Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhënë për mediat lokale të Vlorës

Kryeministri Berisha gjatë vizitës në Vlorë dha një konfererencë për shtyp për mediat lokale të Vlorës, ku ndër të tjera, Kryeministri iu përgjigj interesimit të tyre lidhur me kartat e identitetit dhe mbarëvajtjes së këtij procesi:
Kryeministri Berisha: Procesi i pajisjes me karta të qytetarëve shqiptar është një proces i shkëlqyer. Unë të ftoj ty si media që tu paraqesësh qytetarëve të Vlorës të vërtetën e këtij procesi. Në Shqipëri është një kompani, mbase e dyta në botë, për këtë çështje, e cila po pranon të funksionojë prej më se dy muajsh, vetëm me një të tretën e kapacitetit. Ajo ka një kapacitet, për së paku 40 mijë qytetarë në ditë, ndërsa qytetarët shqiptarë paraqiten 14 mijë deri në 17 mijë në ditë. Ka hapur dhe paguan rreth 500 qendra në mbarë vendin. Shqipëria, nuk është vendi ku pjesëmarrja në zgjedhje është e detyruar me ligj. Të tilla ka tre apo katër vende të botës. Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është në vullnetin e tyre, është e mirëpritur, por është në vullnetin e tyre. Duan apo nuk duan ata të bëhen pjesë, megjithë dëshirën tonë, nuk u diktohet dot me ligjet e vendit. Karta është problem i inegzistent. Por, problemi është se Edi Rama nuk vuri veten në krye të listës se në mënyrë absolute nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Unë po them se në mënyrë kategorike zgjedhjet nuk do të shtyhen asnjë orë, asnjë ditë dhe do të bëhen do apo s’do Edi Rama. Detyra jonë ishte që të pajisnim qytetarët me karta, ata që duan, detyra jonë ishte të ofronim çmimet më të ulta, detyra jonë ishte të pranonim propozimet e tyre, ndonëse përmbajnë abuzim të qartë. Dhe ne e bëmë këtë.
Ne mund të bëjnë çdo gjë, por njeriun e certifikatave nuk e fusim dot me zor në zgjedhje. Nuk ka njeri që e fut dot Edi Ramën në zgjedhje. Ai ka bërë turpin e papërsëritshëm në historinë e pluralizimit evropian dhe botëror, që të nisë forcën e tij politike në betejën elektorale duke mos qenë vetë në listë.
Këtë mund ta bënte vetëm sekretari i parë. Nuk mund të them pse e bën këtë ai. Janë lejet e bashkisë, janë disfatat, janë arsye të tjera. Zhurma që bëhet për kartat është zhurma që bëhet për të mbuluar vendimin e Edi Ramës për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet do të zhvillohen ditën e caktuar, do të zhvillohen sipas standardeve më të mira. Kjo qeveri ka krijuar kushte të shkëlqyera si asnjëherë më parë. Listë elektronike, regjistër elektronik, karta e identitetit. Edhe njëherë e theksoj se kjo kompani që ka një kontratë me këtë vend, po funksionon, po pranon të paguajë njëqind për qind qendrat e saj që bëjnë vetëm një të tretën e punës që u takon të bëjnë. Nuk shkohet në zgjedhje me mendësi të shkuara. Ata që duan të marrin pjesë janë të mirëpritur, të tjerët me zor nuk i marrim dot.
03/06/2009