E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën e Çajupit, 425 milion lekë, rrugën e Nokovës, 26 milion lekë dhe inspekton punimet në sistemimin e lumit Drino, në qarkun e Gjirokastrës

Gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, Kryeministri Berisha inspektoi punimet e sistemimit të lumit Drino, të cilat konsistojnë në rehabilitimin e shtratit të lumit në një gjatësi prej 2.8 kilometra dhe që përfshijnë pastrimin e mbetjeve, thellimin e shtratit të lumit dhe rikonstruksionin e argjinaturës së tij. Punimet për sistemimin e lumit, që arrijnë vlerën e 98 milion lekëve, do të bëjnë të mundur një përmirësim të ndjeshëm të kushteve për banorët  qytetit dhe fermerët  e zonës, duke eliminuar  përmbytjet në lagjet e  poshtme të qytetit dhe nënstacionin elektrik.

Gjatë 5 viteve të fundit investimet në sistemin e fushave të Gjirokastrës, Dropullit, Odries, Valares dhe Lazaratit kanë arritur në vlerën e 135 milion lekëve.

Duke vijuar më tej,  Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës së Çajupit me gjatësi 28.5 kilometra, gjerësi 4.5 metra dhe vlerë investimi 425 milion lekë. Nga kjo rrugë do të përfitojnë 9 mijë banorë të fshatrave Valare, Shëntodher, Kakoz, Karjan, Kellez, Dhoksat, Qestorat, Mingul, Nokovë të komunës Lunxhëri, si dhe gjithë fshatrat e komunës Zagorie.

Rruga e re, e cila fillon nga Ura e Aznakut dhe përfundon në Çajup e bën distancën Gjirokastër – Çajup 22 kilometra dhe të përshkueshme në 25 minuta nga 2.5 orë që ishte  më parë.

Rruga, e ndërtuar në përputhje me të gjitha parametrat moderne, evidenton më tepër bukuritë turistike të Çajupit dhe Lunxhërisë, duke i dhënë një nxitje të madhe turizmit malor dhe etno-kulturor.

Gjatë 6 viteve të fundit, në komunën e Lunxhërisë janë ndërtuar 35 kilometra rrugë, 2 ujësjellës, 1 shkollë, është drenazhuar fusha  e Valaresë, si dhe janë subvencionuar 40 hektarë pemëtari. Ndërsa gjatë 5 viteve, në Qarkun Gjirokastër, Tepelenë e Përmet janë investuar dhe janë në proces mbi 300 milionë euro. Janë ndërtuar 338 kilometra rrugë kombëtare e rurale, 97 sisteme  ujësjellës-kanalizime, 64 shkolla e kopshte, 40 objekte të trashëgimisë kulturore, 27 qendra shëndetësore  e spitalin rajonal, janë subvencionuar 410 hektarë pemëtari dhe mbi 1000 fermerë  e blegtorë.

Kryeministri Berisha inauguroi gjithashtu rrugën e fshatit Nokovë, me gjatësi 2 kilometra dhe vlerë 26 milion lekë.

Në përshëndetjet e tij, drejtuar banorëve të komunave Lunxhëri dhe Zagori, Kryeministri Berisha u shpeh:

“Ju përshëndes shumë përzemërsisht juve, të gjithë banorëve të Lunxhërisë dhe të Zagorisë dhe shpreh kënaqësinë time që sot inaugurojmë së bashku një nga rrugët më të bukura turistike të vendit, rrugë që sjell në majën e Çajupit, këtij mali frymëzues për pamjen, frymëzues për pasuritë e tij. Kjo rrugën, e cila ka një gjatësi prej rreth 28 kilometra, kalon nëpër fshatrat Shëntodhër, Kakoz, Karjan, Këllez, Dhoksat, Qestorat, Mingul, Nokovë të komunës Lunxhëri dhe prej saj përfitojnë të gjithë fshatrat e luginës tjetër të bukur, mahnitëse, siç është lugina e Zagorisë.

Ju garantoj juve, banorëve të Zagorisë, se kjo rrugë do të vijë deri në Zagori dhe se fakti se aty ka tani pak banorë veçse më shtyn edhe më shumë që ta ndërtojmë sa më shpejt atë, sepse Zagoria është një nga luginat më të bukura të Jugut e mbarë Shqipërisë. Ka qenë izolimi i saj gjeografik dhe asgjë tjetër, se, nga ana tjetër, është një nga luginat me biodiversitetin më të madh e më të mirë në vend dhe sëbashku me luginën e Lunxhërisë e të Pogonit formon një mrekulli të vërtetë natyrore. Një mrekulli që ne duam t’ua bëjmë të njohur, së pari, sa më shpejt të gjithë shqiptarëve, por t’ia bëjmë të njohur edhe vizitorëve nga mbarë Europa e bota.

