E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Kukës: Takohemi sot, pasi çamë malin e Thirrës, për të shënuar bashkimin gjeografik dhe shpirtëror të kombit shqiptar

Kryeministri Berisha u ndal sot në mbrëmje në Kukës, ku zhvilloi një takim me banorë të tij. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Kukësit,

Vëllezër e motra,

Zonja e zotërinj

Përshëndetje vëllazërore dhe mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh për ju, për mbështetjen e madhe e të jashtëzakonshme që  ju, burrat e gratë e këtij rrethi, djemtë e vajzat e tij, i dhatë Partisë Demokratike, i dhatë qeverisë sime, mbështetje, e cila bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, mbështetje që bëri të mundur që Kukësi dhe mbarë Shqipëria të jetë e gatshme për liberalizimin e plotë të vizave gjatë vitit të parë të mandatin tonë të dytë, mbështetje, e cila bëri të mundur që së bashku të realizojmë projektet më të mëdha të jetës sonë, që së bashku të shndërrojmë në realitet gjigandin e kombit, korridorin e shqiptarëve Tiranë-Durrës-Kukës-Morinë-Prishtinë.

Qytetare e qytetarë të Kukësit

Të gjithë në këtë shesh, të gjithë burrat e gratë, djemtë e vajzat e këtij rrethi kanë sot të drejtë të shohim njëri-tjetrin drejt e në sy, të krenohen me njëri-tjetrin, sepse përpjekja e tyre mbi një shekull për Kosovën e lirë e të pavarur, mbështetja e tyre  madhe dha kontributin e vet dhe sot, në këtë shesh, takohemi pasi Kosova është bërë e lirë, është bërë e pavarur. Ne takohemi në këtë shesh, pasi çamë malin e Thirrës, për të shënuar kështu bashkimin gjeografik dhe shpirtëror të kombit shqiptar.

Qytetare e qytetar të Kukësit, rruga e kombit është rruga e të gjitha rrugëve, por dua t’u them këtu se edhe sikur fare të mos i shërbente tjetër kujt, përveçse juve, ajo rrugë ai vlente njëqind dhe njëmijë herë të ndërtohej, për t’ju afruar ju dy orë e më shumë me kryeqytetin,të ndërtohej edhe për t’ju shpërblyer ju pranverën e vitit ’99, kur ju mbrojtët nderin e kombit shqiptar, mbrojtët nderin e qytetërimit perëndimor. Ju hapët zemrat e votrat tuaja dhe strehuat në këtë rreth të bekuar mbi 200 mijë shqiptarë nga Kosova. Kurrë historia e kombit nuk do ta harrojë fisnikërinë tuaj. Ndaj atyre që deklarojnë se rruga nuk do lidhë Prishtinën me Tiranën do t’u them se jeni thjesht gënjeshtarë të mjerë, por edhe sikur rruga të lidhte vetëm Kukësin me Tiranën, çdo kuksian e meritonte atë.

Qytetare e qytetarë të Kukësit

Ne takohemi sot, pas 4 vitesh përpjekjesh të ndershme, përpjekjesh të sinqerta dhe sot, Kukësi dhe Shqipëria është krejt ndryshe. Kukësi sot nuk është më një rreth izoluar, por nyje kryesore e transportit të kombit shqiptar. Kukësi sot është buzë një horizonti të ri të madh. Në këtë rreth janë në ndërtim e sipër apo për t’u ndërtuar 20 hidrocentrale të reja, ndër të cilat Skavica, një prej më të mëdhenjve në Shqipëri. Kukësi ka rezervat ndër më të mëdhatë minerare të vendit. Kukësi ka potenciale ndër më të mëdhatë turistike.

Dua t’i them zotit Rama, që erdhi këtu e derdhte lot krokodili se me paratë e rrugës do të asfaltoheshin rrugët e Kukësit: zoti Rama duhet ta mësosh se rrugët e këtij qarku po asfaltohen të gjithë, duhet të mësosh se rruga Sopot-Krumë e Kukës e tëra është në ndërtim, se më 1 korrik hapet tenderi për lotin e parë Krumë-Kukës, se më 1 korrik hapet tenderi për lotin e parë Kukës-Shishtavec. Unë dua të garantoj banorët e Shishtavecit se rrugën do ta ndërtojmë, fjalën time do ta mbaj e doganën do ta hapim dhe do ta shndërrojmë Shishtavecin në një nga epiqendrat e mëdha turistike të vendit. Rrugën për në Kala të Dodës po e ndërtojmë të standardeve më të mira. Dua t’u them se në katër vitit që vijnë, në këtë qytet, në këtë rreth e në këtë qark nuk do të ketë metër rrugë të pa asfaltuar.

