Kryeministri Berisha prezanton arritjet e Shqipërisë në Samitin e atlanticistëve të rinj

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Bukuresht mori pjesë sot paradite në Panelin e organizuar nga Këshilli i Atlantikut të SHBA-ve për Atlanticistët Rinj, i zhvilluar në kuadër të Samitit të NATO-s.
Në këtë panel, Kryeministri Berisha ndodhej së bashku me Kryeministrin kroat Sanader dhe homologun maqedonas Gruevski.
Të tre kryeministrat paraqitën arritjet e vendeve përkatëse ne rrugën drejt integrimit ne NATO, si dhe pikëpamjet dhe idetë e tyre për të ardhmen e sigurisë në rajon.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha paraqiti rezultatet e reformave të gjithanshme të ndërmarra në Shqipëri me qëllim realizmin e dy projekteve madhore të kombit shqiptar, integrimin në NATO dhe në BE.
Kryeministri theksoi se shqiptarët kërkuan të parët anëtarësimin në NATO dhe mbështesin më shumë se çdo komb tjetër këtë anëtarësim, pasi ata shohin tek NATO garancinë më të madhe të lirive të tyre dhe sigurinë më të madhe të të ardhmes së tyre.
Kryeministri i njohu pjesëmarrësit me përpjekjet e bëra në këto 17 vjet për ta shndërruar Shqipërinë nga vendi i izolimit më të thellë dhe i lirive të mohuara me kushtetutë, në një vend tërësisht të hapur, partnere e ngushtë e NATO-s, e cila jep kontributin e saj real në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit e me gjere.
Më pas, kryeministri u ndal në reformat më të rëndësishme të vendit, duke veçuar reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Kryeministri u shpreh se konsolidimi i sistemit gjyqësor ka njohur përparim real në Shqipëri, si një kusht përcaktues për funksionimin e shtetit ligjor. Kryeministri vlerësoi klimën pozitive të bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe opozita për kompletimin sa me shpejt te gjitha aspekteve të kësaj reforme te rëndësishme.
Më pas, duke folur për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në fushën ekonomike, Kryeministri Berisha theksoi se qëllimi më madhor i këtyre reformave është rritja e shpejtë ekonomike dhe shndërrimi i Shqipërisë ne vendin më tërheqës për investimet e huaja. Ekonomia shqiptare, u shpreh kryeministri është një ekonomi e re, entuziaste dhe dinamike.
Në përfundim, Kryeministri Berisha siguroi për angazhimin e qeverisë shqiptare për të intensifikuar përpjekjet për të gjitha reformat e kërkuara, duke garantuar, në të njëjtën kohë, qëndrueshmërinë dhe pakthyeshmërinë e reformave, ne mënyre qe Shqipëria te kontribuoje denjësisht në sigurinë e zonës Euro-Atlantike.