Shqipëria është një vend me pasuri të jashtëzakonshme turistike. Një vit më parë, teksa bisedoja me një zyrtar të lartë të një vendi tjetër, i them se Shqipëria është një Zvicër me det, por, sapo bëra këtë cilësim, e pashë se bashkëbiseduesit, mikut tim, i ra një çehre tjetër në fytyrë. Do të të bjerë rasti të vish në Shqipëri, - i thashë - dhe ajo që të kërkoj është që, kur të fluturosh, të kthesh kokën nga malet e deti dhe do të më kujtosh mua, kur të thashë se është Zvicër me det. Ndodhi që ai erdhi para disa muaj në Shqipëri dhe ishte i mahnitur nga pamja që kishte parë, në njërën anë, deti dhe vargmalet e pafundme me borë, në anën tjetër. Por problemi ynë është se, në rast se bregdeti na u bë i famshëm dhe vitin që kaloi Shqipëria u shpall ‘e bukura e dheut’ për turizmin në botë, magjinë e maleve tona pakkush e njeh. Së pari, nuk e njohin vetë shqiptarët, për të cilët malet kanë qenë vende mundimi e sakrificash dhe kur nuk e njohin vetë shqiptarët, atëherë çfarë mund të themi se e njohin të huajt. Është detyra jonë të bëjmë gjithçka që shqiptarët, çdo ditë e më shpejt e më shumë, të zbulojnë bukuritë magjepsëse të këtij vendi. Një vend në 3/4 e tij me kodra e male. Një vend, i cili për malet e shumta e të panumërta që ka është edhe vendi me lartësinë mesatare më të madhe në Europë, më të madhe se çdo vendi tjetër. Nuk kemi majat më të larta, por nga Gramozi gjer në Jezercë janë të panumërta malet me mbi 2 mijë metra lartësi.

Ne u përqendruam fillimisht në Ultësirën Bregdetare, por ju jap fjalën se me të njëjtin përkushtim do të përqendrohemi drejt platformës malore të Shqipërisë. Kam kënaqësinë t’ju informoj se nga e marta që kaloi e gjer më sot, në harkun kohor prej një jave, në drejtim të zonave malore, ne kemi inauguruar duke filluar me Gjinarin e në zona të tjera rreth 70 kilometra rrugë. Vetëm sot, në rrethin e Gjirokastrës ne inaugurojmë 36 kilometra rrugë, kjo rrugë që të sjell në fushën e majës së Çajupit, rruga tjetër që të çon në kodrat e Jermës në Parkun Kombëtar të Antigonesë, të martën inauguruam rrugën e Gjinarit, një nga zonat më të bukura turistike, po ecim e do të ecim drejt të gjitha zonave malore të vendit.

Malet e Shqipërisë kanë pasuri të pafundme minerare, kanë rezerva botërore kromi, rezerva botërore nikeli, rezerva botërore hekuri, bakri e polimetalesh dhe tani së fundi edhe floriri. Por floririn më të madh e kanë mbi tokën e tyte, në shpatet, thepat, kreshtat, livadhet e malet e tyre, ndaj dhe ne do të bëjmë që këtë vend, të cilin natyra e ka bërë Zvicër me det, ta bëjmë një Zvicër të vërtetë, të investojmë kudo. Sot, në këtë fushë, siç e shihni, nuk ka ndonjë ndërtime, nuk ka investime, por ato nuk mund të bëheshin pa ndërtuar rrugën. Brenda një kohe të shkurtër, qeveria do të kalojë ligjin, me të cili do të përjashtohen nga taksat çdo investitor që investon në zonat malore, në hotele, klube dhe investime të tjera. Sikundër, do të ngremë infrastrukturën, me përparësi të madhe.

Këto janë hapat e para, por duhet të dini se janë hapa shumë serioze, se, nga Valbona deri në fushën e Çajupit, ne po ndërtojmë rrugë. Kështu, ne po ndërtojmë në Valbonë, po ecin drejt Shishtavecit, pranverën e ardhshme inaugurojmë atë të Korabit, po shkojmë drejt Stërblevës, siç kemi ecur drejt Gjinarit, kemi ndërtuar në Korçë të gjitha rrugët e zonave turistike, në Vithkuq, Voskopojë, Prespë, do të ndërtojmë rrugën drejt Bredhit të Oktrovës, drejt Nemërçkës dhe Tomorrit. Ne do të bëjmë që shqiptarët t’i duan, t’i njohin dhe t’i çmojnë zonat e tyre malore. Ne do të bëjmë gjithçka që Europa e bota t’i njohë ato. Mbi të gjitha, unë jam shumë optimist, sepse këto male, kudo, kanë një zemër të florinjtë, zemrën e banorëve të tyre, të cilët jam i bindur se vizitorët e parë të tyre, do t’i bindin të rikthehen përsëri e përsëri dhe në këtë mënyrë, ne do të bëjmë që Shqipëria të vazhdojë të mbetet në krye të listës së turizmit europian e botëror.

Edhe një herë, ju uroj për rrugën që inauguruam, një nga rrugët më të bukura të vendit dhe ju garantoj se do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo rrugë të komunës Lunxhëri, komunës Zagori, komunës Pogon dhe të gjitha komunave të këtij vendi. Ne jemi angazhuar para jush se aty, ku ju jetoni, do të krijojmë ato kushte që kanë qytetarët shqiptarë në qytetet e tyre. Faleminderit.”


11/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›