Katër vitet që vijnë, ne takohemi me Europën si qytetarë që do të kemi të gjitha rrugët e asfaltuara, si qytetarë të një vendi që do eksportojmë energji në rajon dhe Europë, si qytetarë që do të kemi ujë 24 orë në shtëpitë tonë, si qytetarë që do të paguhemi në paga e pensione më mirë se 6 vende anëtare të Bashkimit Europian, si qytetarë të një vendi, ku fëmijët tanë do mësojnë në shkollat më moderne dhe të sëmurët tanë do të kurohen në spitalet më moderne. Ky është Kukësi evropian. Kjo është Shqipëria europiane.

Qytetare dhe qytetarë të Kukësit

Nga ky shesh i historisë sonë kombëtare, le t’i adresojmë të gjithë së bashku një thirrje të ndershme e miqësore të gjithë socialistëve të Kukësit e të mbarë Shqipërisë: bashkohuni me ne në ëndrrën tonë europiane, bashkohuni me ne për Kukësin europian, bashkohuni me ne për Shqipërinë europiane, bashkohuni me ne, sepse me ne ju jeni dhjetëra herë më afër, sesa me Edi Ramën dhe 99-shat e tij.

Mos harroni se armiqësia e tij ndaj rrugës nuk është vetëm armiqësi ndaj demokratëve, por është armiqësi ndaj socialistëve, ndaj kombit në tërësi. Mos harroni se kur në këtë shesh, vërshonin lumenjtë e lotëve dhe dhimbjes të vëllezërve tanë, një njeri u thurte këngë e himne barbarive serbe mbi shqiptarët dhe ky është Goran Bregoviç, të cilit, Edi Rama, tre vjet më parë, i vendosi në gjoks çelësin e bashkisë së kryeqytetit.

Mos harroni se ne, së bashku, u anëtarësuam në NATO. Ne, së bashku, dyfishuam pensionet e rrogat. Ne, së bashku, ndërtuam rreth 6 mijë kilometra rrugë. Ne, së bashku, ndërtuam dhe rindërtuam rreth 1012 shkolla. Ne, së bashku, kemi të mira të përbashkëta. Ne, së bashku, kemi ëndrrën tonë, le ta ndajmë atë bashkërisht dhe të shohim përpara.

Edhe një herë dua t’u bëj thirrje djemve e vajzave të Kukësit, burrave e grave të Kukësit e të mbarë Shqipërisë që janë në emigracion: ejani më 28 qershor vizitoni njerëzit tuaj dhe votoni edhe vetë. Votoni, sepse ju jeni kontribuues të mëdhenj të këtij ndryshimi, votoni, sepse për votën tuaj Shqipëria ka shumë nevojë dhe me votën tuaj, ajo do të bëhet më shpejt dhe më mirë europiane, siç e doni ju dhe çdo shqiptar.

Qytetare dhe qytetarë të Kukësit dhe mbarë Shqipërisë

Një thirrje vëllazërore, këto tre ditë që kanë mbetur i merrni të gjithë letërnjoftimet e reja. I merrni, sepse ato janë dëshmia më moderne e identitetit në Europë. I merrni ato, t’u tregojmë Europës e botës se ky është standardi i qytetarëve të Kukësit e mbarë Shqipërisë. I merrni ato, të votojmë më 28 qershor, në mënyrën më të mirë, me dokumentet më moderne.

Më 28 qershor, të gjithë votoni 10-ën. 10-ta është ky shesh i paharrueshëm në historinë tonë. 10-ta jeni ju, qytetarë fisnikë të Kukësit. 10-ta është Shqipëria. 10-ta është Partia Demokratike. 10-ta është Europa.

Rroftë Kukësi!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Europa!”


15/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›