E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Të gjitha komunat e rrethit të Hasit do të lidhen me rrugë të asfaltuara me boshtet kombëtare të rrugëve

Në fjalën e mbajtur në takimin me banore të Hasit, kryeministri Berisha u shpreh:

“Qytetarë dhe qytetare të Hasit,

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Përshëndetjet më vëllazërore, ju, hasjanëve dhe hasjaneve. Mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju i dhatë Partisë Demokratike që në themelimin e saj, mbështetjen e madhe tuajën gjatë këtij mandati, mandat në të cilin ne së bashku ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO.

Të dashur hasjane dhe hasjanë,

Dua të përulem me nderimin më të madh dhe me respektin më të thellë para veprës tuaj, para qëndresës tuaj, para burrërisë tuaj në të gjithë përpjekjet e mëdha të kombit për liri dhe dinjitet.

Ju, nga lidhja e Prizrenit e deri më sot, keni qenë në krye të këtyre përpjekjeve, por përpjekja juaj titanike për Kosovën do të mbahet mend në të tëra kohërat e historisë sonë. Pas vendosjes se kufirit, ndarjes së Hasit nga Kosova dhe Kosovës nga Shqipëria, Hasi u shndërrua në trevën kryesore të përpjekjes së shqiptarëve për lirinë e Kosovës. Këtu nga Hasi trimat legjendar të Kosovës, Azem Galica, vazhduan betejën për dhjetëra vite kundër pushtimit barbar serb. Por Hasi në fundin e viteve ’90, sërish në krye me gjakun e djemve të tij, me trimërinë dhe burrërinë e tyre për lirinë e Kosovës.

Krenaria ime, kënaqësia ime është sot e jashtëzakonshme në këtë takim me ju, sepse ne patëm fatin të bëjmë atë që duhej për të lehtësuar kështu brengën e madhe të baballarëve dhe gjyshërve tanë që u dogjën për Kosovën dhe nuk e panë dot të lirë.

Qytetarë dhe qytetare të Hasit,

Kam ardhur sot tek ju për të kërkuar votën dhe besimin tuaj, për Hasin evropian dhe për Shqipërinë evropiane. Të vazhdojmë së bashku rrugën që kemi nisur, të vazhdojmë së bashku, sepse katër vitet që vijnë Hasi do të ketë ngjyrën e bukur evropiane. Rruga Krumë - Qafë Prushi është një arterie e madhe e kombit, por jam sot këtu përpara jush për t’ju dhënë fjalën e nderit se në katër vite, në Hasin tuaj nuk do të ketë pëllëmbë rruge të paasfaltuar. Të gjitha komuna e këtij rrethi do të lidhen me rrugë të asfaltuara me boshtet kombëtare të rrugëve.

Kruma do të lidhet me rrugën e re me Kukësin, sikundër do të ketë dhe rrugën drejt Fanit. Shumë vite jam përpjekur që ju të vendoseni tërësish nën ujë. Sot dua të zotohem se rezervuari i Qarrit të Vogël do të jetë nga veprat e reja ujitëse për tokat tuaja dhe ju do të jeni përfituesit kryesor të pasurive të mëdha nëntokësore të trevës tuaj. Gjithashtu,  dua t’i garantoj fermerët dhe blegtorët e Hasit se qeveria ime do të financojë çdo projekt të tyre për rritjen e prodhimit, qoftë të kulturave bujqësore, qoftë të blegtorisë.

Vëllezër dhe motra,

Po shkojmë drejt ditës së madhe, ditës së fitores sonë. Kam një thirrje për ju, për zgjedhësit e Tropojës, të Kukësit, të Sarandës, të Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë; i thërrisni vajzat dhe djemtë tuaj nga emigracioni, le të votojnë për Hasin evropian dhe për Shqipërinë evropiane. Ata duhet të vijnë, sepse ata kanë dhënë dhe japim ndihmesën e jashtëzakonshme në këtë ndryshim të madh dhe epokal të Shqipërisë. Duhet të vijnë, sepse vendi i tyre është sot anëtar i NATO-s, duhet të vijnë që me votën e tyre të ndihmojnë për Shqipërinë evropiane dhe për Hasin evropian.

Vëllezër dhe motra,

Thirrja ime vëllazërore për ju, demokratë, socialistë, të pa parti, hasjanë të ndershëm kudo që jeni, asnjë votë majtas. Të votosh majtas do të thotë të votosh mbrapa, të votosh majtas do të thotë ti pengosh Shqipërisë në përpjekjet e saj në rrugën evropiane.

Qytetarë dhe qytetare të Hasit,

Unë ju respektoj ju, respektoj pluralizmin dhe mendimin ndryshe, por ju kujtoj se kur serbi ju bombardonte, kur djemtë tuaj flijoheshin për lirinë e Kosovës, një këngëtar famëkeq serb, Goran Bregovic, u këndonte himne hordhive dhe barbarëve serb, barbarive të tyre ndaj shqiptarëve. Ky këngëtar ka marrë dy vjet më parë Çelësin e Artë të bashkisë së Tiranës, nga Edi Rama. Asnjë votë majtas, asnjë votë për atë që kontrollon himnizuesin e barbarive mbi ne. Votat për Hasin evropian, votat për Shqipërinë evropiane.

Më 28 qershor ju do të votoni 10-ën, se në fakt ju jeni vetë 10-a; 10-a është me ë mira, ju jeni më të mirët; 10-a është fitorja, ju jeni fitorja; 10-a është e vërteta, ju jeni e vërteta; 10-a është Hasi, ju e doni Hasin; 10-a është Shqipëria, ju e doni Shqipërinë; 10-a është Partia Demokratike, 10- a është Evropa.

Rrofshi ju!

Rroftë Hasi!

Rroftë Shqipëria!”


16/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›