Kryeministri Berisha: Rishqyrtimi i kritereve të mbrojtjes së doktoraturës, i domosdoshëm për kalimin nga sasia në cilësi
Kryeministri Berisha kërkoi sot, një rishqyrtim tërësor të kritereve të mbrojtjes së doktoraturës, duke forcuar kriteret e dhënies së saj. Kryeministri e solli këtë çështje, në mbledhjen e qeverisë, si një problem serioz që kërkon vëmendje, veçanërisht theksimi i dimensionit ndërkombëtar dhe kontrollit rigoroz për to. Duke e konsideruar dimension ndërkombëtar të domosdoshëm për të ecur nga sasia në cilësi, Kryeministri tha se doktoratat nuk duhet të shihen si “letra indulgjence”.
“Kushdo që do të mbrojë doktoratën është i mirëpritur dhe ne do të gjejmë edhe stimuj për këtë, por duhet ta mbrojë në prani të stafit kombëtar e ndërkombëtar. Po vazhduam kështu mund të ndodhë që një ditë të gjejmë më shumë doktorë shkencash, sesa të graduar me diplomë universitetesh,” - u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, në vlerësimin e Kryeministrit, rishqyrtim kërkon edhe kriteri i përqindjes së impaktit të punimeve shkencore në mbrojtjen e doktoraturës, duke e rritur në mënyrë thelbësore këtë përqindje.
Për të rritur mbështetjen ndaj atyre që doktorohen në një kategori të përcaktuar universitetesh, Kryeministri informoi se punësimi i tyre do të jetë i detyruar, duke i ftuar të konkurrojnë edhe me pozicionet drejtuese në administratën shtetërore.
Në fjalën e tij, Kryeministri tërhoqi vëmendjen për konstatimin e rasteve të abuzimit në rekrutimin e stafit akademik, duke kërkuar nga ministri i Arsimit adresimin e këtij problemi. “Jam çuditur kur kam konstatuar – u shpreh Kryeministri - se ka degë që mbajnë 280 pedagogë të jashtëm, kundrejt 30 pedagogëve të brendshëm. Kjo është absolutisht e papranueshme dhe jo qëllimmirë. Është si ta shpërndash përgjegjësinë e të ruash karrigen, sepse kur plotësohen stafet ka konkurrencë e kritere të brendshme.”
Në vijim, fjala e Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë lidhur me këtë çështje:
“Në mbledhjen e sotme dua të trajtoj problemin e doktoraturave në sistemin e arsimit të lartë. Sistemi që ne vendosëm është një sistem që përputhet tërësisht me Bolonjën dhe synon një përshtatshmëri më të madhe të mundshme me kërkesat e tregut, synon përfilljen e karrierës akademike, synonin konsolidimin e këtyre institucioneve dhe të arsimit të lartë në tërësi.
Natyrisht, në Shqipëri, ky sistem vendoset në kushte të pabarabarta me vende që kanë universitete qindravjeçare, me vende me histori të gjatë lirie, me vende që kanë trashëgimi të jashtëzakonshme pozitive në fushën e kërkimit shkencor dhe akademik. Për këto arsye, me vendimet tona, ne kërkuam të zgjerojmë, thellojmë e konsolidojmë dimensionin ndërkombëtar në universitetet tona. Ky dimension është i domosdoshëm në përpjekjet tonë për të ecur nga sasia në cilësi.
Ne kemi bërë disa hapa të jashtëzakonshëm, në një kohë të shkurtër. Ne kemi vendosur ndër treguesit më të mirë në botë, në përqindjen e maturantëve që ndjekin universitetet. Sot janë mbi 520 programe në universitetet e shkollat tona të larta. Dora-dorës po rriten ndjeshëm stafet pedagogjike. Por, zoti ministër, duhet të marrin fund abuzivitetet në këtë fushë. Jam çuditur kur kam konstatuar se ka degë që mbajnë 280 pedagogë të jashtëm, kundrejt 30 pedagogëve të brendshëm. Kjo është absolutisht e papranueshme dhe jo qëllimmirë. Është si ta shpërndash përgjegjësinë e të ruash karrigen, sepse kur plotësohen stafet ka konkurrencë e kritere të brendshme. Natyrisht, ka një rritje të ndjeshme të stafit akademik në universitete, por ne detyrimisht duhet të ecim drejt standardit të OECD-së ose të Bashkimit Europian, të numrit të pedagogut për studentë.
Lidhur me doktoraturat, në ligjin tonë, ne kemi përcaktuar se ato kërkojnë praninë akademikëve, profesorëve nga universitete të tjera të Europës e botës. Ne kemi marrë përsipër mbështetjen financiare për këtë proces, por e vërteta është se ka universitete dhe duhet ta theksoj kryesisht private, të cilat e respektojnë plotësisht këtë kriter, por në tërësi ky kriter injorohet. Duhet të mos pranohet qoftë edhe një doktoratë e vetme që nuk zbaton ligjin e këtë kriter. Doktoratat nuk janë letra indulgjence. Kushdo që do të mbrojë doktoratën është i mirëpritur dhe ne do të gjejmë edhe stimuj për këtë, por duhet ta mbrojë në prani të stafit kombëtar e ndërkombëtar. Po vazhduam kështu mund të ndodhë që një ditë të gjejmë më shumë doktorë shkencash, sesa të graduar me diplomë universitetesh. Ne e inkurajomë plotësisht këtë dhe universitetet duhet të shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet e tyre për të doktoruar studiuesit, por doktorata është një çështje shumë serioze që duhet të mbrohet në përputhje me ligjin. Duhet të shqyrtohen kriteret, të rritet në mënyrë thelbësore përqindja e rolit të impaktit të punimeve shkencore. Kjo të jetë një nga faktorët kryesorë. Një doktorant, i cili kishte një impakt faktor në punimet e tij më të madh se të gjithë ata që e vlerësonin, më tha se e sorollatnin.
Një vendim i qeverisë për të doktoruarit në një kategori universitetesh do të jetë i detyruar punësimi i tyre. Madje, në qoftë se kanë publikime shkencore origjinale, të rëndësishme, ata mund të konkurrojnë edhe me kreun e shërbimit, të sektorit apo të drejtorit të administratës. Duhet ta fillojmë ta praktikojmë këtë kriter, sepse vetëm të mira do të kemi nga kjo.
Një rishqyrtim tërësor i dimensionit ndërkombëtar i këtyre çështjeve, një kontroll rigoroz për to duhet të bëhet. Unë e di që këtë nuk e pëlqejnë kaq shumë, por ky është një nga faktorët, nëse duam të rendim drejt cilësisë. Dhe ne duhet të rendim drejt cilësisë.”
25/07/2012