E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën e 12-të vjetore, në kuadër të Javës Kombëtare të Ujit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në çeljen e Konferencës së 12-të vjetore, me temë “Çfarë vlere ka uji për ty”, shoqëruar me mbrëmjen gala organizuar nga Shoqata e Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë, në kuadër të Javës Kombëtare të Ujit, si dhe të 100 Vjetorit të Pavarësisë.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, Kryetari i Shoqatës së Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë dhe Drejtor i përgjithshëm i UKT, zoti Sahit Dollapi, Drejtues së shoqatave të Ujit të vendit, të Kosovës, Maqedonisë, e Malit të Zi, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, zonja  Christine Moro, përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që kanë mbështetur dhe ndihmuar në sektorin e ujësjellës, kanalizimeve, etj.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin gjithashtu edhe Grupi Shqiptar i profesionistëve të rinj të Ujit, i përbërë nga profesionistë të rinj të sektorit të ujësjellës kanalizimeve, si dhe nxënës dhe fëmijë, anëtarë të programit sensibilizues “Miq të ujit”.

Kryeministri Berisha tha se, sigurimi i furnizimit me ujë në kushte dhe cilësi të larta për qytetarët shqiptarë, përbën një të drejtë themelore të tyre, si dhe një detyrë madhore të qeverisë së vendit.

Në këtë kontekst, kryeministri renditi disa arritje të rëndësishme, të cilat kanë ardhur si rezultat i investimeve të shumta në këtë sektor, të shtrira në mbarë vendin. Me këtë rast, kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë ndaj qeverive të një sërë vendeve mike, si dhe shumë institucioneve ndërkombëtare, të cilat kanë kontribuar gjatë këtyre viteve me financimin e projekteve të rëndësishme për furnizimin me ujë të qytetarëve shqiptarë.

Duke theksuar se qëndrimi ndaj ujit është një qëndrim që duhet të bazohet në standardet më të mira të BE-së, Kryeministri garantoi se për qeverinë, uji dhe problematika  e tij mbetet një përparësi madhore, si pasuria e parë e këtij vendi dhe më e madhja për qytetarët shqiptarë.

Në përfundim, kryeministri vizitoi ekspozitën e çelur me këtë rast.

Përshëndetja e kryeministrit Berisha në Konferencën e 12 vjetore të Ujit:

“Të nderuar drejtues të shoqatave të ujit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi,

 Të nderuar punonjës të sistemeve të furnizimit me ujë të vendit,

 Të dashur fëmijë, vogëlushë, vajza, djem, miq të ujit, avokatë të shkëlqyer të ujit,

Së pari është një kënaqësi e veçantë për mua tu përshëndes shumë përzemërsisht në këtë konference vjetore, të lidhur me problematikën e asaj lënde që për Shqipërinë përbën dhe pasurinë më të madhe, për shqiptarët përbën pasurinë më të çmuar, kurse ne tërësi përbën e bazën e jetës.

Kjo konferencë mblidhet në një përvjetor të veçante, siç është 100 vjetori i pavarësisë së vendit. Pas 100 vitesh ne mund të themi se sot ekziston një vizon i qartë për ujin, rëndësinë, perspektivën e përdorimit të tij, shfrytëzimit të tij në Shqipëri. Përballja me problemin e ujit është një përballje natyrisht shumëplanëshe. Pa mëdyshje, sigurimi i furnizimit me ujë në kushte dhe cilësi të larta për qytetarët shqiptarë, përbën një të drejtë themelore të tyre, përbën një detyrë madhore të qeverisë së vendit. Në këtë kontekst unë dua të theksoj se arritjet janë të mëdha, ka një përparim të shpejtë në drejtim të furnizimit të qytetarëve me ujë të rrjedhshëm. Sot mbi 96-97 % e qytetarëve shqiptarë furnizohen me ujë të rrjedhshëm dhe të cilësive bakteriologjike,biologjike,kimike plotësisht brenda normave dhe standardeve të parashikuara.

Sot, për furnizimin e popullatës me ujë bëhen investime të mëdha nga Jugu në Veri dhe unë shfrytëzoj rastin që ti shpreh një mirënjohje të thellë qeverisë federale gjermane, qeverisë italiane, qeverisë austriake, qeverisë franceze, zvicerane, hollandës, Luksemburgut, qeveri këto që me projektet e tyre kanë financuar me dhjetëra  e dhjetëra projekte të furnizimit me ujë të popullatës dhe kanë ndihmuar në mënyrë thelbësore në avancimin e axhendës së furnizimit me ujë të shqiptarëve. Natyrisht furnizimi është vetëm njëri aspekt, aspekte të një rëndësie jetike janë kanalizimet dhe trajtimi i ujërave të zeza.

