Kryeministri Berisha: Rruga e Arbrit shumëfishon marrëdhëniet tregtare dhe marrëdhëniet e gjithanshme me Maqedoninë mike
- Shpreh kënaqësinë e madhe që këtë vit do të fillojë në Peshkopi universiteti i Peshkopisë. Edhe ky është një premtim tjetër elektoral. Ju i meritoni të gjitha premtimet dhe realizimin e tyre, ndaj unë ju jap fjalën se çdo premtim që kam dhënë para jush, do ta shndërroj në realitet.
Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për sistemim asfaltimin e rrugës Ura e Cerenecit – Peshkopi (Maqellarë – Peshkopi ) loti 2. Kjo rrugë fillon në Maqellarë dhe lidhet me rrugën e Arbrit, përmes segmentit Ura e Cerenecit – Bllatë.
Kryeministri vlerësoi shumë të rëndësishme lidhjen e këtij segmenti rrugor me rrugën e Arbrit, për zhvillimin e kësaj zone, duke theksuar se ndërtimi i këtij segmenti është një premtim elektoral i mbajtur i qeverisë.
Kryeministri u shpreh se rruga e Arbrit shumëfishon marrëdhëniet tregtare dhe marrëdhëniet e gjithanshme me Maqedoninë mike dhe bën që gjithë portet e Shqipërisë të jenë gjithnjë e më të përzgjedhur e më të përshtatshme, për Maqedoninë dhe për Bullgarinë perëndimore. “Rruga e Arbrit do të jetë rruga e fluksit të madh turistik”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje se është në ndërtim e sipër dhe rruga që lidh Peshkopinë me Kukësin. Kjo rrugë lidh Peshkopinë me tregun e Kosovës, me Prizrenin, me Prishtinën, pra hap një perspektivë të madhe zhvillimi për qarkun e Peshkopisë. “Me përfundimin e kësaj rruge dhe në rrugës së Arbrit, Peshkopia do të ketë lidhjet më moderne më Tiranën, Prishtinën, Shkupin”, theksoi Kryeministri.
Gjithashtu, së shpejti do të nisë ndërtimi i rrugës që bashkon Peshkopinë me Librazhdin.
Kryeministri tha se një tjetër premtim elektoral i mbajtur i qeverisë, është çelja këtë vit e universitetit të Peshkopisë. “Shpreh kënaqësinë e madhe që këtë vit do të fillojë në Peshkopi universiteti i Peshkopisë. Edhe ky është një premtim tjetër elektoral. Por ju i meritoni të gjitha premtimet dhe realizimin e tyre, ndaj unë ju jap fjalën ju se çdo premtim që kam dhënë para jush, do ta shndërro në realitet”, tha Kryeministri Berisha.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, me mirënjohjen më të thellë, ju falënderoj për mbështetjen e madhe që na dhatë në 28 qershor dhe për mbështetjen që i keni dhënë gjithnjë Partisë Demokratike dhe demokracisë shqiptare.
Së dyti, duke përshëndetur çdo dibrane dhe dibranë, kudo që ndodhen sot, unë shpreh kënaqësinë time, se sot inaugurojmë fillimin e punimeve të rrugës së Arbrit drejt Peshkopisë, pra segmentin e saj drejt Peshkopisë, një premtim elektoral ky i qeverisë sime. Unë po vij nga Bulqiza. Aty inauguruam një segment tjetër të kësaj rruge, që është gjithashtu një rrugë e një rëndësie shumë të madhe për Peshkopinë, Bulqizën, Matin, por edhe për mbarë kombin shqiptar. Rruga e Arbrit është shndërrimi në realitet i një ëndrre të banorëve të këtyre zonave, të të gjithë shqiptarëve të trevave të tjera, të lidhura shpirtërisht dhe pazgjidhshmërisht me Dibrën, me Tiranën dhe mbarë Shqipërinë.
Rruga e Arbrit është vepër madhore, e cila do të përfundojë brenda 2 viteve të ardhshme. Kjo rrugë bën të mundur që banorët e Peshkopisë, të Maqellarës, Bulqizës dhe gjithë këtyre zonave, të vijnë në Tiranë në një kohë mbi 2 herë më të shkurtër dhe në kushte shumë herë më komode se sa në rrugën ekzistuese. Rruga e Arbrit gjithashtu shkurton distancën midis Shkupit dhe Tiranës, me mbi 100 kilometra. Ajo i afron zonat shqiptare të Maqedonisë me Tiranën, Durrësin, Vlorën, shkurton distancën e tyre me vendin, me Shqipërinë, rreth dy herë.
