E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: T’u njihet shtetësia shqiptare qytetarëve me origjinë shqiptare dhe shtetasve të huaj që investojnë 100 mijë euro në Shqipëri

Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e qeverisë, rishqyrtimin e ligjit “Për shtetësinë”, me synim vendosjen e standardeve të reja në trajtimin e kësaj çështjeve. Ndryshimet në këtë ligj, tha Kryeministri, synojnë njohjen e shtetësisë shqiptare me ligj shtetasve të huaj që investojnë 100 mijë euro në Shqipëri, si dhe të gjithë qytetarëve me origjinë shqiptare, në përputhje kjo me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e heqjes së vizave dhe përcaktimet ligjore. Për këtë çështje, Kryeministri u shpreh:

“Ligji “Për shtetësinë” duhet të rishqyrtohet dhe të përcaktojë disa standarde të reja. Duke ruajtur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja me Bashkimin Europian për heqjen e vizave, Shqipëria duhet t’u njohë shtetësinë shqiptare të gjithë atyre shtetasve të huaj që kanë apo investojnë mbi 100 mijë euro në territorin e saj. Kjo është një masë që i jep një shkallë më të lartë sigurie atyre që vendosin të zhvillojnë e zbatojnë projektet në këtë vend, atyre që duan të blejnë vila për të kaluar kohë pushimesh apo tjetër në Shqipëri.

Ligji duhet të përfshijë Dekretin për Shtetësinë, i miratuar nga Presidenti në vitin ’94, ta inkorporojë dhe ta përpunojë atë. Ligji duhet të përcaktojë kushtet, në të cilat ata që kanë investuat 100 mijë euro, natyrisht, nuk duhet të kenë penalitet, marrin shtetësinë shqiptare. Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e heqjes së vizave, shtetësinë shqiptare duhet ta marrin të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare, në përputhje kjo me përcaktimet e Dekretit, në mos gaboj, të mesit të vitit ’94. Pra, duhet ta ridimensionojmë qëndrimin dhe ta orientojmë këtë masë drejt nxitjes së investimeve. Dëshira për të investuar në Shqipëri dhe për të pasur shtetësinë shqiptare është reale. Shumë biznesmenë ma kanë kërkuar, - nuk është se nuk është dhënë apo është ndaluar - por tani duhet t’u jepet me ligj.”


07/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›