E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet rizgjedhjen e Presidentit Barack Obama

“Qytetarët e Shteteve të Bashkuara nuk e votuan presidentin e tyre për ato që ka bërë gjatë katër viteve. Zgjedhësit nuk të votojnë për ato që ke bërë, por të votojnë për vizionin që ofron në mandatin e ri.”

Kryefjala e mbledhjes së qeverisë është urimi më i përzemërt për Presidentin Barack Obama, me rastin e rizgjedhjes së tij në postim më të rëndësishëm të rruzullit tokësor, postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ishte një rizgjedhje plotësisht e merituar. Presidenti Barack Obama udhëhoqi Shtetet e Bashkuara dhe botën në kohën më të vështirë të tyre, pas Luftës së Dytë Botërore. Nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara përballuan me sukses krizën më të thellë në histori, pas viteve ’30 të shekullit të kaluar dhe u shndërrua në një faktor udhëheqës e shprese në kapërcimin me sukses të kësaj krize në botë.

Nën udhëheqjen e mençur e të vendosur të Presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, në mënyrë të padiskutueshme, paqja e stabiliteti botëror njohu dimensione të reja. Iraku, sot, është një vend tjetër nga ai që ishte katër vjet më parë. Po kështu, Afganistani ka një perspektivë të qartë. Pranvera Arabe, edhe ajo është një sukses i përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, në promovimin  paqes, demokracisë e stabilitetit. Bota është më e sigurt pa kryeterroristin Bin Laden. E vërteta është se katër vitet e para të Presidentit Obama kanë qenë vitet e dialogut më intensiv ndërkombëtar, dialog që i ka shërbyer trajtimit të problemeve madhore të kohës, në interesin më të mirë të qytetarëve të planetit.

Natyrisht, qytetarët e Shteteve të Bashkuara nuk e votuan presidentin e tyre për ato që ka bërë gjatë katër viteve. Zgjedhësit nuk të votojnë për ato që ke bërë, por të votojnë për vizionin që ofron në mandatin e ri. Por ka një të vërtetë të madhe në këtë mes. Midis ndryshimit të premtuar në letër dhe ndryshimit operativ, të gjatë, në çdo vend e skaj të Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe në botë, qytetarët zgjodhën vazhdimin e ndryshimit me Presidentin Obama, si ndryshimi më i prekshëm, më i besueshëm dhe më i sigurt.

Në zgjedhjen e tij, nuk mund të mohohet se një ndikim ka pasur edhe elektorati botëror, i cili në të gjitha sondazhet dilte se votonte për Presidentin Obama. Kjo botë është e lidhur me mijëra e miliona fije. Nuk duhet harruar se edhe këto sondazhe kanë pasur ndikimin pozitiv tek zgjedhësi amerikanë, pasi ata kishin një president të admiruar e të respektuar nga mbarë popujt e botës në tërësi dhe në veçanti, nga shqiptarët, të cilët i janë shumë mirënjohës për mbështetjen e ndjenjat e tij thellësisht miqësore, që u dëshmuan së fundi edhe me vizitën historike të Sekretares së Shtetit Clinton. Një ngjarje kjo, kulmore në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje të cilën shqiptarët e përjetuan me gëzim dhe mirënjohje të madhe. Unë shfrytëzoj rastin edhe një herë që në emër të qeverisë t’i përcjell Presidenti Obama urimet më të përzemërta, si dhe vendosmërinë e qeverisë sime për një bashkëpunim të ngushët e të gjithanshëm me aleatin e mikun më të madh e më strategjik të shqiptarëve. T’i shpreh gjithashtu, mirënjohjen, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ky vend mik e Presidenti Obama i kanë dhënë Shqipërisë e shqiptarëve dhe t’i garantoj se në çdo rrethanë, ne do të përpiqemi që në proporcion e në modesti të japim kontributin tonë, përkrah vendit e kombit të madh amerikan.


07/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›