Rruga e Arbrit shumëfishon marrëdhëniet tregtare dhe marrëdhëniet e gjithanshme me Maqedoninë mike, bën që gjithë portet e Shqipërisë të bëhen gjithnjë e më të përzgjedhur e më të përshtatshme, për Maqedoninë dhe për Bullgarinë perëndimore. Rruga e Arbrit do të jetë rruga e fluksit të madh turistik. Këtë verë qindra e mijëra qytetarë maqedonas me origjinë shqiptare dhe jo shqiptare, kanë kaluar pushimet në brigjet e Shqipërisë. Në shprehim mirënjohjen më të thellë ndaj tyre dhe bëjmë zotimin solemn se do të bëjmë çdo gjë që atë ta përfundojmë brenda dy viteve, në mënyrë që ata të vijnë në Shqipëri në kushtet më komode. Këtë rrugë ata dhe gjithë shqiptarët e meritojnë plotësisht.
Zonja dhe zotërinj
Një rrugë tjetër është në ndërtim e sipër dhe kjo është rruga që lidh Peshkopinë me Kukësin. Në të vërtetë, kjo rrugë lidh Peshkopinë me tregun e Kosovës, lidh Peshkopinë me Prizrenin, me Prishtinën, pra hap një perspektivë të madhe zhvillimi për qarkun e Peshkopisë. Me përfundimin e kësaj rruge dhe në rrugës së Arbrit, Peshkopia do të ketë lidhjet më moderne më Tiranën, Prishtinën, Shkupin.
Kushdo që vjen në Dibër, kushdo që lexon për dibranet e dibranët, frymëzohet nga shpirti i tyre punëtor. Ju nuk lini pëllëmbë tokë pa punuar, pa e qëndisur me mundin dhe djersën tuaj. Të paktë janë ata që bëjnë përpjekjet tuaja për një jetë më të mirë, ashtu siç i bëni ju. Unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë, qeveria ime do të mbështesë më shumë se kurrë këto përpjekje, ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjithë sistemin vaditës të tokave tuaja, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjithë sistemin e ujësjellës - kanalizimeve në zonat tuaja, do të financojmë çdo dru frutorë të mbjellë nga ju, do të subvencionojmë çdo përpjekje për përpunimin e prodhimeve të mrekullueshme tuaja. Do të ngremë të gjithë infrastrukturën e duhur në mënyrë që ju të kapni me këto prodhime, tregun e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit.
Unë kam bindjen se Peshkopia e katër viteve që vijnë do të jetë një peshkopi krejtësisht tjetër. Së bashku, në çdo fshat të këtij rrethi, do të luftojmë varfërinë. Fermerët e Peshkopisë duhet ta dinë se ata kurrë nuk do të ndihen të braktisur, sepse ne kudo do të ndërtojmë infrastrukturën moderne. Ne respektojmë plotësisht zgjedhjen e tyre për lëvizje të lirë, apo përpjekjet e tyre për të ndërtuar jetën aty ku ata e gjykojnë më të mirë për ta. Sikundër, nuk do të ketë të braktisur, nuk do të ketë të lënë mënjanë apo të harruar. Kudo që ata të ndodhen, në Zall- Reç, në Lurë e në çdo territor tjetër të këtij vendi.
Së shpejti do të nisë ndërtimi i rrugës që bashkon Peshkopinë me Librazhdin. Në këtë mënyrë, ne urbanizojmë këtë rreth të mrekullueshëm, në këtë mënyrë ne bëjmë që ju të kapni tregun dhe të rrisni prodhimet tuaja.
Unë shpreh kënaqësinë e madhe që këtë vit do të fillojë në Peshkopi universiteti i Peshkopisë. Edhe ky është një premtim tjetër elektoral. Por ju i meritoni të gjitha premtimet dhe realizimin e tyre, ndaj unë ju jap fjalën ju se çdo premtim që kam dhënë para jush, do ta shndërro në realitet.
Edhe njëherë, dua t’ju falënderoj me shumë mirënjohje për mbështetjen që na keni dhënë dhe ju garantoj se atë mbështetje do ta shndërrojmë në rrugë moderne, shkolla moderne, në mbështetje të fuqishme për fermerët e Peshkopisë, do ta shndërrojmë në kanalizime, në sisteme vaditjeje, ujësjellësish, do ta shndërrojmë në një infrastrukturë që do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore jetën tuaj kudo që ju banoni”.
23/08/2009