E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë ftesën në NATO

Përshëndes të gjithë shqiptarët në këtë ditë që ndan historinë e Shqipërisë nga epoka e pasigurisë në epokën e sigurisë të lirive të shqiptarëve, në epokën e të ardhmes së tyre. Liria dhe e ardhmja kanë qenë një binom i pandarë në të gjithë shekujt. Ne, si komb kemi mbijetuar, por nuk kemi ndërtuar dot të ardhmen, sepse nuk kemi qenë të lirë. Sot, jemi të lirë e sigurojmë liritë tona në Aleancën politike dhe ushtarake me vendin më të fuqishëm të botës, me vendet më të fuqishme të Europës dhe ecim të sigurt drejt fatit që na pret.

Cilat kanë qenë reagimet në takimet direkte me liderët europianë zoti Berisha?

Kryeministrit: Ka qenë ai i një urimi jashtëzakonisht shumë të përzemërt. Unë kam shfrytëzuar rastin për t’u shprehur mirënjohjen më të thellë për besimin e jashtëzakonshëm që vendosën mbi Shqipërinë dhe jam zotuar me solemnitet se këtë besim do ta shndërrojmë në një zotim të madh për të realizuar sa më shpejt standardet e një vendi të lirë, të denjë për anëtar të plotë të Aleancës politike dhe ushtarake më të suksesshme të të gjitha kohërave.

Zoti Kryeministër, e meritonim të ishim anëtare të NATO-s apo thjesht na pranuan?

Kryeministri: E meritonim plotësisht. Në këto 16 vite, shqiptarët kanë dëshmuar luajalitet dhe bashkëpunim të ngushtë e të gjithanshëm me NATO-n.  Shqiptarët janë transformuar më shumë se të gjitha kombet e tjera ish komuniste, po të marrim parasysh se nga e nisëm. Dy diktatorët më të egër të Europës ish komuniste kanë qenë Çaushesku në Rumani, i cili, krahas përgjakjes dhe mizorive të tij, ndërtoi edhe këtë Pallat. Ndërsa diktatori ynë mbushi Shqipërinë, kodrat, malet, fushat, qytetet, fshatrat e brigjet e saj me qindra e mijëra bunkerë, që, e theksoj edhe një herë, do të mjaftonin për të ndërtuar nga e para të gjitha piramidat e Egjiptit, madje do të tepronin. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk mund të mos kishte një rrugë pak më të gjatë se të tjerët, por e rëndësishme është që ajo, nëpërmjet reformave të thella e të gjithanshme, që, vetëm 5 ditë më parë, u vlerësuan nga zyrtarët e NATO-s dhe vendet anëtare të saj që janë njëkohësisht anëtare të Bashkimit Europian si frymëzuese për rajonin. Këto reforma u njohën, u legjitimuam dhe bënë që të ketë unanimitet të plotë dhe asnjë vërejtje për t’i ofruar ftesën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këtë kontekst, kam ardhur me bindjen se  do të merrnim ftesën dhe se e meritojmë atë. Natyrisht vendimi fisnik u takonte atyre që e morën sot.

Zoti Berisha, marrja e ftesës ka më shumë detyra për Shqipërinë, sesa entuziazëm?

Kryeministri: Marrja e ftesës sigurisht ka detyra të rëndësishme, por nuk mund të mos ketë entuziazëm. Vendi e kombi ynë, realisht i stërhequr në të shkuarën e tij, veçanërisht shekulli që shkoi ishte një shekull tejet i rëndë për të, tani hyn në një etapë të re, jo vetëm është i lirë, por ka të sigurt liritë e tij, të ardhmen e tij. Kjo përbë arritjen më të madhe të qytetarëve të lirë, të një kombi të lirë.

Kjo rrit reputacionin e Shqipërisë në botë, rrit besimin e investitorëve dhe turistëve të huaj tek Shqipëria. Këto janë të një rëndësie të jashtëzakonshme.

A është e gatshme Shqipëria dhe mund t’i kryejë detyrimet e saj brenda një periudhe një vjeçare për t’u bërë anëtar me të drejta të plota, në Samitin e Strasburgut në 2009?

Kryeministri:  NATO ka qenë dhe mbetet një nga qëllimet më madhore të jetës sime. Në këtë kontekst, duke qenë i vendosur që kurrë të mos humbas durimin për të punuar për anëtarësimin e plotë të vendit tim, do të bëj çdo përpjekje që ky akt të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.

Zoti Kryeministër, nesër pasdite do të zhvillohet një tubim i opozitës. A keni ndonjë koment për këtë lëvizje të re të PS-së?

Kryeministri: Së pari, dua të përshëndes opozitën dhe të gjitha forcat politike të Shqipërisë, të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces.

Ndërhyrja e gazetarit - Zoti Majko ishte i pari që ka uruar mbrëmë për ftesën

Kryeministri: Zoti Majko dhe zoti Meta, në një kohë kur forca e tyre politike ka qenë në një barrikadë tjetër, kanë qenë promotorë të pro atlantizmit në forcën e tyre politike, e cila më vonë ka luajtur rol pozitiv në procesin e integrimit. Për sa i përket manifestimit të ditës së nesërme, unë shpreh kënaqësinë që vendi im është vend i lirë dhe opozita është e lirë të bëjë të gjitha zgjedhjet e saj. Unë do të vazhdoj me vendosmërinë më të madhe të kompletoj procesin e  anëtarësimit të plotë të Shqipërisë e shqiptarëve në NATO.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›