Kryeministri Berisha takon ish kryetarin e Asamblesë Parlamentare të KE-së, zotin Rene Van der Linden

Kryeministri Berisha priti në një takim të përzemërt, Ish Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotin Rene Van der Linden.
Zoti Van der Linden falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen si dhe i shprehu urimet më të përzemërta për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, duke e cilësuar këtë fitore si shumë të rëndësishme dhe të dobishme për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshem të vendit si dhe si një fitore të rëndësishme për të djathtën europiane dhe konsolidimin e saj.
Zoti Linden nënvizoi në këtë aspekt suksesin e reformave të gjithanëshme të ndërmarra nga qeveria nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, suksesi i të cilave solli antarësimin e Shqipërisë në NATO.
Kryeministri Berisha theksoi se antarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të jetë në fokusin e qeverisë dhe se ky është një proces i bazuar në meritat dhe realizimin e reformave dhe standarteve për të cilat qeveria është e vendosur t’i plotësojë.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Linden me panoramën e zhvillimit ekonomik të vendit si dhe hapat e ndërmarra nga qeveria për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha të vendit si psh në turizëm, energji, miniera, bujqësi etj dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin e huaj. Në këtë aspekt Kryeministri u shpreh se edhe investitorët holandezë janë të mirëpritur dhe se investimi i tyre do të jetë një histori suksesi.
Zoti Van der Linden shprehu gadishmërinë e tij për të nxitur investitorët holandezë për të investuar në Shqipëri, duke theksuar se Shqipëria ka ende shumë potenciale të pashfrytëzuara në ekonomi, turizëm, kulturë, arsim, bujqësi etj dhe që ngjallin interes të madh tek investitorët e huaj.
Zoti Linden u ndal dhe në projektin holandez mbi arsimin e lartë pasuniversitar në Shqipëri si dhe në rëndësinë e një sistemi cilësor të arsimit privat në vend.
Kryeministri Berisha theksoi se reformat në arsim janë dhe do të jenë forca nxitëse për qeverinë e cila do të mbështesë fuqishëm projekte të tilla të rëndësishme dhe forcimin e sistemit arsimor privat në përgjithësi.
24/08/2009