaj dhe ju lutem ta konsiderojmë këtë dhe çështjen  e mjedisit, në çdo rast çështje emergjence, pra jo vetëm afatmesme dhe afatgjatë, por edhe emergjence. Duhet një kontroll më i rreptë i kimikateve që përdoren në bujqësi. Nga vetë përbërja  e tyre ato përbëjnë një rrezik real në qoftë se tejkalohen dozat, por në shpërbërjen e tyre askush nuk mund ta parashikojë se çfarë nënproduktesh krijohen dhe që kërcënojnë rëndë jetën e njerëzve. Ne renditemi në një pozicion të mirë si vend, po në këtë renditje ka diferenca shumë të mëdha. Kështu diferenca midis Tiranës dhe Alpeve është diferenca midis natës dhe ditës, përsa i përket ndotjeve. Mora këtë shembull se në qytet e mëdha si në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe kudo ne duhet ti qëndrojmë në mënyrën më të vendosur ndaj ndotjes dhe ndotësve.


12/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›