E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Anëtarësimi në NATO do të thotë se Shqipëria dhe shqiptarët mund të ndërtojnë të sigurt të ardhmen e tyre

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Bukuresht për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që zhvillohet në Rumani nga 2-4 prill, pati kontakte dhe zhvilloi intervista të shumta me mediat më prestigjioze dhe agjencitë e lajmeve të huaja.

Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të Reuters TV, Associated Press, Televizionit kombëtar Suedez, BBC  etj.

Kryeministri Berisha u shpreh se delegacioni i nivelit të lartë është shumë optimist për ditën e 3 prillit. Shqipëria e meriton ftesën për anëtarësim në NATO, tha Berisha në vijim.

“Ne kemi bërë progres të ndjeshëm në zhvillimin e reformave për një demokraci funksionale, për një ekonomi tregu të lirë dhe për një ushtri moderne. Trupat shqiptare janë përkrah trupave të NATO-s në Afganistan, Irak, Bosnje dhe po përgatitet një njësi tjetër për të marrë pjesë në misionet  paqeruajtëse në Cad. Shqipëria ka ofruar të gjithë kapacitetet e saj për misionet e paqes që NATO ka ndërmarrë në rajon.”

Pyetjes se a do të ndikohet marrja e ftesës së Shqipërisë nga vetoja greke ndaj Maqedonisë, Kryeministri Berisha iu përgjigj duke iu referuar qëndrimit të shpallur të NATO-s se secili vend i Kartës së Adriatikut A3 do të vlerësohet individualisht dhe jo në bllok.

Kryeministri Berisha theksoi më tej  se “do të doja shumë të shikoja një zgjidhje, pasi mendoj se një kompromis duhet të arrihet. Maqedonia ka një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.”

Ftesa e NATO-s, tha Kryeministri, është pasaporta më e mirë që shqiptarët kanë patur ndonjëherë dhe kjo është një besueshmëri e madhe për integrimin e shpejtë në BE, është një beueshmëri e madhe për investitorët që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, pasi do të ndjehen më të sigurt.

Kryeministri Berisha u shpreh gjithashtu se “Ftesa e NATO-s për Shqipërinë është një inspirim i mirë edhe për Kosovën që të punojnë shumë për t’u anëtarësuar në NATO.”

Kurorëzimin e përpjekjeve të gjata të Shqipërisë për t’u integruar në strukturat euroatlantike, Kryeministri Berisha e vlerësoi si “më të rëndësishmin në fushën e sigurisë së vendit, që nga shpallja e pavarësisë deri më sot dhe momentin më të madh politik pas shpalljes së pluralizmit dhe vendosjes së tij.”

NATO,  shtoi ai, është garanti më kryesor i lirisë së vendeve, por edhe i lirive individuale, në kuptimin se është klub, është organizatë e vendeve të shoqërive lira. Anëtarësimi në NATO do të thotë se Shqipëria dhe shqiptarët mund të ndërtojnë të sigurt të ardhmen e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›