Kryeministri Berisha: Shqipëria mori vendin që meriton mes kombeve të lira
Kryeministri Berisha deklaroi dje gjatë një konference për shtyp pas zyrtarizimit të marrjes së ftesës për në NATO se, Shqipëria mori vendin që meriton duke u renditur në mesin e kombeve të lira.
Duke iu referuar historisë së vështirë të shqiptarëve veçanërisht gjatë diktaturës komuniste, Kryeministri Berisha theksoi se pas shpalljes së Pavarësisë, vendi ishte i qeverisur aq keq sa që nuk arriti të marrë vendin që i takonte mes vendeve demokratike.
“Nga mesi i viteve `50 në një traktat ushtarak u rreshtuan diktaturat që kishin vetëm një qëllim të vetëm, të mbronin diktaturën. Sot vendi dhe kombi rreshtohen në një Aleancë politike dhe ushtarake, shtyllën kryesore të lirisë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vendet e mëdha të botës së lirë. Sot, Shqipëria hyn në të ardhmen e saj të sigurtë, pasi forma më e fuqishme, më e sigurtë e një vendi është siguria kolektive dhe e tillë është NATO”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke renditur disa nga përfitimet e shqiptarëve nga anëtarësimi në NATO, Kryeministri Berisha theksoi se me marrjen e kësaj ftese shqiptarët fitojnë sigurinë e të ardhmes së tyre, dhe mund të ndërtojnë me gjeninë e tyre krijuese të ardhmen që meritojnë, do të fitojnë kredencialet që i meritonin, por që kanë pasur kurrë më parë. “Shqiptarët vendosen mes kombeve të lira me të gjitha vlerat të gjitha detyrimet të gjitha përgjegjësitë. Unë mendoj se pas pavarësisë së Shqipërisë që shënoi ditëlindjen reale të vendit, anëtarësimi në NATO është ngjarja më e rëndësishme për Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Realisht ftesa nuk është fundi i kësaj rruge, nënvizoi më tej Kryeministri, por ftesa është një fillim i ri, por është një moment inspirimi shumë i thellë për të proceduar me reforma të gjithanshme në mënyrë që sa më shpejt të përfundojnë negociatat dhe ratifikimet në mënyrë që vendi të hyjë si anëtar me të drejta të plota në këtë Aleancë të bekuar.
“Me këtë rast dua të falenderoj me mirënjohjen më të thellë SHBA-në për mbështethjen e fuqishme dhe të jashtëzakonshme që u kanë dhënë aspiratave tona, që janë ndihma e madhe për përmbysjen e diktaturës komuniste nga Presidenti Xhorxh Bush, ndihma e madhe për ndërtimin e demokracisë dhe vlerave të saj nga Preesidenti Klinton, ndihma e jashtëzakonshme e Presidentit Xhorxh W. Bush”, nënvizoi Kryeministri.
Duke iu referuar dashamirësisë amerikane ndaj shqiptarëve, Kryeministri solli në vëmendje një takim me ambasadoren amerikane në NATO, e cila e informoi se Presidenti Bush ishte interesuar personalisht për ecurinë e reformave në Shqipëri. “Por një mirënjohje të jashtëzakonshme unë kam për të gjitha vendet anëtare të Aleancës, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, e cila u bë një nga avoketërit tonë në këto përpjekje.
“Sot vendet anëtare të Aleancës kanë vendosur një besim të paprecedent ndaj Shqipërisë në historinë e saj. Siç e dëgjuat unë nuk kisha fjalë tjetër përveçse të bëja një zotim solemn se ky besim do të shndërrohet në një përkushtim të madh për reforma dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për të realizuar standardet për të merituar anëtarësimin e plotë”, nënvizoi më tej Kryeministri
Kjo, vijoi më tej Kryeministri, është një ditë e rëndësishme shumë edhe për NATO-n, jo se NATO shtrin hapësirat e saj në një territor të madh, por shtrihet në dy vende që kanë aspirata të rëndësishme pro-atlantiste, në dy vende, të cilat e bëjnë të sigurtë Krahun e saj Juglindor.