Kryetarja e Kuvendit takon zv. Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grossruck.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi sot një takim me zv. Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grossruck, i cili shoqërohej nga ambasadori i OSBE Robert Bosch, ambasadori i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Andrea Nothelle dhe kryetarin e delegacionit të OSBE-së në parlamentin zvicerian, Christian Niesch.
Kryetarja e Kuvendit falëndëroi përfaqësuesit e OSBE-së për misionin e tyre vëzhgues duke vlerësuar prezencën dhe punën e tyre gjatë zgjedhjeve në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit tha se fushata shumë pozitive, infrastruktura moderne zgjedhore e aplikuar për herë të parë, vullneti maksimal në arritjen e standardeve bënë që këto zgjedhje të ishin më të mirat. Për herë të parë mbi gjysma e popullsisë u pajis me kartat e identiteti, u realizua për herë të parë regjistri elektronik i zgjedhësve dhe nuk pati asnjë vërejtje mbi listat zgjedhore. Për herë të parë u miratua me konsensus një kod zgjedhor i propozuar nga Partia Socialiste dhe po me konsensus u ngrit edhe Komisioni Qendror Zgjedhor.
Ajo theksoi se numri shumë i pakët e apelimeve, 20 herë më i vogël se në zgjedhjet e kaluara dhe vota për herë të parë unanime e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rezultatetin përfundmtar, janë dëshmi e një procesi shumë të mirë zgjedhor dhe e maturisë së shoqërisë dhe politikës shqiptare.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi si një hap shumë pozitiv dhe shenjë të përgjegjshmërisë së lartë, faktin që të gjithë komisionerët e majtë e të djathtë firmosën procesverbalet dhe tabelat e rezultateve, pa shënuar asnjë vërejtje.
Përfaqësuesit e OSBE-së thanë se në këto zgjedhje pati përmirësime të mëdha dhe ishin më të mira se pritshmëritë. Ata vlerësuan transparencën në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe vullnetin që këto zgjedhje të ishin më të mirat e zhvilluara në Shqipëri.