E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri të Mbretërisë së Norvegjisë në Shqipëri, rezident në Prishtinë, z.Jan Braathu

Kryeministri Berisha takoi sot ambasadorin e ri të Mbretërisë së Norvegjisë në Shqipëri, rezident në Prishtinë, z.Jan Braathu

Kryeministri Berisha i uroi ambasadorit Braathu mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re. Kryeministri vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve si shumë të mira dhe me potencial të madh për zhvillim të mëtejshëm për bashkëpunim dypalësh, veçanërisht në fushën e ekonomisë.

Nga ana e tij, ambasadori norvegjez shprehu kënaqësinë për pritjen dhe marrjen e detyrës si ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë në Shqipëri.  Ai e siguroi Kryeministrin për angazhimin e tij të plotë për çuarjen përpara të raporteve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë.

Në takim, u diskutua mbi potencialet e mëdha që ofron Shqipëria për investitorët norvegjezë ku, me interes të veçantë janë ato të energjisë hidrike, hidrokarbureve, turizmit, teknologjisë së informacionit etj. Kryeministri vlerësoi si shumë të suksesshme investimet norvegjeze në Shqipëri, ku kompani si Statkraft shërbejnë si simbol i këtij suksesi. Ambasadori norvegjez Braathu i vlerësoi kompanitë Statkraft dhe Statoil si lokomotivat e investimeve të ardhshme norvegjeze dhe se, në të ardhmen, Shqipëria mund të kthehet në vendin e investimeve më të mëdha norvegjeze në rajon.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë strategjike që do ketë për Shqipërinë, rajonin dhe Evropën projekti i gazsjellësit TAP, si dhe diskutuan për koordinimin e përpjekjeve për përfundimin me sukses të këtij projekti.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon. Ambasadori norvegjez vlerësoi rolin aktiv të Shqipërisë në ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Kryeministri theksoi se ruajtja e kufijve ekzistues është në interesin më të mirë të kësaj paqeje dhe stabiliteti.


25/07/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›