E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr mesazhe urimi nga personalitete të larta të politikës botërore

-Personalitete të larta politike dhe ushtarake, pjesëmarrës në Samitin e NATO-s në Bukuresht, uruan Kryeministrin Berisha për marrjen nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO

Kryeministri Berisha mori pjesë në darkën që Presidenti i Rumanisë, zoti Traian Basescu shtroi në nder të personaliteteve të larta politike dhe ushtarake, pjesëmarrës në Samitin e NATO-s në Bukuresht. Ndër të tjerë, të pranishëm në këtë darkë ishin Presidenti amerikan Xhorxh W.Bush, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, Kryeministri britanik Gordon Brown, Kancelarja gjermane Angela Merkel, etj..
Personalitetet e larta politike e uruan përzemërsisht Kryeministrin Berisha për këtë arritje të madhe të Shqipërisë, marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Më tej, ata i shprehën Kryeministrit Berisha vlerësime tepër pozitive për ecurinë e reformave në Shqipëri, si dhe për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për vazhdimin e mëtejshëm të reformave me qëllim anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në NATO si anëtare me të drejta të plota.
Personalitetet e larta të politikës botërore shprehën vlerësime mjaft pozitive dhe për kontributin që Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë dhënë përkrah misioneve ushtarake të NATO-s në Afganistan, Irak, Bosnje Hercegovinë, etj..Gjithashtu, ata përshëndetën vendimin qeverisë shqiptare për shtimin e trupave ushtarake shqiptare në Afganistan.
Gjatë darkës, Kryeministri Berisha zhvilloi biseda me disa nga të pranishmit si Kryeministrin e Australisë z. Kevin Rudd, Kryeministrin e Norvegjisë z.Jens Stoltenberg, Kryeministrin e Estonisë z. Andrus Ansip, Kryeministrin e Hollandës z.Jan Peter Balkenende dhe Presidentin e Turqisë z.Abdullah Gül.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›