Në rast se impiantin e parë të ujërave të zeza në historinë e vendit, e inauguruam në vjeshtën e vitit 2005, sot mund të themi se kemi një situatë tërësisht tjetër dhe në mbarë vendin nga Velipoja në Ksamil, si dhe në brigjet e liqeneve, investime të mëdha janë bërë dhe po bëhen në mënyrë që shumë shpejt, ndoshta në një hark të shkurtër kohor, dy ose tre vjeçar, ujërat e deteve ose të liqeneve të Shqipërisë të jenë në ujërat më të pastra të Ballkanit dhe më gjerë.

Ne qëndrojmë të vendosur që të bëjmë çdo investim në mënyrë që ujërat e Shqipërisë të derdhen të pastra në detet e saj. Shqipëria është një vend i vogël në hartë, është vendi më malor, më shkëmbor i Evropës, por po të ndalesh dhe ta shohësh me vëmendje, Shqipëria është një vend ujor. Ajo ka rezerva ujore shumë herë më të mëdha, krahasuar me sipërfaqen e saj. Ajo derdh në basenet e Mesdheut ujëra rreth 6 herë më shumë se sa ci takon në sipërfaqen e saj.

Kjo pasuri  e madhe është shfrytëzuar dhe po shfrytëzohet për ta shndërruar në energji në interesin më të mirë të qytetarëve të saj. Megjithë këtë dy të tretat(2/3) e potencialit energjetik hidrik shqiptar janë ende të pashfrytëzuara. Qeveria me nismën “Shqipëria, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon” ka firmosur një seri kontratash koncesionare me sektorin privat, me të cilat deri më sot do të ndërtohen 330 HEc, nga të cilat 70 kanë përfunduar së ndërtuari dhe rindërtuari dhe dhjetëra të tjera janë në ndërtim.

Vitin që vjen nis një nga projekte më të mëdha në Evrope, Kaskada e Devollit, një investim prej 1 miliard euro. Ndërkohë se shpejti në treg do të dalë për ndërtim Kaskada e Vjosës, një nga kaskadat më të mrekullueshme të vendit dhe me ujëra me konstante. Ndërtime dhe kaskada të shumta po ndërtohen në mbarë vendin.

Shqipëria në një hark të shkurtër kohor do të tre-katërfishojë prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e saj ujore. Qëndrimi ndaj ujit është një qëndrim që duhet të bazohet në standardet më të mira të BE-së. Ndaj dhe unë dua të falënderoj qeverinë franceze për mbështetjen që iu jep autoriteteve shqiptare në këtë fushë, sikundër unë ftoj të gjithë institucionet e angazhuara në problematikën e ujit të mbajnë parasysh korrigjimin e gabimeve të së shkuarës. Cilido që hedh sytë në relievin gjeografik të Shqipërisë, platformën e saj, ajo gjen se me projekte të mençura, të goditura, të mirëstudiuara, qytetarët e saj në të gjitha pikat ne vendit mund të furnizohen me ujë, pa ngritje  me energji elektrike, por me rrjedhje të lirë, e cila përbën pa diskutim një fushë shumë të leverdishme për komunitetet, për qytetarët  dhe autoritetet vendore. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që duke korrigjuar gabimet e së shkuarës, duke korrigjuar praktikat emergjente të investimeve dhe ndërtimit të një sistemi të konsiderueshëm të ujësjellësve me ngritje, të shkojmë dora-dorës drejt zëvendësimit të tyre sepse çdo hap që duhet të bëjmë ne, duhet të jetë një hap për zhvillim të qëndrueshëm dhe hap për një zhvillim të qëndrueshme në këtë fushë do të thotë ndërtimi i ujësjellësve me rrjedhje të lirë, aty ku ka mundësi dhe kjo mundësi është e madhe. Burimet e Tomorit mund të arrijnë deri në Durrës, mund të shkojnë deri në Fier dhe në Vlorë. Unë mora si shembull njërin mal, por të tilla janë malet e këtij vendi që dominojnë të gjithë ujësjellësit në të gjithë territorin , janë male të pasur me burime të pashtershme ujore.

Duke ju përgëzuar ju për këtë konferencë, ju garantoj se për qeverinë, uji, problematika  e tij mbetet përparësi madhore, pasi për ne është dhe mbetet pasuria më  e parë e këtij vendi, pasuria më  e madhe e qytetarëve shqiptarë.


06/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›