Kryeministri Berisha: Ky muaj frymëzon bashkim dhe mirëkuptim
Kryeministri Berisha tha sot, se ky muaj që shënon 100 vjetorin e pavarësisë, frymëzon bashkim dhe fton për mirëkuptim.
“Ky muaj më shumë se çdo gjë tjetër është një apel të bashkohemi rreth interesit të vendit e kombit tonë, që është njëherësh, interesi më i parë i çdo qytetari,” – u shpreh Kryeministri në mbledhjen e qeverisë, ku foli për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.
Kryeministri tha se përgëzonte zotin Rama që do të jetë më 28 nëntor në Vlorë, për të nderuar sëbashku Ismail Qemalin dhe të gjithë ata burra që firmosën deklaratën e pavarësisë, qytetarët e Vlorës dhe të gjithë qytetarët shqiptarë. Më pas, tha Kryeministri, festa do të vazhdojë në Tiranë.
Lidhur me këtë, Kryeministrit Berisha u shpreh:
“Ky është një muaj shumë i veçantë, në të cilin ne duhet të ndjehemi krenarë e të privilegjuar që festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, që qëndron mbi sakrificat mbinjerëzore të qindra mijërave shqiptarëve, në këto 100 vite.
Më erdhi shumë mirë që zoti Rama do të jetë me ne, në datën 28 nëntor, në Vlorë dhe ky ishte një zhvillim shumë pozitiv. Pretendimet e mediave të kontrolluara se nuk do të festohet 28 nëntori në Vlorë ishin një absurditet absolut. Siç kam e theksuar në të gjitha daljet, do të festohet në mënyrë madhështore. Natyrisht, në qoftë se për një provincializëm të shkuar hoxhist, mendohet të përjashtohet Tirana, por ajo nuk është as e imja as e zotit Rama, është e të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në Ballkan e në botë. Ndaj Tirana nuk mundtë përjashtohet. Ajo ka detyrimet e veta madhore si kryeqytet dhe do t’i përmbushë ato me dinjitetin më të madh. Në rast se ndokujt i festohet më mirë duke përjashtuar kryeqytetin e vendit nga festimi i 100 vjetorit të pavarësisë, unë i them se ka mbetur në vitet, kur në këtë vend ka pasur ndofta qytetarë që për shkak të izolimeve të thella nuk dinin ku binte Tirana. Tani është kohë tjetër.
Ndaj e përgëzoj zotin Rama që do të jetë më 28 aty dhe do të nderojmë sëbashku Ismail Qemalin dhe të gjithë ata burra që firmosën deklaratën e pavarësisë, do të nderojmë qytetarët e Vlorës, do të nderojmë të gjithë qytetarët shqiptarë. Do të kthehemi e do të vazhdojmë festën në Tiranë, ku do të bëhen të gjitha nderimet. Ndaj ky muaj frymëzon bashkim. Ky muaj fton për mirëkuptim. Ky muaj më shumë se çdo gjë tjetër është një apel të bashkohemi rreth interesit të vendit e kombit tonë, që është njëherësh, interesi më i parë i çdo qytetari.”
07/11/2012